1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Të vdekur dhe të plagosur në incidentin më të rëndë që prej luftës mes Izraelit dhe Libanit në 2006

Gjatë një shkëmbimi zjarri mes ushtarëve izraelitë dhe libenezë në kufirin e përbashkët të martën u vranë pesë vetë dhe u plagosën shumë të tjerë. Ky është incidenti më i rëndë që prej luftës së vitit 2006.

Ushtarë izraelitë pranë vendit të incidentit në kufi me Libanin, 3.8.2010.

Akuza të ndërsjella - izraelitët dhe libenazët fajësojnë njëri tjetrin.

Kjo ishte përplasja e parë direkte prej vitesh mes ushtrive të dy vendeve. Tre ushtarë libanezë dhe një gazetar po libanez humbën jetën. Izraeli konfirmoi se në luftime është vrarë dhe një oficer izraelit i rangut të lartë. Shumë ushtarë izraelitë u plagosën. Situata aktualisht njoftohet e qetë por tensionet janë të dukshme qartë. Ato ushqehen nga deklaratat e politikanëve. Gazi Aridi, ministër dhe anëtar i kabinetit qeveritar në Liban u shpreh të martën pasdite:

"Të gjithë libanezët do ta mbrojnë vendin dhe dinjitetin e tyre. Ne nuk do të pranojmë që të jetojmë vazhdimisht nën hijen e kërcënimeve izraelite. Heshtja e bashkësisë ndërkombëtare për terrorizmin izraelit duhet të marrë fund. Nëse Izraeli dhe mbështetësit e tij duan vërtet një luftë të madhe, duhet të dinë se ne kemi të drejtën të mbrojmë vendin tonë. Kjo luftë nuk do të jetë e lehtë për Izraelin. Ai u mund një herë dhe do të mundet përsëri, pavarësisht se çfarë arme përdor."

Luftë me pasoja shkatërrimtare - Liban 2006

Luftë me pasoja shkatërrimtare - Liban 2006

Izraeli ia vë fajin palës libaneze

Nga ana e tyre izraelitët bënë përgjegjëse për incidentin qeverinë libaneze. Ata njoftuan se do të protestojnë pranë Kombeve të Bashkuara.

Këmbimi i zjarrit ndodhi në orët e mëngjesit të së martës (3.8.) kur ushtarët izraelitë deshën të prisnin një pemë që ndodhej në zonën kufitare. Të dy palët grinden për vendin ku ndodhej pema. Ndërkohë është shfaqur një fotografi që tregon një izraelit i cili me një vinç kalon përtej vijës së kufirit.

Libanezët sipas të dhënave të veta, fillimisht kanë shkrepur vetëm të shtëna paralajmëruese. Kryeministri libanez Michel Suleiman fajësoi Izraelin. Por izraelitët thonë se mbi ta është qëlluar dhe i janë përgjigjur zjarrit.

Gjendja mund të kontrollohet sipas UNIFIL-it

Në rajonin në jug të Libanit janë të stacionuara 13.000 helmeta të kaltra. Ato duhet të kujdesen për qetësinë në rajon, por incidentin e së martës nuk arritën ta pengonin. Trupa paqeruajtëse UNIFIL i bëri thirrje të dyja palëve të tregohen të përmbajtura. Timur Goksel, ish-punonjës në trupën paqeruajtëse, pret megjithatë që helmetkaltrit të vënë në kontroll situatën.

Paqeruajtësit e OKB-së duhet të qetësojnë situatën.

Paqeruajtësit e misionit të OKB-së UNIFIL duhet të qetësojnë situatën.

"Për sa kohë nuk ka palë të tretë që ndërhyn, pra sa kohë bëhet fjalë vetëm për ushtrinë libaneze dhe atë izraelite, situata nuk do të përshkallëzohet. Me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara ajo mund të qetësohet. E rëndësishme është të mos përzihen palë të tjera. Nëse kemi të bëjmë me dy ushtri të rregullta, situata mund të vihet në kontroll edhe pse mund të ketë viktima."

Timur Goksel i referohet milicisë Hisbollah, e cila kontrollon situatën në jug të Libanit. Në vitin 2006 ajo hyri në një luftë katërjavore me Izraelin. Deri tani Hisbollahu ka qëndruar fare jashtë incidentit. Por konflikti i kapërcen kufijtë e rajonit: në një telefonatë presidenti i Sirisë Asad e siguroi homologun libanez se Siria e mbështet fort Libanin.

Autor: Jens Wiening / Eliana Xhani

Redaktoi: Elert Ajazaj

  • Data 04.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/ObFH
  • Data 04.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/ObFH