1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Të luftojmë, derisa të dëbojmë NATO-n"

Sulmi i një grupi nacionalistë turq ndaj ushtarëve Bundeswehr-it në Iskenderun dëshmon mosbesimin e një pjese të popullsisë turke ndaj Perëndimit, NATO-s dhe SHBA.

Protesta kundër raketave Patriot në Turqi

Protesta kundër raketave Patriot në Turqi

Ndonjë ushtar gjerman, që ka nisurr shërbimin në Turqi në kuadër të misionit "Patriot", mund të jetë çuditur disi. Fillimisht qeveria turke kërkon mbështetjen e aleatëve të NATO-s kundër sulmeve të mundshme me raketa nga Siria, por pa mbërritur mirë trupat perëndimore në Turqi, ata priten me protesta dhe madje edhe me sulme fizike. Prej javësh një lëvizje e gjerë politike, e përbërë nga nacionalistët, komunistët dhe islamistët, organizon demonstrata kundër vendosjes së raketave Patriot në Turqi. Që arriti kulmin me sulmin ndaj ushtarëve gjermanë në Iskanderun në 22 janar.

"Ne luftojmë, derisa ushtarët e NATO-s të jenë dëbuar prej vendit tonë", tha Cagdas Cengiz, nënkryetar i organizatës së djathtë, Bashkimi i Rinisë turke (TGB), në një aksion para Konsullatës së përgjithshme gjermane në Stamboll, pas sulmit mbi ushtarët gjermanë. "Ne ju kemi paralajmëruar", tha Çengiz, duke iu drejtuar gjermanëve. "Por ju nuk keni dëgjuar."

Thasët si símbol

Anëtarë të TGB-së në Iskanderun, nën drejtimin e kryetarit Ilker Yücel, u kishin vënë më parë thasë në kokë dy ushtarëve gjermanë. Nacionalistët aludojnë kështu në lidhje me një incident, që ka ndodhur pas pushtimit amerikan të Irakut në vitin 2003. Atëherë trupat amerikane në Irakun verior kapën disa ushtarë turq dhe u atyre vunë thasë në kokë si kriminelëve të zakonshëm. Nacionalistët turq nuk ua kanë falur amerikanëve këtë deri sot.

Forma e protestave ka bërë të qartë se Bundesveri në Turqi bie në vorbullën e një antiamerikanizmi agresiv, i cili sipas sondazheve dhe deklaratave të ekspertëve, është shumë i përhapur. Mendësia antiamerikane e ka kapluar të gjithë shoqërinë turke, thotë politologia nga Stambolli, Fusun Türkmen.

Situatë e vështirë për qeverinë turke

Kur German Marshall Fund hulumtoi përmes një sondazhi para disa muajsh popullaritetin e Shteteve të Bashkuara në Evropë dhe Rusi, në Turqi ai ishte në vendin e fundit: Vetëm 34 për qind e turqve kanë mendim pozitiv për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vetëm një ndër katër turq dëshirojnë që Uashingtoni të ketë rol udhëheqës ndërkombëtar. E njëjta gjë thuhet edhe në lidhje me NATO-n. Vetëm 38 për qind e turqve, sipas sondazhit, mendojnë se NATO është ende e nevojshme. Në BE dhe në SHBA aprovimi për NATO-n është më i lartë.

Për qeverinë e kryeministrit turk Rexhep Tayyip Erdogan deri tani ky nuk ka qenë problem. Erdogan merret vesh shkëlqyeshëm me presidentin amerikan Barak Obama, marrëdhëniet turko-amerikane janë aq të mira si kurrë më parë. Por nëse protestat kundër misionit të NATO-s, të kërkuara nga vetë Ankaraja, zgjerohen, Erdogan duhet të japë shpjegim për këtë para aleatëve të tij perëndimorë. Dhe pas incidentit në Iskanderun Ankarasë iu desh të dëgjojë kritika të ashpra dhe paralajmërime nga qeveria gjermane.

Protestat mund të vazhdojnë

Lëvizja turke e protestës është ende e vogël dhe e ka bazën kryesisht në skajet e spektrit politik. Megjithatë TGB në Iskanderun mbështetet nga një deputet i partisë CHP (Cumhuriyet Halk Partisi), partia kryesore opozitare në Turqi, e cila së bashku me PSD gjermane bën pjesë në Internacionalen Socialiste, një shoqatë botërore e partive politike dhe organizatave socialdemokrate dhe socialiste.

Në fushatën zgjedhore, që do të fillojë së shpejti në Turqi, (në vitin 2014 dhe 2015 janë zgjedhjet lokale, parlamentare dhe presidenciale), kundërshtarët e Erdoganit mund të përpiqen t'i shfrytëzojnë për vete ndjenjat antiperëndimore. TGB njoftoi gjithsesi për protesta të reja. Për shkak të protestave edhe qeveria turke dëshiron që t'i heqë sa më parë qafe përsëri Patriot-ët e NATO-s. Kur të kalojë rreziku, që vjen nga Siria, armët e NATO-s do të largohen nga Turqia "në të njëjtën ditë, madje në të njëjtën orë", tha ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu.

Autor: Thomas Seibert/ Angjelina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi