1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Të moshuar punëtorë apo të varfër?

Përse punojnë të moshuarit? Ndihen ata ende të rinj dhe duan të punojnë, apo sepse detyrohen nga pensionet e ulëta? Ekspertët nuk bien dakord në interpretimin e statistikave.

Të moshuarit në Gjermani po punojnë gjithnjë e më tepër, edhe pasi kanë plotësuar moshën e pensionit. Kjo ndodhi pas kërkesës zyrtare parlamentare drejtuar qeverisë nga të majtët e Partisë Socialiste. Shifrat tregojnë se numri i pensionistëve të cilët punojnë në të ashtuquajturat "punë të vogla" – punë e cila paguhet në afro 400 euro (500 dollarë) dhe për të cilën nuk paguan taksa – është rritur me rreth 60% që nga viti 2000. Kjo do të thotë se 761 mijë njerëz që zyrtarisht kanë dalë në pension punojnë ende – shumë prej tyre mbi moshën 74 vjeç. Aktualisht Gjermania ka 17 milionë pensionistë.

Për Herbert Buscher, nga Instituti i Kërkimeve Ekonomike të Halle (IWH), arsyeja kryesore për rritjen e numrit të pensionistëve që punojnë, është fakti se njerëzit po jetojnë më gjatë dhe janë më të shëndetshëm. "Nuk quheni më i vjetër në moshën 65-vjeçare," i tha ai DW. "Ende ndiheni i aftë fizikisht dhe psikologjikisht për të bërë disa punë, s´ka rëndësi nëse paguhesh apo e bën vullnetarisht."

Sindikatat paralajmërojnë varfërinë e të moshuarve

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Por sindikatat dhe organizatat në komunitet kanë një tjetër interpretim të shifrave – se pensionet e njerëzit nuk mjaftojnë për të jetuar. "Këto shifra janë një shenjë se shumë njerëz nuk mund t´a shijojnë daljen në pension, dhe duhet të bëjnë punë të paguara keq për të mbijetuar," thotë Annelie Buntenbach, anëtare e bordit të Konfederatës së Sindikatave Gjermane (DGB).

Ulrike Mascher, presidente e grupit të shoqërimit në komunitet VdK, gjithashtu mendon se ulja e pensioneve përgjatë viteve të fundit ka çuar drejt rritjes së numrit të pensionistëve që punojnë. "Mund të shihni se ulja e niveleve të pensionit ka efekt tek pensionistët," thotë ajo.

Por ka mënyra të ndryshme për të interpretuar statistikat. Buscher argumenton se situata financiare e njerëzve nuk duhet gjykuar nga përmasat e pensioneve shtetërore: "Duhet të llogarisni edhe kompanitë e pensioneve ose mundësisht pensionet private, kështuqë duke gjykuar nga pensionet shtetërore nuk mund të merrni më të dhëna informative."

Ndarja lindje-perëndim

Dhe sigurisht që ka ndryshime rajonale. Buscher pranon se në Gjermaninë Lindore, shumë të moshuar janë të detyruar të punojnë për të shmangur varfërinë: "Ka një papunësi afatgjatë dhe kryesisht të ardhurat janë të ulëta, kështuqë edhe pensionet shtetërore rrjedhimisht janë të ulëta."

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Mbi të gjitha, kompanitë e pensioneve nuk kanë pasur ende një efekt mbi pensionistët e Gjermanisë Lindore, përderisa shteti siguron të gjithë pensionistët në Gjermaninë e vjetër komuniste lindore. Gratë gjithashtu janë të vlerësuara në mënyrë disproporcionale krahasuar me meshkujt, që nga momenti që zakonisht ata kanë të ardhura më të ulëta dhe kryesisht ndërpresin marrëdhëniet e punës gjatë jetës së tyre profesionale për t´u kujdesur për fëmijët.

Dominojnë "punët e vogla"

Për Karl Brenke, ekspert i tregut të punës në Institutin Gjerman të Kërkimeve Ekonomike në Berlin (DIW), ndryshimet e kushteve të punës luajnë gjithashtu një rol. "Në shumë fusha, puna nuk është aq fizike sa çka qenë më parë," thotë ai. "Prandaj njerëzit mund të punojnë më gjatë." Ai thotë se kjo është padyshim e vërtetë për punët teknike dhe akademike, dhe shton se njerëzve të kualifikuar të cilët punojnë më gjatë, mbase u duhet të punojnë kaq gjatë.

Por Buntenbach nuk pajtohet me këtë mendim. "Nëse gjithçka do të ishte kaq e lehtë dhe të moshuarit duhet të punonin më gjatë, ata duheshin pyetur pse nuk bëjnë punë që paguhen më mirë dhe për të cilat derdhen kontribute shoqërore," i tha ajo DW. "Por ky nuk është tregu i duhur i punës për të moshuarit. Përkundrazi, thotë ajo, shumë të moshuar duhet të 'kënaqen' me punë të vogla që paguhen keq.