1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Të rinjtë nga Maqedonia në kërkim të perspektivës

Jetesa më e mirë, vend i sigurt i punës dhe arsimimi më cilësor janë arsyet kryesore që të rinjtë nga Maqedonia braktisin vendin. Qeveria po përpiqet ta ndalojë fenomenin.

Në një periudhë tre vjeçare nga Maqedonia janë shpërngulur rreth 230 mijë persona, që kap shifrën e 19 përqindëshit të popullsisë së përgjithshme. Në mesin e të shpërngulurve dominojnë të rinjtë, të cilët për një jetë më të mirë, arsim më cilësor ose sigurim të punës, braktisin vendin. Këto të dhëna që i ka publikuar Eurostat, kanë alarmuar institucionet e vendit për ndërrmarjen e masave urgjente për të parandaluar dukurinë e migrimit, në veçanti të të rinjve të arsimuar.

Statistika alarmuese për Maqedoninë

Spiro Ristovski

Spiro Ristovski

Për ministrin për Punë dhe Politikë Sociale, Spiro Ristovski, migrimi është dukuri e pranishme në të gjitha vendet e Evropës, por pavarësisht kësaj, statistikat e Eurostat për Maqedoninë janë shqetësuese. "Nuk mund të jem i lumtur me të dhënat për migrimin. Bëhet fjalë për një periudhë kur janë ndërruar shumë qeveri dhe ministra. Ishte një periudhë e vështirë jo vetëm për Maqedoninë por edhe për rajonin në përgjithësi. Duhet punuar seriozisht për përmirësimin e gjendjes", shprehet Ristovski.

Masa konkrete për punësim

Qeveria e Maqedonisë ka promovuar një strategji me të cilën synon të pengojë migrimin e popullatës së re, duke premtuar rritje të ekonomisë dhe vende të reja pune, para së gjithash për personat me arsim të lartë.

"Duhet të kemi qasje të përbashkët në zgjidhjen e problemit. Shteti dhe sektori privat duhet të ofrojnë vende adekuate të reja pune, të cilat do të jenë më atraktive për të rinjtë që të mos e braktisin vendin", shprehet Ristovski.

Në Maqedoni është duke u realizuar edhe një program për vetëpunësim ku janë inkuadruar 400 persona të papunë, të cilët do të ndihmohen nga shteti për fillimin e biznesit individual. Këto projekte që mundësojnë punësimin e të rinjëve realizohen në ato qytete ku është vënë re një tendencë më e fortë e largimit të të rinjëve jashtë vendit, thotë ministri Ristovski.

Drejtori i Agjencionit për Punësim, Vllatko Popovski, thotë se megjithë papunësinë e madhe, të rinjtë shpesh refuzojnë vendet e punës, duke pretenduar edhe pozicione për të cilat nuk kanë kualifikim adekuat. Tek shumica e të rinjëve mungon ambicja për vetiniciativë, shprehet Popovski. “Shumë të rinj janë të kufizuar në kërkesat e tyre. Kërkojnë vende pune sipas profilit arsimor, edhe pse nuk e kanë përvojën e duhur për atë vend”.

Tek të rinjtë ka humbur durimi

Profesori i sociologjisë Ilia Acevski, thotë se strategjia për punësimin e të rinjve është e mirë, por që të vërehen rezultatet e saj, duhet kohë dhe këtu qëndron problemi që të rinjtë ikin jashtë vendit. Nëse për një kohë nuk ka rezultate të dukshme nga këto projekte, atëhere ato nuk do të kishin vlerë.

„Mungesa e perspektivës është arsyeja kryesore që shumë të rinj fatin e tyre e kërkojnë jashtë vendit. Krijimi i një jete normale në Maqedoni, është i vështirë, tek të rinjtë durimit i ka ardhur fundi. Nuk jam i bindur nëse një i ri do të priste 3 apo 5 vite që të punësohet“, shprehet Acevski.

Marija Zabrçanec nga Forumi për Arsimimin e të Rinjve vlerëson se autoritetet shtetërore shumë vonë janë kujtuar të marrin masa konkrete për ta penguar dukurinë e largimit të të rinjve nga vendi. “Dy problemet kryesore, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në ikjen e të rinjve, janë punësimi partiak dhe kualifikimi i pamjaftueshëm gjatë studimeve në universitetet e vendit. Pas përfundimit të studimeve, mesatarisht të rinjtë në Maqedoni presin shumë vite për punësim. Kjo është situatë e palakmueshme”, thotë Zabrçanec.

Deutschland Mazedonien Jugendprojekt TransNetwork

Mungesa e perspektivës është arsyeja kryesore që shumë të rinj maqedonas fatin e tyre e kërkojnë jashtë vendit

Eksperti për çështje demografike, Seadin Xhaferi, është i mendimit se projektet për punësimin e të rinjve, nuk do të kenë efekt të madh në parandalimin e migracionit. Ai zgjidhjen e kësaj çështjeje e sheh në një aspekt tjetër. "Të rinjve u duhet rikthimi i besimit në perspektivë dhe kjo mund të ndodhë kur Maqedonia të integrohet në strukturat Euroatlantike, kur një ditë Maqedonia të jetë anëtare e BE-së dhe NATO-s, vlerësoj se të rinjtë shumë pak do të vendosin për të braktisur vendin", shprehet Xhaferi.

Si të sigurohet punë

Në universitetet e Maqedonisë ka një numër të konsiderueshëm studentësh që paralelisht studiojnë dy fakultete, me qëllim që pas përfundimit të studimeve, të gjejnë më lehtë punë. Jovan Nikollovski në Universitetin e Manastirit ka mbaruar Fakultetin Ekonomik, por pasi që nuk është punësuyar për 4 vite me radhë ai ka vazhduar edhe Fakultetin e Informatikës.

"Gjatë konkurimit për vende të lira pune vërejta se sektori i biznesit por edhe institucionet shtetërore kërkojnë kombinim të disiplinave ekonomike me ato të informatikës. Shpresoj se pas përfundimit të Fakultetit të Informatikës do ta kem më lehtë të gjejë punë”, shprehet Nikollovski.

Agron Memishi , student i kimisë, thotë se ka zgjedhur këtë profesion, duke e vlerësuar atë si më specifik për punësim. "Nga gjenerata ime, në gishta mund të numërohen ata që kanë zgjedhur Fakultetin e Kimisë. Kjo më jep shpresë se pas përfundimit të studimeve do ta kem më lehtë të gjej punë, nëse jo atëherë edhe unë si shumë të rinj të tjerë, perspektivën do ta kërkoj në ndonjë vend të Evropës Perendimore”, shprehet Memishi.

Ndërkohë që Maqedonia shton strategjitë për mbajtjen e të rinjve të diplomuar në vend dhe Evropa po rishqyrton kthimin e regjimit të

vizave, për vendet e Ballkanit Perendimor, të rinjtë e Maqedonisë kanë gjetur destinacione të reja punësimi. Afganistani, Katari, Dubai dhe puna në anijet luksoze, janë atraksioni më i ri për punësim për të rinjtë që dëshirojnë të fitojnë më shumë para, për një periudhë më të shkurtër.