1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

"Të shprehësh hapur mendimin gjatë Kampionatit"

Parlamentari evropian Werner Schulz bëri atë që kërkuan shumë vetë në Gjermani: Ai erdhi për Kampionatin Botëror në Ukrainë dhe vizitoi Julia Timoshenkon e burgosur. Një intervistë me politikanin ekologjist.

DW: Zoti Schulz, ju dhe kolegia juaj e Parlamentit Evropian, Rebecca Harms, shpalosët një banderolë në stadiumin e Harkivit gjatë ndeshjes Gjermani - Holandë (13.06.2012), në të cilën ju kërkonit liri për të burgosurit politikë në Ukrainë. Si u reagua ndaj kësaj?

Werner Schulz: Jam në gjendje të vlerësoj vetëm reagimet në tribunën e nderit. Kishte kryesisht interesim të shprehur me gëzim, miratim me kokë dhe vetëm protestë të veçuar. Megjithatë, pas nesh ishte ulur asisteni i kryetarit të bashkisë së Harkivit. Ai reagoi i zemëruar dhe ishte i mendimit se kjo nuk kishte të bënte aspak me sportin. E sqaruam që sporti dhe politika nuk janë botë të ndara, që dhënia e Kampionatit Evropian Ukrainës ishte një vendim shumë politik.

Ju ishit politikanët e parë evropianë, që vizituat Julia Timoschenkon në spital gjatë Kampionatit Evropian të Futbollit. Për çfarë falët ju dhe Rebecca Harms me ish-kryeministren e burgosur?

Zhvilluam një bisedë shumë të hollësishme (rreth dy orë e gjysmë). Ajo shqetësohet shumë për të burgosurit e tjerë. Nuk është vetëm Julia Timoschenko në burg, ajo është vetëm maja e padrejtësisë. Është një fushatë hakmarrjeje kundër forcave të Revolucionit Portokall, të cilin presidenti Viktor Janukoviç po e zhvillon me ndihmën e prokurorisë. Ajo brengoset para së gjithash ngaqë Ukraina po largohet prej rrugës demokratike dhe po bie në despotizëm ose një lloj monarkie.

Aksion proteste në stadiumin e Harkivit

Aksion proteste në stadiumin e Harkivit

A është shprehur zonja Timoshenko në favor të sanksioneve kundër Ukrainës nga ana e Bashkimit Evropian?

Ajo tha, që të këqyrim njëherë edhe lidhjet e punës të presidentit, sepse në to nuk bëhet aq shumë fjalë për politikë, po për para, për pasurim. Dhe që duhen parë me kujdes llogaritë bankare jashtë vendit. Asaj nuk i duken me vend sanksionet kundër atdheut të saj.

Zonja Timoshenko është prej muajsh e sëmurë dhe po trajtohet nga mjekë gjermanë. Si është ajo tani?

Po të kihen parasysh rrethanat, mirë. Besoj se ajo e ka marë disi veten nga greva e urisë. Ajo është shumë e trime dhe i përmbahet terapisë që i kanë propozuar mjekët gjermanë. Por në kushte burgu nuk mund të shërohesh. Veçanërisht i rëndë është terrori psikologjik. Ajo ruhet orë e minutë (me kamera dhe me një numër punonjësish sigurie. Veç kësaj ajo ka frikë prej mjekëve ukrainas. Nuk u zë besë atyre. Nuk lejon që ata t'i marrin gjak ose që t'i bëjnë injeksione. Ajo thotë se ish-ministri i Brendshëm Jurij Luzenko u sëmur në mënyrë të mistershme me hepatit në burg. Në Ukrainë ka me sa duket metoda të paskrupull për të shmangur opozitën.