1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Të paktën 153 të vdekur - Fatkeqësia ajrore në Madrid

Si pasojë e një aksidenti me avion në aeroportin e kryeqyetit spanjoll Madrid dje (20.8.) sipas të dhënave zyrtare humbën jetën 153 vetë. Ndër ta ka pasur të paktën 20 fëmijë. Vetëm 19 vetë kanë mbijetuar.

Trupat e shpëtimit duke nxjerrë trupat e viktimave pas fatkeqësisë së avionit të Spanair

Trupat e shpëtimit duke nxjerrë trupat e viktimave pas fatkeqësisë së avionit të Spanair

Gjatë gjithë natës së të enjtes mjekët ligjorë u përpoqën të identifikojnë trupat pa jetë të nxjerrë deri tani nga mbeturinat e avionit. Pjesa më e madhe e të mbijetuarve është identifikuar ndërkohë. Shoqëria e fluturimeve ajrore Spanair, avioni i së cilës u përfshi nga zjarri ka publikuar një listë pasagjerësh në internet por nuk jep të dhëna për kombësitë përkatëse. Mediet spanjolle njoftojnë se pjesa më e madhe e pasagjerëve kanë qenë spanjollë, veç tyre edhe katër gjermanë, dy suedezë, një kilian dhe një kolumbiane. Fati i gjermanëve është ende i paqartë. Trupat e djegur dhe të gjymtuar të viktimave është e vështirë të identifikohen.

Një nga katastrofat më të rënda ajrore të viteve të fundit


Qysh pas njoftimeve të para të medieve u bë e qartë se bëhej fjalë për një nga katastrofat më të rënda ajrore të viteve të fundit. Një pjesëtar i ekipeve të shpëtimit tregon: “Kudo shihje të plagosur dhe të vdekur. Barrelat e transportit të trupave dërgohen në të gjitha drejtimet. Kanë ardhur forcat e zjarrfikësit, policisë, të gjithë...”

Disa qindra ndihmës u morën fillimisht me nxjerrjen e trupave pasi u shua plotësisht zjarri në trupin e avionit të shkatërruar plotësisht. Ndërkohë në aeroportet e Madridit dhe Las Palmas në Gran Kanarie të afërmit dhe miqtë prisnin të dëshpëruar njoftime: “Ne kemi një shok në avion, ai nuk përgjigjet në celular. Ende nuk dimë asgjë, ka vdekur apo është ndër të plagosurit.”


Psikologët kujdesen për njerëzit që presin

Kërkimi i shkakut të aksidentit vazhdon me intensitet, kutitë e zeza të avionit janë rekuperuar ndërkohë. Mesa duket gjatë fazës vendimtare të ngritjes motori i majtë i avionit ka marrë flakë.

Ky ka qenë fillimi i katastrofës tregon një dëshmitare në vendngjarje: "Avioni ishte ngritur me siguri rreth 200 këmbë në ajër kur pamë një top të zjarrtë dhe ndodhi shpërthimi. Avioni u ça dhe më pas ra siç bie një gjethe nga pema.”

Ende të paqarta shkaqet e rënies

Shoqëria ajrore Spanair nuk thotë asgjë mbi shkaqet e katastrofës përpara se të ketë fakte të besueshme. Një zëdhënës i shoqërisë tha: “Nuk mund të bëjmë spekulime në një fatkeqësi të tillë. Autoritetet civile kanë detyrë të hetojnë dhe të gjejnë shkaqet e aksidentit.”

Zëdhënësi i Spanair nuk pranoi të fliste as mbi problemet teknike me një nga matësit e temperaturës jashtë avionit. Për shkak të riparimit të këtij defekti nisja e fluturimit ishte shtyrë me një orë. Avioni 14 vjeçar kishte kaluar në inspektim gjeneral për herë të fundit në muajin janar.


Shumë anëtarë të kabinetit qeveritar spanjoll dhe kryeministri Zapatero kanë ndërprerë pushimet për të koordinuar masat e mëtejshme të hetimeve por edhe për t'u kujdesur për të afërmit e viktimave. Ministrja spanjolle e Transportit Magdalena Alvarez: “Tani përparësi ka përkujdesja për familjet dhe trajtimi i të plagosurve.”

  • Data 21.08.2008
  • Autor Marc Koch / Madrid
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/F2Ab
  • Data 21.08.2008
  • Autor Marc Koch / Madrid
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/F2Ab