1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Të papunë prej separatizmit në Donbas

Në shumë miniera në territoret e kontrolluara prej separatistëve në Ukrainën lindore puna është pezulluar. Infrastruktura është shkatërruar. Tregjet e eksportit janë dëmtuar. Vëzhguesit u tremben revoltave.

Luftimet mes separatistëve pro-rusë dhe Ushtrisë së Ukrainës në Donbas kanë sjellë pasoja të rënda për ekonominë e rajonit dhe të gjithë vendit. Në radhë të parë e gjithë industria e vjetëruar prej kohësh e qymyrit në Ukrainën lindore rrezikon tani të marrë fund.

Rreth dy të tretat e minierave në zonat Donjeck dhe Luhansk janë shtetërore. 90 përqind e minierave janë në varësi të Ministrisë për Energjinë e Qymyrit në Kiev. Më shumë se gjysma ndodhen sot në territore, të cilat kontrollohen prej separatistëve. Që prej shpërthimit të luftimeve nxjerrjet nga minierat, sipas të dhënave të zëzendësministrit përgjegjës Jurij Sjukov, nga 70.000 tonë në ditë kanë rënë në 20.000 tonë. Gjithashtu qymyri nuk mund të transportohet në rajone të tjera të Ukrainës. Hekurudhat janë shkatërruar ose nuk janë më nën kontrollin ukrainas. Separatistët, sipas Sjukov po e çojnë gjithnjë e më shumë qymyrin në Rusi.

Minatorët pa paga

Qeveria ukrainase në Kiev ndërkaq i ka ndërprerë të gjitha subvencionet për minierat në territoret separatiste. Mbi dymbëdhjetë miliardë Hryvnja (rreth 750 milionë Euro) kanë qenë të planifikuara në buxhetin e këtij viti për minierat e qymyrit në Donbas. Me këto para duhet të financohen edhe pagat për gati 100.000 njerëz, të cilët janë të punësuar në sektorin e minierave shtetërore.

"Shumica e minatorëve që nga qershori i këtij viti nuk janë paguar më", i tha DW, zëvendëskryetari i sindikatës së pavarur ukrainase të minatorëve, Anatolij Akimotschkin. Shumë prej tyre ndërkohë janë të papunë, sepse minierat e tyre janë shkatërruar gjatë luftimeve. Rindërtimi i shumë minierave nuk do të kishte kuptim, sipas Akimotschkin, sepse ato prej kohësh nuk janë rentabël.

Nëse Kievi në të ardhmen do t'i subvencionojë sërish minierat, kjo varet nëse udhëheqja ukrainase do të rivendosë pushtetin në zonat e separatistëve. Kjo është e paqartë, mendon sindikalisti. Njëkohësisht ai thekson: "Ukraina i pretendon këto territore. Asnjë politikan deri tani nuk ka deklaruar, se ato s'janë më territore ukrainase."

Perspektivë e zymtë - Rënia e industrisë së qymyrit

Por gjithçka të lë të nënkuptosh, se territoret që mbahen prej separatistëve pro-rusë me të ashtuquajturat "Republika popullore Donjeck dhe Luhansk" në të ardhmen nuk do të jenë më pjesë e Ukrainës, mendon Dmytro Snjegirjov, drejtues i nismës qytetare "Çështja e drejtë"." Por kjo s'është arsye për panik. Ukraina nuk humbet gjë, përveç objekteve të industrisë, që për shkak të subvencioneve të larta po e zhysin në humnerë të gjithë ekonominë e vendit", i tha ai DW.

Snjegirjov është pesimist sa i përket së ardhmes së ktyre territoreve. As Rusia s'ka nevojë për industri me humbje. Moska ka kohë që i ka mbyllur minierat jorentabël. Përveç kësaj qymyri që nxirret në Rusi është me kosto më të favorshme se në Ukrainën lindore. Rezerva duhen pasur edhe prej faktit, që investitorët nuk kanë interes ndaj një rajoni pa stabilitet. Ai druan, se ndërprerja e subvencioneve nga Kievi do t'i prekë rëndë minatorët në rajonin e konfliktit: "Do të krijohet potencial shpërthyes social. Qysh tani në vendbanimet e minatorëve në Luhansk ka kryengritje. Punëtorët kërkojnë pagat dhe pensionet."

Volodimir Omeltshenko nga qendra studimore Rasumkov, thotë se Kievi nuk do t'i mbështesë financiarisht zonat që nuk i ka nën kontroll. Por kjo sjell me vete më tepër rreziqe, tha ai për DW, sepse do të mungojnë furnizimet me qymyr që janë të domosdoshme për të siguruar energjinë në Ukrainë. Energjia që prodhohet prej qymyrit përbën 34% të energjisë së Ukrainës dhe 80% e sasisë së qymyrit nxirret në Donbas.