1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Të Gjelbërit ballkanas: Të mbyllen centralet bërthamore

Në sfondin e tragjedisë së Fukushimës, të Gjelbërit ballkanas formuan Aleancën Antinukleare Ballkanike dhe në një front të përbashkët u kërkojnë qeverive të vendeve të tyre të heqin dorë nga energjia bërthamore

Demonstrata kundër centraleve bërthamorë

Demonstrata kundër centraleve bërthamorë

Fukushima e tragjedisë bërthamore mund të jetë larg për Ballkanin, por jo edhe makthi i saj. Në rajon dhe konkretisht në Kozllodui të Bullgarisë, në Cernavoda të Rumanisë dhe në Krsko të Sllovenisë funksionojnë aktualisht tre centrale bërthamore dhe planifikohet ngritja e 5 impianteve të tjera, 3 në Turqi dhe nga 1 në Bullgari, FYROM dhe Shqipëri. Në këto kushte dhe kur siguria nukleare po bëhet shqetësim global, të blertët e rajonit nuk ngrejnë thjesht zërin e tyre për rreziqet e energjisë bërthamore, por po krijojnë edhe një front unik antinuklear.

At th press conference of Balkan Greens in Thessaloniki, Greece on 11 April 2011. From the left the Bulgarian Borislav Sandov, third Michael Tremopoulos and last Turkish Alidost Numan. Copyright: Julie Papadopoulou (Pressebüro MEP Michael Tremopoulos) Bild geliefert von Nikos Anagnostis

Michael Tremopoulos, eurodeputet grek i të Gjelbërve

Eshtë koha për një bashkëpunim efikas

«Në Ballkan kemi përvojën e Çernobilit para 25 vjetësh. Pati atëherë disa lëvizje, bashkëpunime për të penguar instalimin e impianteve bërthamore. Në disa raste me sukses, por tani, pas aksidentit në Fukushima, mendojmë se ka ardhur momenti i një bashkëpunimi efikas”, i thotë DW eurodeputeti grek i të blertëve Mihalis Tremopullos, i cili ditët e fundit udhëton nga Athina në Sofie, në Shkup dhe më 26 prill do të jetë në Ankara në një aktivitet të përbashkët antinuklear të të blertëve ballkanas me rastin e përvjetorit të aksidentit bërthamor të Çernobilit.

“Erdhi koha për të vepruar” është motoja e të Gjelbërve, të cilët, dy javë pas Fukushimës, konkretisht më 26 mars, në Sofie të Bullgarisë krijuan Aleancën Antinukleare Ballkanike dhe me Deklaratën e përbashkët (të të blertëve nga Bullgaria, Rumania, Turqia, Greqia, FYROM dhe Serbia) përcaktuan platformën e kursit dhe të aktivitetit të tyre të përbashkët.

Asnjë central atomik në gjithë botën

Japan Atomkraftwerk in Fukushima Luftaufnahme

Central atomik në Fukushima të Japonisë

Të mos ndërtohet asnjë central bërthamor, jo vetëm në Ballkan, por asgjëkundi në botë, të kalojmë tek burimet e rigjeneruara të energjisë si zgjidhje alternative dhe njëkohësisht të kontrollohen dhe të mbyllen centralet bërthamore që janë në zonat sizmike apo që projektimi i tyre ishte bërë para vitit 1980”, thotë eurodeputeti grek, i cili në emër të krijmit të një fronti të gjerë antinuklear në Ballkan dha më 11 prill në Selanik një konferencë të përbashkët për shtyp me përfaqësuesin e partisë së blertë bullgare (Zelenite) Borislav Sandov dhe asaj turke(Yesiller) Alidost Numan.

Me qëndrimin e tyre unik antinuklear, (të mbyllen centralet e vjetra, të mos ngrihet asnjë i ri), të blertët dëshmojnë aftësinë e tyre për t'u ngritur mbi antagonizmat apo xhelozitë ndërshtetërore për avantazh energjetik, me të cilat edhe janë veshur planet bërthamore. Përfaqësuesi turk Alidost Numan u shpreh për shfuqizimin e “qëllimit të qeverisë turke për ndërtimin e 3 centraleve bërthamore deri në vitin 2023, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Republikës Turke”.

Ashtu si ai, edhe bullgari Borislav Sandov për “planin qeveritar qysh në vitin 1980 dhe të riaktivizuar më 2003 për centralin e ri në Belene, në një zonë të rrezikshme sizmike që në vitin 1977 dha një tërmet 7.4 ballësh me 120 viktima”.

Planet e parashikuara për centralë të rinj bëthamorë të bllokohen


Në të njejtën frekuencë, eurodeputeti grek denoncon flirtin e qeverive greke me energjinë bërthamore, duke bërë fjalë bile për tratativa sekrete në vitin 2008 midis kryeministrit të atëhershëm Karamanlis dhe homologut të tij maqedonas Gruevski për dy centrale bërthamore në Marinovo, 12 km larg kufirit grek.

Kjo informatë duhet të konfirmohet nga qeveria greke duke hapur arshivat e asaj kohe”, thotë Tremopullos duke folur për klimë të favorshme të atëhershme me vizitat e Karamanlisit në Belene të Rumanisë dhe në Indi, por edhe prononcimin e vetë Akademisë së Athinës “që të përftojë edhe Greqia central atomik”.

Synimi i të blertëve sipas eurodeputetit grek është që të ngrijnë planet e Turqisë, Bullgarisë dhe Rumanisë, ashtu siç “nuk duhet të avancojnë edhe ato të FYROM dhe Shqipërisë”. Por si u përgjigjen ekologjistët e blertë zërave që i akuzojnë për mungesë realizmi dhe kërkesa maksimale, në një kohë që BE kërkon standarde sigurie të lartë dhe nuk përjashton energjinë bërthamore?

Kalim gradual në burimet e rigjeneruara të energjisë

Ne gjithnjë themi: “Energji bërtamore? Jo, falemnderit. Siç bënë edhe të blertët në Gjermani, në qeverinë me socialdemokratët, që përpiluan një plan 20-vjeçar për pavarësimin gradual dhe kalimin në burimet e rigjeneruara të energjisë, ne nuk themi t'i mbyllin sot. Pavarësim gradual, asnjë projekt i ri bërthamor dhe kalim tek burimet rigjenereneruese të energjisë. Njëkohësisht të mbyllen impiantet e para vitit 1980. Janë propozime realiste dhe të zbatueshme”, vë në pah Tremopullos.

Nuk ka dyshim se ekologjistët ballkanas me “internacionalen” e tyre antinukleare ballkanike e kanë vendosur stekën shumë lart. Aq më tepër kur asnjë nga qeveritë nuk dha as shenjën më të vogël se do të tërhiqet nga planet e saj për energjinë bërthamore. Nuk u mbetet veçse të përshkallëzojnë përpjekjen e tyre.

Ky është prologu i zhvillimit të lëvizjes antinukleare. Besojmë se lëvizjet duhet të zhvillohen brenda shoqërive ku bëhen këto plane. Nuk mund të bëhet me mësime nga jashtë”, thekson eurodeputeti grek, i cili siç thotë po përcjell shqetësimin e të blertëve ballkanas edhe në Parlamentin Evropian.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi