1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Të Gjelbërit festojnë fitoren historike

Në landin e Baden-Vyrtemberg kanë arritur të marrin mazhorancën të Gjelbërit dhe Partia Socialdemokrate. Në landin e Pfalcit socialdemokratët humbën shumicën absolute. Fitues historik në këto zgjedhje janë të Gjelbërit.

default

Winfried Kretschmann, kandidati i Të Gjelbërve në landin Baden Vyrtemberg

Landi i Baden-Vyrtembergut ndodhet para një ndryshimi historik të pushtetit. Pas 58 vjetësh mbajtje pushteti nga kristiandemokratët (CDU), në parlametin e Shtutgartit kanë arritur më në fund të marrin maxhorancën të Gjelbërit dhe Partia Socialdemokrate.

Ndërsa në landin e Rainland-Pfalcit, socialdemokratët e Kurt Beckut vërtet humbën shumicën absolute, por munden të udhëheqin në një koalicion me të Gjelbërit. Kryetari i Partisë Socialdemokrate, dhe kryeministër në landin e Rainland-Paflacit, Kurt Beck u shpreh: "Sigurisht që kisha dëshiruar një rezultat më të mirë, kjo nuk diskutohet, por këto zgjedhje u zhvilluan në kushte shumë të veçanta dhe këtë duhet ta respektojmë dhe pranojmë. Nga ana tjetër është diçka e veçantë të kesh mandatin për të qeverisur për të pestën herë në këtë land."

Landtagswahlen SPD Kurt Beck am 27.03.11

Kryeministri i landit të Rainland-Pfalcit, Kurt Beck (SPD)

Fitues historik në këto zgjedhje janë të Gjelbërit

Në Baden-Vyrtemberg ata arritën 24,2% të votave, duke i kaluar me një pikë socialdemokratët, që fituan 23,1%. Sipas këtyre rezultateve, Winfried Kretschmann, sipas gjasave mund të jetë kryeministër për herë të parë në një land gjerman. CDU e Baden-Vyrtembergut ra në rezultatin 39,0%. Kryeministri i deritanishëm, Stefan Mappus mori përsipër përgjegjësinë, dhe bëri të ditur ndryshime personeli dhe orientimin e ri të partisë.

E Majta përkundrazi dështoi të kapte kufirin e 5%, duke mbetur jashtë parlamentit. Humbës në këto zgjedhje mund të cilësohen liberalët (FDP), aktualisht në qeverisjen qendrore me kristiandemokratët (CDU). Ata nuk arritën të futen në parlamentin e landit të Pfalcit, ndërsa në Baden-Vyrtemberg, megjithëse me një rezultat të dobët, 5,3%, arritën të futën në parlament. Ministri i Jashtëm gjerman,dhe kryetar i liberalëve, Guido Westerwelle: "Sigurisht ishte një votim për të ardhmen e teknologjisë atomike. E kuptuam. Dhe për këtë arsye rezultati do të diskutohet jo vetëm në degët e landeve, por edhe këtu në Berlin me shumë vëmendje."

Landtagswahlen Stefan Mappus CDUam 27.03.11

Kryeministri i landit Baden Vyrtemberg, Stefan Mappus (CDU)

Partitë diskutojnë rezultatet

Pas zgjedhjeve në dy landet gjermane, me rezultate historike për të Gjelbrit, humbje të rënda për liberalët, dhe goditje për kristiandemokratët (CDU) që udhëheqin koalicionin qeveritar, dhe socialdemokratët në opozitë, partitë kanë filluar të hënën me diskutimet e rezultateve dhe mësimet që duhen nxjerrë nga ato. Debati më i madh duket se ka përfshirë partitë liberaldemokrate FDP. Sekretari i Përgjithshëm i liberalëve, Christian Lindner tha se liberalët nuk mund thjesht të kalojnë në axhendën e përditshme pas këtyre zgjedhjeve. Sipas raportimeve në media është rritur presioni ndaj ministrit të Ekonomisë, Rainer Brüderle për të dhënë dorëheqjen nga posti i ministrit dhe zëvendëskryetar partie. Ai akuzohet se ka dobësuar shanset e partisë në zgjedhje pas deklaratave të diskutueshme për kthesën e qeverisë gjermane në politikën e energjisë atomike.

05_03_2011 DW-TV Interview Hermann Groehe

Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Hermann Gröhe

Ndërsa kryetari i fraksionit socialdemokrat, Frank-Walter Steinmeier, i kërkoi kancelares Merkel zgjedhje të përgjithshme në nivel federate. Vetë Merkel i ka cilësuar zgjedhjet në landin e Baden Vyrtembergut si vendimtare, tha Steinmeier.

Ndërsa kristiandemokratët megjithë rënien në rezultate qëndrojnë të bashkuar. Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së Hermann Gröhe e mbështeti Merkelin, duke siguruar se e gjithë CDU-ja qëndron e bashkuar pas kancelares. Kryeministri i landit Hesen, Volker Bouffier tha se: "Angela Merkel e ka udhëhequr dhe do të vazhdojë ta udhëheqë këtë parti."

Autor: DW/ Lindita Arapi

Redaktoi: Aida Cama

DW.COM

  • Data 28.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10irE
  • Data 28.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10irE