1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Të paktën 12 të vrarë në trazirat midis myslimanëve dhe koptëve në Kajro

Në luftime të ashpra midis koptëve dhe myslimanëve në Kajro u vranë disa vetë. Myslimanët sulmuan një kishë kopte, për të liruar një të krishterë, e cila gjoja mbahej atje, sepse donte të konvertohej në fenë islame.

Perplasje mes kopteve dhe myslimaneve ne Kairo

Perplasje mes kopteve dhe myslimaneve ne Kairo

Sundon një qetësi e tendosur në lagjen Imbaba të Kairos. Njerëzit janë mbyllur në shtëpitë e tyre pas trazirave të përgjakshme natën duke gdhirë e diela, të cilat u kushtuan jetën të paktën 12 vetëve dhe shkaktuan 230 të plagosur. Tanke rrethuan lagjen, policia dhe ushtria rrethuan gjithë vendin, për t'i ndalua radikalët të afrohen. Një i krishterë i plagosur thotë:

"Ky ishte një sulm i planifikuar. Ata i vunë flakën njërës kishë pas tjetrës. Kjo ishte me siguri e planifikuar."

Dëshmitarë informojnë se natën duke gdhirë e diela, rreth 500 salafistë radikalë islamikë me veshje tradicionale marshuan drejt kishës së virgjëreshës në Imbaba. Ata kërkuan lirimin e një gruaje, e cila gjoja mbahej e burgosur në kishë, sepse siç thuhej donte të konvertohej në fenë islame dhe të martohej me një burrë mysliman. Ahmed Sulejman, një dëshmitar mysliman thotë:

"Në fillim ne folëm me njëri-tjetrin, për të shmangur dhunë. Ne e dimë shumë mirë se në vend ka tensione fetare. Ne duam të negociojmë, për t'i zgjidhur probleme të tilla. "

Por pastaj fluturuan shishe me lëndë djegëse dhe gurë, u shkrehën të shtëna. Kisha e virgjëreshës dhe fasada e një qendre fetare tjetër pranë morën flakë. U plaçkitën shtëpi. Ushtria dhe policia përdorën gazin lotsjellës dhe hapën zjarr në ajër, për ta vënë nën kontroll turmën e zemëruar. Essam Mohamed, një dëshmitar tjetër:

"E gjitha ndodhi vetëm sepse kishte shumë pak forca sigurie. Mbështetës të regjimit të vjetër duan të provokojnë dhunë fetare. Askush, as i krishterë dhe as mysliman nuk do të guxonte t'i vinte flakën një kishe. Eshtë regjimi i vjetër që është përgjegjës për këtë."

Nëse kjo akuzë ka baza, është e paqartë. Ka të dhëna se salafistët u shoqëruan nga grupe huliganësh. Dhe e sigurtë është se në të kaluarën, regjimi i vjetër i ka përdorur tensionet fetare për synimet e tij. Dr. Sherief Hany, nga organizata e rinisë e kishës kopte u shpreh përballë Al Xhazirës:

"Gjatë regjimit të Mubarakut, minoritetet sulmoheshin vetëm sepse Mubaraku donte të qendronte në pushtet. Ai ka luajtur një lojë të ndyrë. Sepse koptët sulmonin myslimanët, myslimanët koptët dhe askush nuk e sulmonte atë ose ta detyronte të jepte dorëheqjen."

Por edhe pas revolucionit egjiptian, ku të krishterët dhe myslimanët demonstruan përkrah njëri-tjetrit, tensionet fetare nuk kanë pushuar.

Kryeministri Essam Sharaf anulloi një udhëtim në shtetet e Gjirit dhe thirri një mbledhje krize të kabinetit. Pas takimit, u bë e ditur se natën qenë arrestuar 190 vetë, pjesëtarë të të dyja komuniteteve fetare. Ata do të nxirren para një gjykate ushtarake ku do të dënohen me të gjithë ashpërsinë, u bë e ditur në një deklaratë me shkrim.

Autor: Linda Staude/Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti

DW.COM

Audio dhe video për temën