1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Të vdekur në sulmin ndaj një pike kontrolli

Si pasojë e luftimeve të reja midis seperatistëve dhe ushtrisë në lindje të Ukrainës u vranë dhe u plagosën disa njerëz. Në të vetëshpallurën "Republika Popullore Luhansk" pushtetmbajtësit shpallën gjendjen e luftës.

Në dy sulme të separatistëve në lindje të Ukrainës janë vrarë gjatë natës nëntë ushtarë. Kjo u njoftua nga Ministria e Mbrojtjes të Ukrainës në Kiev. Luftëtarët besnikë të Moskës kanë sulmuar një pikë kontrolli në afërsi të qytetit Wolnowacha rreth 60 kilometra në jug të Donetsk-ut. "Sipas informacioneve të para, në luftimet në afërsi të Wolnowahas u vranë tetë ushtarë dhe u plagosën 17 të tjerë", tha një zëdhënës i ministrisë. Në një tjetër sulm në rajonin Lugansk u vra një ushtar dhe pati dy të plagosur. Nëse ka viktima edhe në mesin e luftëtarëve besnikë të Moskës, është ende e paqartë.

Separatistët shpallin gjendjen e luftës

Në të vetëshpallurën "Republika Popullore e Luhansk-ut" pushtetmbajtësit shpallën gjendjen e luftës. Kjo gjendje do të jetë në fuqi, derisa udhëheqja pro-perëndimore të tërheqë trupat e saj nga rajoni në kufirin rus, njoftoi një zëdhënës. Sipas njoftimeve të seperatistëve pro-rusë rreth 90 kilometra në veriperëndim të Luhansk-ut, në qytetin Lisichansk, janë zhvilluar luftime të ashpra me Gardën Kombëtare. Të vetëshpallurat "Republika Popullore" Donetsk dhe Luhansk kanë vendosur në referendumin e mbajtur më 11 maj që të shkëputen nga Ukraina. Qeveria e Kiev-it është duke vepruar kundër seperatistëve në rajon.

Ndërkohë Rusia është duke përdorur një ton pajtues pak para zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë: Presidenti Vladimir Putin siguroi në kuadër të vizitës së tij në Kinë se ushtria, ashtu siç është paralajmëruar, ka filluar të tërhiqet nga kufiri, "për të shmangur spekulimet e mundshme, se ne do të pengojmë zgjedhjet presidenciale", tha Putin. Sa i përket njoftimeve të NATO-s, se nuk është vërejtur një tërheqje, Putin tha: "Ata të cilët nuk e shohin atë, duhet të shikojnë më mirë."Tërheqja mund të vërehet qartë edhe në pamjet satelitore".