1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Të kthyerit nga IS: "E besueshme është vetëm shkëputja e ngadaltë"

Politologu Thomas Mücke flet në intervistë me DW për përpjekjen për risocializimin e islamistëve që kthehen në Gjermani nga lufta.

Një e katërta e të kthyerve nga zonat e luftimit të islamikëve bashkëpunon me autoritetet gjermane të sigurisë. Ky është vetëm njëri nga përfundimet e një studimi të klasifikuar në lidhje me shkaqet e radikalizimit. Në studim u analizuan 784 biografi të islamistëve nga moshat 13 në 62 vjeç. Politologu dhe pedagogu Thomas Mücke është drejtor ekzekutiv i Violence Prevention Network, midis të tjerash ai punon me islamistë që kthehen nga zonat e luftimeve.

DW: Një ndër katër islamistë, i cili është kthyer në Gjermani, bashkëpunon me autoritetet, vetëm një ndër dhjetë vetë kthehet i deziluzionuar dhe i zhgënjyer. Ky nuk duket si bilanc pozitiv.

Thomas Mücke: Këtë shifër e ke të vështirë ta inkuadrosh. Bashkëpunimi me organet e sigurisë mund të jetë edhe sjellje taktike, në ato raste kur ke kryer vepra penale. Nga kjo nuk mund të arrish në përfundimin, se a është shkëputur dikush nga një ideologji ekstremiste. Megjithatë, në krahasim me shtetet e tjera evropiane ne konstatojmë se mund të punojmë në Gjermani në mënyrë shumë intensive dhe sistematike me të ashtuquajturit të kthyer, në lande të caktuara kjo ecën veçanërisht mirë dhe këtë shans ne duhet ta shfrytëzojmë. Duhen bërë përpjekje që çdo person i kthyer të nxirret me punë pedagogjike nga kjo skenë, qoftë në kohën e lirë, qoftë në institucionet e zbatimit të dënimit. Ne duhet të flasim me ta. Për raste të veçanta kjo ka sukses, në plan më të gjerë këtë mund ta themi në dy ose tri vjet.

Për mendimin tuaj: pse shkojnë të rinj nga Gjermania në të ashtuquajturën luftë të shenjtë?

Shkaqet mund të jenë shumë të ndryshme, nuk ka një kurbë klasike të radikalizimit. Ndodh që këtyre të rinjve t'u drejtohen në skenën salafiste, ku janë plotësuar nevojat e tyre emocionale për siguri, mbështetje dhe për identitet. Në këtë skenë lind një presion moral: "Ti duhet të bësh diçka. Atje vrasin vëllezërit dhe motrat e tua."

Një shkak tjetër mund të jetë që ata persona janë ftohur kaq shumë me shoqërinë, sa besojnë se kanë nevojë për një fillim të ri. Dhe pastaj ekzistojnë natyrisht edhe njerëz, të cilët shkojnë në luftë të ngarkuar me shumë urrejtje, për të vënë në jetë atje fantazitë e tyre të dhunshme.

Nga studimi i HKE, BKA dhe BfV del në pah se islamistët në Gjermani radikalizohen para së gjithash në rrethin shoqëror dhe në xhami salafiste. Vetëm në radhë të tretë përmendet interneti, si faktor radikalizues. Çfarë do të thotë kjo për punën tuaj?

Interneti dhe mediet sociale luajnë një rol të madh në kuadër të skenës islamiste. Por të rinjve kryesisht u drejtohen moshatarët. Ekstremistët përpiqen që të shkaktojnë të çara midis të rinjve dhe ambientit social të të riut, në mënyrë që ta manipulojnë edhe më fort të riun. Pra për çradikalizim nevojitet gjithmonë kontakti nga njeriu në njeri. Kjo nuk ndodh rrallë edhe në arrest, të cilin ata që kthehen e kryejnë edhe për shkak të anëtarësimit në një organizatë terroriste.

Përvoja e deritanishme ka treguar se atje me ta mund të punosh për një periudhë më të gjatë kohe dhe t'i shkëputësh ata gradualisht nga ideologjia. Kjo nuk bëhet me sot me nesër. Ai që kthehet nga një zonë luftimesh dhe më thotë se është distancuar nga të gjitha, ai nuk është i besueshëm. I besueshëm është vetëm një proces i ngadalshëm i shkëputjes.