1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Të ndihmosh kur frontet nuk janë të qarta

Para 150 vjetësh është krijuar lëvizja humanitare e Kryqit të Kuq, për të zbutur pasojat e luftrave. Por ndërkohë konfliktet e armatosura kanë ndryshuar. Puna e ndihmësve humanitarë është bërë komplekse dhe e rrezikshme.

Sipas të drejtës humanitare kuadri i misionit ishte shumë i qartë për Alfredo Malgarejo. Rregulli 56 thotë se të gjitha palët në konflikt duhet të sigurojnë lirinë e veprimit të personelit të autorizuar humanitar, pra edhe të varganit ndihmës të Malgarejos që ndodhej në veri të Sirisë. "Vargani kishte tetë kamionë me ndihma", kujton punonjësi i Kryqit të Kuq gjerman. "Çdo gjë ishte diskutuar me palët në konflitk dhe ata kishin rënë dakord, megjithatë dikur na bllokun."

Alfredo Melgarejo

Alfredo Melgarejo

Një komandant lokal nuk e kishte pranuar misionin e ndihmës. Ndalesa u pasua nga bisedime të gjata, deri sa ushqimet dhe medikamentet lëvizën sërish nga vendi. "Është duke u bërë gjithnjë e më e vështirë dhe e rrezikshme, që të zbatosh marrëveshjet e arritura në konfliktet aktuale," thotë Malgarejo i cili ka punuar 17 vjet në misionet jashtë vendit. Siria nuk është rasti i vetëm. Ky vend ofron vetëm një shembull të hidhur që tregon sa e vështirë është të ndihmosh: "Tetë bashkëpunëtorë të Gjysmëhënës së Kuqe janë vrarë këtë vit, dy kanë humbur," tregon Malgarejo.

Rregullat për punën e Kryqit të Kuq dhe organizatave të tjera humanitare në zonat e krizës janë vendosur në një kohë kur me njëri tjetrin luftonin njësi ushtarake me struktura të qarta. Sipërmarrësi zviceran Henry Dunant ndërmori më shkurt të 1863 nismën për përpilimin e një marrëveshjeje për trajtimin dhe furnizimin e viktimave të luftës. Kështu lindi lëvizja Kryqi i Kuq.

Flash-Galerie DRK

Puna e ndihmësve humanitarë është bërë komplekse dhe e rrezikshme.

Marrëveshja u vendos më 1864 në Gjenevë dhe rregullon fushën e veprimit të aktiviteteve humanitare në formën klasike të konflikteve midis njësive të strukturuara qartë ushtarakisht. Deri në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar marrëveshja është plotësuar vazhdimisht me protokolle shtesë dhe marrëveshje te tjëra. Megjithatë ngjarjet në konflikte kanë ndryshuar që në atë kohë.

Konfliktet kanë ndryshuar

"Kjo ka të bëjë me ato që njihen si luftëra të vogla," përshkruan studiuesi i shkencave të politikës, Herfried Münkler situatën aktuale, " dhe 20 vjetët e fundit trupat luftarake private luajnë gjithnjë e më shumë një rol, ose organizatat e armatosura joqeveritare, si përshembull Al Kaida."

Në fakt konfliktet tentojnë të bëhen gjithnjë e më pak transparente, siç e tregon edhe historia e re. Kjo ka pasur pasoja në të drejtën ndërkombëtare. "Një nga pikat më delikate është dallimi midis atyre që luftojnë dhe atyre që nuk luftojnë." Kush lufton dhe kundër kujt? Këto janë pyetje që nuk njihen nga drejtimi klasik i luftës, por përgjigjia e të cilave ka shumë rëndësi në punën e organizatave ndërkombëtare.

Johannes Richert

Johannes Richert

"Paqartësia e skenës së luftimeve vështirëson arritjen e marrëveshjeve për aktivitetet tona," thotë Johannes Richert, i Kryqit të Kuq gjerman. "Por kjo nuk është një problem për të drejtën ndërkombëtare, por për zbatimin e misionit." Jo vetëm që pengohet puna e organizatave ndërkombëtare, por punonjësit shpesh kthehen në objekte sulmi, siç bëjnë të ditur njoftimet për vrasjen apo rrëmbimin e punonjësve të Kryqit të Kuq gjatë muajve të kaluar.