1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Të pajisur dhe stërvitur mirë? - Mbi debatin aktual për misionin e Bundesverit në Afganistan

Pas luftimeve të ashpra në afërsi të Kundusit të premten e Pashkëve (2.4.), ku humbën jetën tre ushtarë gjermanë, është ringjallur diskutimi lidhur me armatimin dhe përgatitjen e Bundesverit në Afganistan.

Parashutistë të njësive 373 dhe 313 në Seedorf.

I ngarkuari i deritanishëm i Bundestagut për mbrojtjen, Reinhold Robbe (PSD), flet për deficite në përgatitje dhe në armatim. Të tre ushtarët e rënë janë parashutistë nga Seedorf, njësi, të cilën Robbe e kishte vizituar pak para se ajo të dërgohej në Afganistan. Ushtarët ishin ankuar se nuk kishin sa duhet automjete në dispozicion për të kryer manovra të ngjashme me situatat e luftës, tha Robbe në një intervistë në gazetë. Në këtë mënyrë i ngarkuari për mbrojtjen përsëriti kritikat e bëra në raportin aktual vjetor, se në Gjermani nuk ka sa duhet automjete të blinduara të tipit "Dingo" dhe "Duro", që nevojiten për stërvitjen e forcave ushtarake në Gjermani.

Ushtarët e Bundesverit ndahen nga shokët e rënë në luftime të premten e Pashkëve. Kundus, 3.4.2010.

Ushtarët e Bundesverit ndahen nga shokët e rënë në luftime të premten e Pashkëve. Kundus, 3.4.2010.

Ushtria gjermane ka nevojë urgjente për pajisje të përshtatshme

Politikanë të tjerë theksuan kërkesën e tyre se Bundesverit i nevojiten urgjentisht helikopterë ushtarakë për misionin në Afganistan dhe më shumë mjete moderne zbulimi. Politikani i UKD-së, Ruprecht Polenz, nuk mund ta kuptojë një gjë të tillë. Politika do të bënte mirë, që të mos luante rolin e gjeneralit të luftës, tha kryetari i komisionit për politikë të jashtme, ajo duhet të mbështetet tel vlerësimet e ushtarakëve.

"Unë nuk jam në dijeni, që kërkesa të caktuara konkrete të Bundesverit, përsa i përket misionit në Afganistan, nuk janë marrë parasysh. Unë supozoj se ne i dërgojmë ushtarët në mision të pajisur dhe të përgatitur mirë, përndryshe nuk do të përballohej dot përgjegjësia." - tha Polenz.

Ish-inspekori i përgjithshëm i Bundesverit Harald Kujat kritikon faktin se ushtarëve gjermanë në Afganistan u mungojnë sistemet moderne të zbulimit dhe për këtë arsye ata hynë në një luftim të ashpër me talibanët të premten e pashkëve. Ministria e Mbrojtjes e kundërshton këtë kritikë. Bundesveri është i pajisur mirë me armatim dhe e ka kontrolluar me avionë pa pilotë territorin, ku është zhvilluar beteja.

Inspektori i përgjithshëm Volker Wieker shpjegoi se përse ushtarët në tokë nuk janë mbështetur me bombardime nga ajri. Është mjaftuar me fluturime të ulta ("Show of force"), por nuk janë përdorur armët, meqë nuk mund të përjashtohej vënia në rrezik e forcave të veta dhe e popullsisë civile. Që prej bombardimit fatal të shtatorit të kaluar Bundesveri është në këtë pikë tepër i tërhequr.

Diskutimi ndizet sa herë ka humbje në radhët e gjermanëve në Afganistan

Diskutimi mban shenjat e një rituali. Çdo herë, kur ushtarët gjermanë vdesin në Afganistan, në Gjermani fillon një debat për strategjinë e duhur të misionit dhe kualitetin e armatimit dhe të përgatitjes ushtarake. Zakonisht shprehet një rreth i vogël politikanësh të kësaj fushe dhe gjeneralë në pension, ndërsa opinioni i gjerë, ose e ndjek kalimthi misionin në Afganistan me të gjitha rreziqet e tij, ose e refuzon atë.

Ministri gjerman i Mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg flet për situatë të ngjashme me luftën në Afganistan.

Ministri gjerman i Mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg flet për situatë të ngjashme me luftën në Afganistan.

Diskutimi ka një cilësi të re nga fakti se ministri i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg, tani flet për "luftë" në Afganistan, edhe pse me kufizime, gjë që ushtarët e bëjnë prej kohësh. Kjo të çon automatikisht te pyetja, nëse nuk nevojiten më shumë trupa luftarake me pajime më të mira dhe me përgatitje edhe më intensive, për të përzënë talibanët nga Afganistani i Veriut. Ka gjasa që hetimi i saktë i betejës vdekjeprurëse të së premtes së Pashkëve të çojë në këtë konkluzion.

Autor: Nina Werkhäuser / Angjelina Verbica

Redaktoi: Eliana Xhani

DW.COM

  • Data 07.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MonS
  • Data 07.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MonS