1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Të prishet apo jo piramida në Tiranë?!

Specialistët dhe opinioni publik në Shqipëri kanë mendime të ndryshme lidhur me ndërtesën në qendër të kryeqytetit, që sipas vendimit të qeverisë, do të prishet dhe do të kthehet në ndërtesën e re të parlamentit.

Piramida në Tiranë.

Simbol i komunizimit apo i kryeqytetit?

Tubimi qytetar i zhvilluar këtë javë, ka qenë një prej sinjaleve të forta që po jep opinioni publik kundër prishjes së piramidës. Qindra qytetarë kanë kundërshtuar të enjten (21.7.) rrëzimin e ish mauzoleumit të diktatorit famëkeq Enver Hoxha, dhe janë po kaq të shumtë ata që kanë firmosur peticionin, për të mbajtur gjallë, një prej simboleve të kryeqytetit, siç e quajnë ata.

Por ka dhe të tjerë njerëz, në numër të konsiderueshëm që kërkojnë zhdukjen e këtij objekti që u ngrit për nder të diktatorit Hoxha. Një varr, një bunker, të cilin ata nuk duan ta shohin më kur kalojnë përditë pasi u kujton vuajtjet e regjimit 50 vjeçar.

Ish-muzeu "Enver Hoxha" u përurua në vitin 1988. I quajtur ndryshe "Piramida" gjatë lëvizjes studentore të Dhjetorit 1990, për shkak të formës së tij arkitektonike, muzeu u projektua nga nja grup arkitektësh nën drejtimin e vajzës së Enver Hoxhës, Pranvera Hoxha dhe arkitektit Klement Kolaneci.

Specialistët, gazetarët dhe ata që e kanë Piramidën, tashmë një pjesë të jetës së përditshme në Tiranë, janë përfshirë në një debat të ndezur pro dhe kundër prishjes!

Maks Velo, piktor, vë në dukje vlerat arkitektonike të ndërtesës: “Ky objekt i veçantë ka një përputhje harmonioze midis formës së jashtme piramidale dhe hapësirës së brendshme, e cila është më voluminozja ndër objektet kulturore. Kjo hapësirë e pastër, pa kollona ose struktura të tjera mbajtëse është impresionuese. Po aq sa është harmonike është dhe funksionale. Mënyra e lëvizjes spirale, në shkallët anësore dhe ballkonatat, bënin që sipërfaqja e poshtme dhe hapësirat e ndërmjetme, të kishin pika të pafundme atraktive shikimi. Drita që vjen nga sipër është faktor i një ndriçimi të butë… Dhe së fundi kam theksuar edhe akustikën e jashtëzakonshme, që e kish. Çuditërisht”.

Elert Yzeiri, gazetar, mendon: “Kam frikë se po përjetojmë një “Déjà Vu”; nëse kohë më parë prindërit na tregonin bardhezi, marrëzitë e komunizimit për prishjen e objekteve të kultit, kisha, xhami, etj sot po shikojmë me ngjyra agresionin tiran për prishjen e veprave të rralla arkitektutore, të cilave shëmtuar po i veshin simbolikën e mbetjeve të komunizmit. (...)Unë i përkas të rinjve të rritur në vitet e tranzicionit, të një demokracie të brishte që luftoi diktaturën dhe këtë ndërtesë, piramidën siç na vjen për mbarë ta quajmë, e kujtoj vetëm si një ndërtesë nga ku u luftua komunizmi. Unë aty kam dëgjuar për herë të parë muzikë rrok, kam kërcyer në disko, kam blerë libra që dikur ishin të ndaluar dhe punoj prej vitesh në një televizion, që kultivon vlerat e një demokracie e qytetarie me vlera, dhe asnjëherë gjatë këtyre viteve nuk më ka çuar mendja se kjo ndërtesë është një kult komunist. Sot shteti është i gatshëm të shpenzojnë nga taksat tona miliona euro për të prishur një kryevepër të arkitekturës, nesër do të na duhet të paguajmë të tjera miliona për të shpaguar dëmin."

Frrok Çupi, gazetar, mendon se arsyeja e ekzistencës së objektit është shuar bashkë me periudhën komuniste: “Tanimë është krijuar togfjalëshi 'prishje e piramidës'. Në fakt nuk është ky definicioni i parë. E para dihet ndërtimi i Pallatit të Kuvendit dhe Drejtësisë. Kjo po ndodh, por në vend të piramidës. 'Prishja e piramidës' është krijuar nga vetë nostalgjikët e komunizmit dhe Enver Hoxhës. Këtyre nuk iu shikon syri gjë tjetër veç piramidës, madje as vetë sistemin e demokracisë që tashmë është ngritur mbi gërmadhat e komunizmit. Komunizmi as që mund të mendonte për Pallat Drejtesie apo përfaqësim popullor; kulti i rremë ishte gjithçka. Piramida e ka kryer funksionin e saj si vendstrehimi i fundit i diktatorit. Tani nuk kemi diktator, pse duhet të kemi vendstrehimin post-mortum. (...)Piramida është thjesht një lëvozhgë sarkofagu, asgjë tjetër nuk vlen. Të mbajmë guackën bosh të Enverit apo të ndërtojmë Pallatin e Ligjit? Nuk besoj se ka nevojë për përgjigje. Sa për nostalgjikët e Enverit, mendoj se këta duhet ta bëjnë një sakrificë që të respektojnë ndjenjën e popullit që vuajti nën thundrën e komunizmit. Në Gjermani u hoq varri i Rudolf Hess, pikërisht për arsyet që në Tiranë nuk ka pse rron kulti i Enverit.“

Artan Lame, studiues, mendon se piramida është pjesë e historisë së vendit: "Përgjithësisht opinioni i teknicienëve dhe publikut është pozicionuar kundër prishjes. Nga pikëmamja teknike shoqata e arkitektëve, ka nxjerrë një rezolutë dhe ia ka përcjellë kryeministrit, ku argumentohet pse nuk duhet të prishet piramida. Edhe Forumi për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore është shprehur në unison kundër prishjes, jo me argumente teknike. Piramida është ndërtesë unike e këtij lloji, jo vetëm në Shqipëri e Ballkan por dhe më gjerë. Është përfaqësuesja më e denjë e arkitekturës në Bulevardin e Tiranës, që përmbledh të gjitha epokat historike që nga periudha e perandorisë osmane, monarkisë, fashizmit, periudhës sovietike, diktaturës etj. Piramida është pjesë e historisë 100 vjeçare dhe është absurde ta heqësh nga ekspozita e Shqipërisë, që është përmbledhur në bulevard. Është grotesk i historisë që godina ka shërbyer vetëm dy vjet.. Pra është muzeu më jetëshkurtër në botë.“

Fakt mbetet që Piramida është pjesë e historisë së Shqipërisë, dhe shumica e vendeve më të njohura në botë, i kanë kthyer simbolet e tyre, negative apo pozitive, në atraksione për turizmin. Jo më kot në Berlin mund të shohësh, telat me gjemba të Hitlerit, furrat masive të shkrirjes në masë të hebrenjve apo murin që ndau familjet në mes të një qyteti…

Autor: Aurel Boriçi

Redaktoi: E. Xhani