1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Të shkurtohen procedurat - Të mos rivendoset regjimi i detyrimit për viza

Rritet dukshëm numri i azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit në zonën Shengen. Kjo ka rrezikuar edhe regjimin e udhëtimit pa viza për disa vende ballkanike.

Gjatë vitit 2013 prej vendeve të Ballkanit në vendet e Bashkimit Evropian kanë ardhur më shumë se 50.000 azilkërkues, që përbën rreth 1/6 e numrit të përgjithshëm të azilkërkuesve në BE. Në dallim nga azilkërkuesit nga Siria, Çeçenia apo Afganistani, azilkërkuesve nga Serbia, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina po u refuzohen pothuajse të gjitha kërkesat. Për shkak të "abuzimit me normat e regjimit të udhëtimit pa viza", brenda BE-së është përmendur disa herë mundësia e rivendosjes së detyrimit për viza për vendet e Evropës Juglindore.

„Do të ishte shumë keq që për shkak të azilkërkuesve të rivendoset regjimi i vizave. Shumë më mirë është që problemet të zgjidhen me mjete ligjore dhe që regjimi i udhëtimit pa viza të mos preket, sepse kjo paraqet një prej arritjeve më të mëdha në Ballkanin Perëndimor", thonë në Qendrën për Stablitet Evropian (ESI). Për këtë arsye përshëndetet edhe vendimi i Gjermanisë dhe i disa vendeve të tjera të zonës Shengen, që vendet të cilave u është liberalizuar regjimi i vizave të klasifikohen në grupin e vendeve "të sigurta", që do të thotë se procedura e azilkërkimit do të shkurtohej dhe vendimet do të merreshin shumë më shpejt.

„Kërkesa të reme po paraqesin persona, që nuk janë të rrezikuar në vendet e tyre duke e ditur se shqyrtimi i kërkesave mund të zgjasë edhe me muaj të tërë. Gjatë kësaj kohe ata fitojnë të drejtën e banimit, ushqimit dhe përkujdesit mjekësor pa pagesë, që shpesh janë në nivel shumë më të lartë nga kushtet që ata kanë në vendet e tyre", thotë për Deutsche Welle-n Alexandra Stiglmeier nga ESI. Ajo mendon se secili duhet të ketë mundësinë ta parashtrojë rastin e vet dhe që vendimi të merret në bazë të fakteve. Por procedura duhet të jetë shumë më shkurtër.

„Vendet që e kanë thjeshtuar procedurën e marrjes së vendimeve për azilkërkuesit kanë pasur më pak kërkesa për azil. Zvicra e ka ulur kështu me 10 % numrin e azilkërkuesve. Suedia e ka përgjysmuar, ndërkohë që numri i azilkërkusve ka rënë dhe në Belgjikë. Nëse procedura zgjat vetëm disa javë, atëherë kërkesa për azil nuk është kaq atraktive për personat që e dinë se nuk kanë shanse ta fitojnë këtë të drejtë. Ata me siguri që nuk duan të kalojnë një rrugë kaq të gjatë dhe të vendosen në qendrat për refugjatë, kur e dinë se do të kthehen në shtëpi", mendon ajo.

Sistemi i përbashkët në BE

Bashkimi Evropian ka filluar përpjekjet për harmonizimin e qëndrimeve dhe ligjeve për këtë çështje që në vitin 1999. As 15 vjet më vonë situata me siguri që nuk është ideale. Disa gjëra janë harmonizuar, janë hartuar edhe standardet e përbashkëta për pranimin e azilkërkuesve si dhe kriteret për garantimin e së drejtë së azilit, por secili vend anëtar i zonës Shengen ende ka një sistem të veçantë të përpunimit të kërkesave përkatëse.

EU Russland Konferenz in St. Petersburg

Komisionerja e BE-së Cecilia Malström

„Rregullat e reja do ta thjeshtojnë e përmirësojnë cilësinë e marrjes së vendimeve", pohon komisionerja e BE-së për Punët e Brendshme, Cecilia Malmström. Vendet më të prekura nga ky fenomen po përpiqen që edhe vet ta zgjidhin këtë problem. Belgjika, që është ndër vendet më të prekura nga azilkërkuesit e remë nga Ballkani ka miratuar disa ndryshime ligjore. Para dy vitesh ajo i ka renditur vendet e Ballkanit në listën e "vendeve të sigurta". Procedurat për shqyrtimin e kërkesave janë shkurtuar dhe zgjasin më së shumti tri javë, ndërkohë që në tërësi janë shkurtuar edhe ndihmat financiare dhe të gjitha ndihmat e tjera për personat, të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil dhe janë detyruar të kthehen në vendin prej nga kanë ardhur. Në Gjermani gjatë vitit të kaluar ka pasur 130.000 kërkesa për azil. Ndër to 34.000 kanë ardhur nga vendet e Balkanit. Vetëm 40 prej tyre e kanë fituar të drejtën e azilit.