1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Të gjithë e duan Gjermaninë

Gjermania gëzon në të gjithë botën prestigjin më të lartë. Para së gjithash Franca dhe Anglia e vlerësojnë RFGJ - e këtë gjermanët vetëkritikë e kanë të vështirë ta kuptojnë.

Lista e paragjykimeve kundër gjermanëve është e gjatë. Krahas klisheve pa zarar, që prej shpërthimit të krizës së euros Gjermanisë i duhet të luftojë edhe kundër paragjykimeve të vjetra politike: gazetat e huaja e paraqesin kancelaren Merkel me mustaqe Hitleri ose me helmetë me majë prusiane, për të shprehur pakënaqësinë ndaj politikës së kursimit të kancelares.

Kjo në një kohë kur imazhi i Republikës Federale Gjermane është shumë më i mirë se mendohej, siç tregon një studim i transmetuesit britanik BBC. Rreth 26.000 vetë në 25 vende në të gjithë botën u pyetën për mendimin e tyre për 16 vende dhe për BE. Rezultati: 59 përqind e të pyeturve e vlerësuan ndikimin e Gjermanisë si „kryesisht pozitiv“. Kështu, në bazë të këtij studimi, Gjermania zë vendin e parë, e ndjekur nga Kanadaja dhe Britania e Madhe. Vendet e fundit në studim i zënë Irani dhe Pakistani.

Stabiliteti në eurokrizë

Fansa të Kombëtares Gjermane, 2006

Fansa të Kombëtares Gjermane, 2006

Po pse janë kaq të mira rezultatet për Gjermaninë? Për shkaqet vetëm mund të spekullohet, thotë Sam Mountford, drejtor i GlobeScan, në bisedë me Deutsche Wellen. Instituti i studimit të opinionit e kreu studimin i ngarkuar nga BBC.

"Ajo që mund të themi, është se vendet, të cilat kanë arritur rezultate të mira në studim janë të pasura, stabile dhe demokratike.“ Nga anketimet e kaluara njihet se është para së gjithash ekonomia e fortë e Gjermanisë që i siguron Gjermanisë nota të mira. Veçanërisht e preferuar është Gjermania në Evropë. Kështu, 81 përqind e francezëve dhe 78 përqind e britanikëve kanë mendim të mirë për Gjermaninë. Vetëm Greqia e tronditur nga kriza bën vlerësim negativ. Edhe në Indi e në Pakistan, preferenca për Gjermaninë është mesatare.

Para së gjithash të tërheqin vëmendjen notat e mira nga Anglia, sepse edhe dekada pas Luftës së Dytë Botërore Gjermania shihej si me dyshim në Mbretërinë e Bashkuar.

Por ndryshimi i qendrimit mund të vihet re edhe pavarësisht nga anketimi i BBC-së. Kështu, gazeta bulevardeske „Sun“ përmendte në fillim të vitit dhjetë shkaqe, se pse duhet të duhet Gjermania: krahas topmodeleve Claudia Schiffer dhe Heidi Klum, gazeta vlerësonte edhe markat gjermane të automobilave, Audi, VW dhe Mercedes, festën e birrës në tetor dhe Boris Beckerin, që ka fituar disa herë turneun e tenisit në Wimbledon. Për Mountford përmirësimi i imazhit është para së gjithash i natyrës ekonomike: “Britanikët shohin stabilitetin, që Gjermania mund t'i ofrojë Eurozonës. Dhe ai është edhe në interesin e Britanisë së Madhe.“

Ndryshimi i imazhit nga aktivitetet e mëdha

Aktivitetet e mëdha, si Expo 2000 në Hanover, Kampionati Botëror i Futbollit i meshkujve, më 2006, si dhe Kampionati Botëror i Futbollit i femrave, më 2011 i dhanë mundësi Gjermanisë që ta paraqesë veten për një kohë të gjatë pozitivisht. Këtu luajnë rol pra edhe faktorë emocionalë.

Para së gjithash Berlini me klubet e pafundme dhe me pijetoret ka statusin e një kulti te amerikanët e rinj, tek evropianët dhe tek izraelitët. Të tjerë vlerësojnë anën e rehatshme të Gjermanisë. Jo vetëm tregjet e mëdha të Krishtlindjeve në Dresden dhe në Nyrnberg janë të preferuara të turistët, edhe tregjet e qyteteve më të vogla si Esslingen apo Goslar po kthehen gjithnjë e më shumë në pika tërheqjeje për turistët.

Edhe fakti që gjermanët, përndryshe shumë kritikë për veten, kanë filluar ta pëlqejnë veten, luan një rol. Sepse ai që e pëlqen veten, u kujton edhe të tjerëve që është për t'u pëlqyer.