1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Të hollat e BE-së për romët duhet të shfrytëzohen më mirë

Këshilli i Evropës i ka vënë vetes një objektiv ambicioz: brenda pesë viteve të përmirësojë dukshëm gjendjen e romëve. Por fondet e BE-së për integrimin përdoren me shumë vështirësi në vendet si Rumania dhe Bullgaria

Foto ilustruese - romët dhe Bashkimi Evropian

Foto ilustruese - romët dhe Bashkimi Evropian

Fondet e ndara për romët arrijnë shumë pak tek romët në Bullgari dhe Rumani

Në foto, Laszlo Andor

Në foto, Laszlo Andor

Në një konferencë për romët të mbajtur në fillim të tetorit në Bukuresht komisioneri i BE-së për Punë dhe Çështje Sociale, Laszlo Andor u ankua se disa vende të BE-së nuk janë duke aplikuar për fitimin e donacioneve për projektet e romëve. Vetëm një përqind e të hollave nga Fondi për çështje sociale përfundon në të vërtetë tek romët, në Bullgari janë pesë përqind. Këto shifra përmenden nga bashkëpuntorët e zyrës së komisionerit Andor.

Megjithatë për këtë ka disa shkaqe, mendon Krasimir Kunev, kryetar i Komitetit bullgar të Helsinkit.

"Një pjesë e fajit ka të bëj me kapacitetin e ulët të autoriteteve bullgare për të punuar me këto të holla. Kjo nuk ka të bëj vetëm me të hollat për integrimin e romëve por me të gjitha të hollat të cilat lëvrohen në vend. Njëkohësisht integrimi i romëve nuk përbën prioritet serioz për qeverinë bullgare. Të gjitha qeveritë kanë prezantuar programe me të cilat shtiren kinse me të vërtetë ekziston një politikë e integrimit. Por kur bëhet fjalë që të hollat konkretisht të shfrytëzohen për zbatimin e projekteve të veçanta atëherë me procedurat e zakonshme nuk mund të shkohet përpara. Fajtor është mungesa e interesit."

Shumë pak bashki në Rumani dhe Bullgari aplikojnë në BE për marrjen e donacioneve

Pamje simbolike - monedha euro

Pamje simbolike - monedha euro

Projektet e romëve mund të financohen nga tri fonde të BE-së: përkrah fondit për çështje sociale mund të përfitohet edhe nga fondi për zhvillim rajonal dhe fondi për bujqësinë. Vetëm në fondin për çështje sociale Bashkimi Evropian për periudhën 2007-2013 ka vënë në dispozicion 13 miliardë euro, posaçërisht për projekte të shkollimit dhe strehimit të romëve.

Por vetëm disa bashki në Rumani dhe Bullgari aplikojnë për marrjen e këtyre mjeteve. Fajtore janë po ashtu edhe paragjykimet e popullatës kundër romëve, sqaron i ngarkuari i qeverisë rumune për pakicat, Peter Eckstein-Kovacs. Sipas tij vetëm pak kryebashkiakë rumunë do të dorëzonin vullnetarisht kërkesat në Bruksel për të ndihmuar një pakicë jo të pëlqyer nga popullata.

Valentin Mocanu, sekretar shtetëror për problemet e romëve në ministrinë rumune të Punës, e sheh këtë ndryshe. Ai është i mendimit se paragjykimet nuk luajnë asnjë rol në ndarjen e të hollave të BE-së.

Autoritetet lokale nuk kanë kapacitete për të zhvilluar projektet për romët

Pamje simbolike - Harta e Bullgarisë

Pamje simbolike - Harta e Bullgarisë

"Unë më parë do të theksoja anën objektive të kësaj mungese të angazhimit, domethënë kapacitetin e ulët të autoriteteve lokale për të zhvilluar projekte për romët. Ka raste kur bashkitë kanë më pak se dhjetë të punësuar dhe ata kanë edhe detyra të tjera përveç përkudesjes ndaj romëve. Nga ky shkak ne kemi vendosur që autoritetet lokale të mbështeten me grupe të ekspertëve për projektet e romëve."

Çelësi i bashkëjetesës është arsimi, thekson Valentin Mocanu. Dhe me këtë ai nuk mendon vetëm për shkollimin e fëmijëve romë: lufta kundër qëndrimeve ksenofobe duhet të përfshihet në arsimimin e popullatës së përgjithshme.

Deri atëherë Brukseli do të përkujdeset që mjetet në dispozicion për romët të shfrytëzohen më mirë. Një grup i ekspertëve të BE-së pritet që për këtë qëllim të dal me propozimet e veta deri në fund të këtij viti.

Autor: Alexandra Scherle / Esat Ahmeti
Redaktoi: Aida Cama

DW.COM

  • Data 21.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PjYX
  • Data 21.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PjYX