1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Të papërtshatshëm për postin e komisarit - Parlamentarët e BE-së kritikojnë komisarët e caktuar

Gjatë seancave të deritanishme të dëgjimit, komisionerët e caktuar kanë lënë një përshtypje herë të mirë e herë të keqe. Nuk përjashtohet mundësia, që parlamentarët të refuzojnë gjithë komisionin.

Në foto disa nga komisarët e zgjedhur nga Barroso: Barnier, Almunia, Rehn, Kroes, Oetinger.

Kur dy eurodeputetë konservatorë gjermanë bëjnë bilancin e seancave të dëgjimit të deritanishme, ky bilanc është natyrisht me ngjyrim politik partiak. Por deputetët e të gjitha fraksioneve kanë edhe një synim të përbashkët: Ata duan të kenë sukses kundrejt Komisionit nën drejtimin e kryetarit José Manuel Barroso si dhe kundrejt Këshillit të shteve anëtare të Bashkimit Evropian.


Europarlamentarët duan të dëgjojnë fjalë të qarta nga komisionerët

Markus Ferberit, kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Kristiansociale, i janë dukur shumë të ndryshme paraqitjet e deritanishme: "Kemi komisionerë, që kanë lënë përshtypje të shkëlqyeshme. Dua të përmend këtu zonjën Reding (Viviane Reding komisionerja nga Luksemburgu, e parashikuar për drejtësinë dhe për të drejtat e qytetarëve), zotin Lewandowski (Janusz Lewandowski, Poloni, i parashikuar si komisioner për buxhetin). Por disa komisionerë përpiqen të thonë më shumë atë që do të dëgjojë kryetari i Komisionit. Ndërsa ne si deputetë duam të trajtohemi njëlloj si anëtarët e Këshillit të BE-së. Kjo është fryma e Marrëveshjes së Lisbonës dhe ne duam deklarata të qarta nga të gjithë komisionerët."

Olli Rehn do të kujdeset në të ardhmen për financat.

Olli Rehn do të kujdeset në të ardhmen për financat.

Rehn apo Almunia - kush është më i pështatshëm për financat?

Por bëhet fjalë edhe për kritikë profesionale. Më shumë kritikë kanë Ferber dhe kolegu i tij i CDU-së Werner Langen për komisionerin për financat, finlandezin Olli Rehn. Që në portofolin e deritanishëm të zgjerimit dështoi Rehni, thotë Langen. "Po të mendojmë për diskutimin për zgjerimin zoti Rehn na ka rekomanduar zgjerime, për shembull Rumaninë dhe Bullgarinë, megjithëse kushtet nuk ishin përmbushur. Ai ka qenë një nëpunës i sprovuar, por i mungon aftësia për t'u imponuar. Si mund t'iu vendosë ai zonjës Merkel dhe zotit Sarkozi kushte në lidhje me konsolidimin e buxhetit? A e përfytyroni dot që kjo të ketë efekt?"

Të dy politikanët propozojnë që komisioneri i deritanishëm, spanjolli Joaquín Almunia, të mbajë postin që ka në vend që të bëhet komisioner për konkurrencën. Por portofolet nuk i ndan Parlamenti, këtë e bën kryetari i Komisionit Barroso. Werner Langen nuk e konteston këtë: "Po, por ne votojmë për këtë. Ky është dallimi. Natyrisht, Barroso ka të drejtën e ndarjes së posteve, por kur ne refuzojmë miratimin, atij do t'i duhet të reagojë."

Parlamenti mund të rrëzojë gjithë komisionin

Në foto: komisionerja e caktuar për ndihmën ndërkombëtare Rumjana Sheleva.

Rrëzimi i kandidaturës së saj rrezikon gjithë komisionin - bullgarja Rumjana Sheleva.

Parlamenti nuk mund të refuzojë komisionerë të veçantë, ai mund t'ia mohojë miratimin vetëm gjithë komisionit. Pas një seance dëgjimore të rrëmujshme për komisioneren e caktuar Rumjana Sheleva nga Bullgaria, disa anëtarë të komisionit kanë dyshime për integritetin e saj. Tani do të verifikohen akuzat në lidhje me biznese private. Në këtë mënyrë ajo nuk është e sigurt si komisionere. Megjithatë, kolegu i Shelevës në parti Markus Ferber beson në një komplot. Për të seanca dëgjimore kishte karakterin e një tribunali, të komanduar nga kryetarja e komisionit.

Në rast se Parlamenti refuzon të miratojë, atëherë Bullgaria duhet të emëronte një kandidat të ri. Plani i deritanishëm, sipas të cilit Komisioni do të fillonte nga puna më 1 shkurt, nuk do të mund të respektohej më.

Autor: Christoph Hasselbach / Elert Ajazaj

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 14.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LVan
  • Data 14.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LVan