1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Të investohet më shumë për mbrojtjen e refugjatëve

Kush ngarkon firmat private, për t'u kujdesur për sigurinë e refugjatëve, duhet t'i kontrollojë ata sa duhet, mendon Sven Pëhle. Mbrojtja e refugjatëve duhet të ketë më shumë rëndësi në Gjermani.

Dy rojet ngërdheshen në kamera. Njëri prej tyre ka vënë këmbën e djathtë mbi qafën e një burri, që ndodhet i shtrirë në tokë me duar të lidhur me fytyrën poshtë. Është një foto e tmerrshme, që për nga simbolika e saj të kujton fotografitë nga kampet amerikane të të burgosurve në Guantanamo apo Abu Ghraib në Irak. Por fotografia nuk është bërë në Irak, por në Gjermani, në një qendër për azilantë në Burbach në landin Nordrhein-Westfalen.

Ajo është gjetur nga policia në telefonin celular të dy rojeve, pasi një video jo më pak shokuese u bë shkak për hapjen e hetimeve. Edhe në qendrat e tjera të refugjatëve në landin e Renanisë Veriore Vestfalisë (NRW) ka prova të lëndimeve trupore. Edhe atje po zhvillohen hetime.

Siguria e privatizuar

Shtëpitë e azilantëve në Gjermani janë për refugjatët shtëpia e parë, hapi i parë për të zënë vend në Gjermani. Shumë prej tyre kanë një histori të gjatë vuajtjeje pas vetes. Ata kanë ikur nga dhuna dhe shtypja. Që ata, që kërkojnë mbrojtje në këtë vend, bëhen pre e abuzimit, është një skandal.

Në thelb nuk ka gjë të keqe që firmat private të lehtësojnë punën administative të komunave dhe autoriteteve kompetente të landeve. Sidomos në një kohë, kur numri i refugjatëve të pranuar në Gjermani rritet në mënyrë konstante. Problemi i vërtetë është se për shumë komuna dhe lande në plan të parë nuk është niveli i punës, por shpenzimet.

Në rastin Burbach ky ka qenë një gabim me pasoja serioze. Aty operatori privat i strehimit, Homecare European (EHC), ka angazhuar një nënsipërmarrje, shërbimin privat të sigurimit SKI, të cilit i përkasin rojet, që kanë kryer abuzimin. Hetimet kanë treguar se rojet ishin të njohura për policinë. Kundër tyre janë kryer edhe më parë hetime për lëndime trupore, posedim droge dhe armësh, si dhe mashtrime. Ata nuk duheshin lejuar kurrë që të punonin në një kamp refugjatësh.

Që firmat private të sigurisë kanë prioritare fitimin, nuk është nga ana tjetër diçka e re. Paga të ulëta dhe kushte të këqija pune nuk janë të rralla në këtë degë. Kush dëshiron të sigurojë trajtimin me respekt të refugjatëve duhet të kërkojë personel me përgatitje të mirë dhe interkulturore dhe jo me të kaluar kriminale.

Prandaj ekipi dhe puna e tyre nuk duhet të kontrollohet vetëm nga firma private, por edhe nga instanca që ka ngarkuar firmën. Punësimi i ofruesve privatë në këtë sektor nuk duhet të çojë në tërheqjen e shtetit nga përgjegjësia e tij për të siguruar mbrojtjen e sigurisë të atyre, që kanë nevojë për të.

Tani e tutje gjithçka më mirë?

European Homecare dhe autoriteti përkatës mbikqyrës Arnsberg po përpiqen ta reduktojnë dëmin. Bashkëpunimi me shërbimin e sigurisë u ndërpre. Janë caktuar standarde të reja për të shmangur incidente të tilla në të ardhmen, njoftoi European Homecare. Në të ardhmen vetëm personel i sprovuar mund të shërbejë për mbrojtjen e refugjatëve. Kjo është minimalja dhe një gjë e natyrshme, për fat të keq shumë shpesh kuptohet, kur e keqja ka ndodhur.

Njerëzit, që kërkojnë strehim në Gjermani duhet të jenë të sigurtë, se ata këtu edhe mbrohen. Fonde të pakta apo jo në komuna, faktori kosto nuk duhet të jetë vendimtari. Pikërisht për një vend me mirëqënie si Gjermania të gjitha këto janë të papranueshme.