1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Të gjithë janë për kompromis, por mungon guximi për pranimin e tij

Pas një periudhe disamujore midis Maqedonisë dhe Greqisë do të rifillojnë negociatat për zgjidhjen e çështjes së emrit.

Flamuj shqiptare dhe maqedonas ne Aracine

Autoritetet maqedonase presin në lidhje me kompromisin për emrin trysni serioze si nga vendet e BE-së dhe Uashingtoni.

Ndërmjetësuesi i OKB-së mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit, Metju Nimic, ka ftuar për një takim të përbashkët më 21 qershor në Gjenevë të Zvicrës negociatorët Zoran Jolevskin dhe Ademantios Vasilakis. Qëllimi i takimit është rifillimi i bisedimeve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për emrin midis dy fqinjëve.

Para fillimit të bisedimeve në Gjenevë në parlamentin e Maqedonisë do të jetë në rend të ditës rezoluta e deputetit liberal, Stojan Andov, për strategjinë e zhvillimit të negociatave me Greqinë. Kjo rezolutë pritet të jetë edhe pjesë e një dokumenti strategjik, i cili do të jetë udhërrëfyes për negociatorët e Maqedonisë për çështjen e emrit.

Bazamenti kryesor i rezolutës do të jetë domosdoshmëria se në bisedimet me palën greke duhet të diskutohet për gjetjen e një zgjidhje për një emër, i cili do të zëvendësonte referencën e përkohshme IRJM (FYROM), duke mos ndërhyrë në ndryshimin e kushtetutës. Me këtë rezolutë Andov fton të gjitha subjektet politike të jenë në unitet lidhur me zgjidhjen e çështjes së emrit.
"Në këtë dokument thuhet se Maqedonia ka vendosur të bisedojë dhe në kohë sa më të shpejtë të gjejë zgjidhje së bashku me Greqinë në kuadër të Kombeve të Bashkuara për çështjen e emrit gjë që do të çojë në zhbllokimin e status quosë dhe do të hapë të gjitha mundësitë për eurointegrimin, zhvillimin dhe stabilitetin e vendit" - thotë Stojan Andov, deputet i PL-së.

Kompromis po, por jo me çdo kusht

Qëndrimi i Maqedonisë rreth zgjidhjes së çështjes së emrit është i qartë dhe ai nuk ka ndryshuar. Zgjidhja është kompromis i arsyeshëm që nuk do të prekë identitetin dhe krenarinë e popullit maqedonas, kështu vlerëson presidenti Gjorge Ivanov. Sipas tij, çdo lloj kompromisi tjetër do të ishte i imponuar dhe nënçmues për Maqedoninë.
"Jemi në pritje që të na vizitojë zoti Nimic, ndërkohë unë do të kem takime me negociatorin dhe me të gjithë, kështu që me kohë do të jeni të informuar për tërë procesin. Tani për tani le të mbetet me kaq, pasi që e dini se secila palë në bisedime ka strategjinë e saj dhe askush nuk i zbulon planet apo strategjitë, sepse në të kundërtën do ta dëmtonim pozicionin tonë në bisedime," - deklaroi presidenti Gjorge Ivanov. Qytetarët do të vendosin për emrin përmes referendumit

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, deklaroi sërish se nëse arrihet kompromis për një propozim të ri për emrin, ai do të kalojë në referendum, ku populli do të thotë fjalën e fundit .

"Ne jemi në bisedime për zgjidhjen e këtij problemi, por megjithatë siç kemi thënë, fjalën e fundit për atë që quhet ardhmëria e shtetit dhe ajo që quhet sjellja e vendimeve kruciale për Republikën e Maqedonisë do ta kenë qytetarët," - vlerëson kryeministri Gruevski.

Lidhur me referendumin ka reaguar PDSH-ja e Menduh Thaçit, ndërsa nga BDI kanë theksuar se ende nuk kanë një qëndrim për këtë çështje. Lideri i PDSH-së është shprehur kundër referendumit me arsyetimin se shqiptarët nuk do të votojnë për identitetin maqedonas që do të identifikohet me identitetin shtetëror të këtij shteti. Thaçi deklaroi se shqiptarët nuk do të votojnë për robërinë e tyre të re.

Më 1 korrik kryesimin e Bashkimit Evropian e merr Suedia, e cila tashmë qartazi theksoi se do të angazhohet për zgjidhjen e kontestit për emrin, që Maqedonia të mund të fillojë nga fundi i vitit negociata për anëtarësim. Autoritetet në Maqedoni presin trysni serioze nga vendet anëtare të BE-së dhe Uashingtoni për arritjen e kompromisit për emrin.


Autor: Fatos Musliu
Redaktoi: Pandeli Pani







  • Data 15.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IAEH
  • Data 15.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IAEH