1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Të rinjtë si “watchdogs” të qeverisjes në Shqipëri

Ata janë një grup aktivistësh, që kanë themeluar një platformë online me mbështetjen e Fondacionit gjerman “Friedrich Ebert”. Synimi: publikimi i skanerit të performancës së ministrive e institucioneve kryesore publike.

Sokol Kondi, gazetar në të përditshmen MAPO që publikohet në Tiranë i ka kryer studimet në Itali për fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Prej 1 janarit të këtij viti ai vëzhgon gjithçka nga aktiviteti i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Kondi tregon për Deutsche Welle-n se vetëm duke vrojtuar website-t e ambasadave të Shqipërisë në vende të tjera kupton, sipas tij, mefshtësinë në angazhimin e tyre. Krijohet përshtypja se ato thjesht operojnë si zyra noteriale, që vetëm konfirmojnë se sa të vërteta janë dokumentat e paraqitura nga të interesuarit, thotë ai për Deutsche Welle-n.

“Në Kushtetutë dhe në ligje organike për aktivitetin e selive diplomatike sanksionohet në thelb mbrojtja e të drejtave dhe të interesave të qytetarëve shqiptarë, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Nuk e mendojmë se këto interesa janë vetëm vula, firma, dokumenti në tërësi. Ka pasur raste kur shtetasve shqiptarë iu është vënë në rrezik jeta në territorin francez, apo atë serb, në dy ngjarjet e vecuara të sulmit ndaj redaksisë së revistës në Paris dhe të atmosferës së dhunshme dhe tejet të tensionuar në stadiumin e Beogradit. Në këto dy zhvillime, të cilat janë të njohura prej publikut nga media ndërkombëtare, nuk ka pasur përpjekje serioze nga përfaqësitë diplomatike për kontakte, për të dhënë udhëzime konkrete për shtetasit shqiptarë të lokalizuar aty. Përfaqësuesit e diplomacisë duhet jenë jo vetëm në pozita pritjeje, por dhe aktive për të dhënë zgjidhje profesionale dhe të dobishme. Shembulli i shteteve anëtare të BE-së është evident për performancën efikase.”

Një nga problemet e tjera të cilat ka hulumtuar më shumë Sokol Kondi është procedimi për emërimet nëpër selitë diplomatike të Shqipërisë. Sipas tij ky është një aspekt me shumë rëndësi në prezantimin e shtetit tonë në hapësirën globale, në raportet bilaterale dhe multilaterale me shtete të tjera dhe me përfaqësimin në institucionet ose organizatat ndërkombëtare relevante.

Kondi mendon se ndryshimi i ligjit për shërbimin diplomatik ka lënë hapësira me të cilat mund të abuzohet në rekrutimin e personelit në të gjitha nivelet.

“Ligji i mëparshëm as që nuk zbatohej për ndjekjen e procedurave hierarkike të ambasadorëve. Duket se dhe me ligjin e ri ka tendencë për rekrutim jashtë sistemit, d.m.th, që në krye të selive diplomatike të ketë emërime të ‘katapuluara' dhe jo në respekt të ecurisë së karrierës brenda fushës së diplomacies. Ne po e ndjekim me shumë vëmendje këtë aspekt, pasi nga mënyra se si ndërtohen stafet në ambasada varet më pas dhe niveli profesional i aktivitetit të tyre.”

Sokol Kondi flet për mefshtësi te ambasadat

Sokol Kondi flet për mefshtësi te ambasadat

Bëjnë publike problemet, por dhe japin alternativa

Sokoli është pjesë e një grupi rinor, të cilët administrojnë një hapësirë online, të cilën e quajnë Platforma Shqiptare për Advokim Politika, ose APPA, Albanian Platform for Policy Advocacy. E konsiderojnë si një investim për të ardhmen e vendit: për të qenë të zhvilluar, duke menaxhuar pozitivisht asetet dhe sa më shumë investime. Aktivistët e APPA-s janë monitoriues të qeverisë dhe institucioneve të rëndësishme publike, duke hetuar performancën dhe aftësinë në shërbim të qytetarëve. Procesi është vëzhgues, por dhe publikues për të dhënat dhe problematikat duke ndarë me mediat, me rrjetet sociale dhe grupet e interesit. Pa harruar dhe të jepen alternativat më të mira, referuar shembujve nga demokracitë perëndimore.

“Të dhënat ne i transmetojmë për publikun. Mjetet tona për komunikim janë televizionet, radio, gazetat dhe mbi të gjitha rrjetet sociale dhe faqja online e organizatës, qëndrimet dhe analizat tona i bëjmë dhe perms kalendarit të aktiviteteve publike, si konferenca, forume a tubime. Sipas vizionit tonë një qeverisje e drejtë e konsolidohet në tri shtylla: shoqëri e zhvilluar dhe solidare, me demokraci të sundimit të ligjit, në një mjedias të shëndetshëm dhe të gjelbër”- thotë për Deutsche Welle-n Brenton Kotorri, aktivist i APPA-s.

Të rinj pjesëmarrës në platformën APPA

Të rinj pjesëmarrës në platformën APPA

Ai personalisht ka pasur nën vëzhgim dhe punën e Ministrinë e Çështjeve Vendore. Një ndër konkluzionet e tij është se nga ky institucion nuk ka pasur transparencë të plotë për procesin e realizimit të Reformës Territoriale. Kotorri i referohet një aktiviteti që ka zhvilluar para pak kohe kjo Ministri me përfaqësues të pushtetit vendor nga pjesë të ndryshme të Shqipërisë. “Morrën pjesë vetëm 36 persona nga administrata lokale, një numër gati i papërfillshëm në raport me totalin. Pra, nuk është investuar për pjesmarrje gjithëpërfshirëse dhe informim sa më të hollësishëm”.

Ka realizëm në mendimet e konkluzionet e sinqerta që shprehin

Këtë projekt e ka mbështetur zyra e Fondacionit “Friedrich Ebert” në Shqipëri. Drejtori Frank Hantke shprehet se kemi të bëjmë me një lëvizje qytetare, ku të rinjtë kërkojnë të dinë se si sillet dhe si menaxhon qeveria e tyre.

“E kemi mbështetur se është një iniciativë rinore, është një vështrim i realitetit nga sytë e të rinjve. Ndoshta ata në gjykimet e tyre mund të tregohen dhe radikalë, nuk përdorin nota diplomatike në artikulimin e informacioneve që marrinat. Por ky është një ‘metër' rinor në vlerësimin e situatës, ka realizëm në mendimet dhe konkluzionet e sinqerta që ata shprehin për çdo hallkë të sektorit publik që kanë monitoruar. Ata raportojnë duke paraqitur fakte dhe kjo është pozitive në përfshirjen e të rinjve në aktivitetin publik, duke qenë pjesë e vendimarrjes.”