1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Të flitet më hapur për vetëvrasjet

Çdo 53 minuta një njeri i jep fund jetës në Gjermani. Për ata që mbeten pas shembet bota, shumë të tjerë heshtin. Ekspertët kërkojnë të flitet më hapur por dhe paralajmërojnë.

Kur bëri vetëvrasje portieri i kombëtares gjermane të futbollit Robert Enke në 2009-n dhe mbi të u raportua intensivisht, ky akt i shtynte shumë njerëz që të kryenin edhe ata vetëvrasje. „Kur nuk ia doli as ai, si t'ia bëj unë atëherë?“, kështu reagojnë shpesh pacientët ndaj shembujve të personazheve të njohura që i japin fund jetës, thotë Georg Fiedler i qendrës terapeutike për njerëzit e rrezikuar nga vartësia, në klinikën universitare Hamburg-Eppendorf. Fiedler është sekretar i programit kombëtar për parandalimin e vetëvrasjeve, në të cilin janë bashkuar 200 shkencëtarë dhe ekspertë. Ai ka konstatuar se pas vdekjes së Enkes „dëshmohet të ketë pasur një dendësim të konsiderueshëm të vetëvrasjeve tek të rinjtë meshkuj të asaj grupmoshe; edhe sipas të njëjtës metodë.“

Shembuj të trishtueshëm

Një katastrofë për të afërmit e viktimës. Djali im shkroi një pusullë: 'Po e bëj si Roberti' dhe edhe ai i doli përpara trenit“, thirrje telefonike si kjo ka pasur Elisabeth Brockmann e organizatës kombëtare ndihmë për vetveten për të afërmit e viktimave të vetëvrasjes AGUS. Çdo vetëvrasje është për të afërmit „një katastrofë, kur një i afërm vret veten, ky është incidenti më i rëndë i përfytyrueshëm për çdo njeri“, rrëfen Brockmann në intervistë me Deutsche Welle-n. Njerëzit pranë viktimës reagojnë shpesh me heshtje duke mos ditur ç'të bëjnë tjetër. Shokët, fqinjët dhe kolegët tërhiqen pikërisht atëherë kur nevoja është në maksimum, me gjasa ngaqë vetëvrasja ka qenë për shekuj me radhë tabu dhe është dënuar si mëkat. Në ditën e parandalimit të vetëvrasjes (10.09.2012) ekspertët dhe ndihmuesit bëjnë thirrje për të folur më shumë për vetëvrasjet dhe për t'i ndihmuar më mirë të prekurit, por duke mbajtur parasysh se ç'mesazhe përcjellim.

Para humnerës - depresioni dhe vetmia shpesh çojnë në aktin ekstrem

Para humnerës - depresioni dhe vetmia shpesh çojnë në aktin ekstrem


Ndihmë për të rrezikuarit

Suicidi apo vetëvrasja – çështja nis qysh te koncepti abstrakt. Ky akt dëshpërimi as nuk duhet dënuar si krim, as nuk duhet glorifikuar si arritje heroike. Kjo është e rëndësishme për parandalimin, thekson në intervistë me Deutsche Welle-n psikologu Fiedler. Te rreziku prej vetëvrasjes nuk bëhet fjalë patjetër për atë „që njeriu do të vdesë, po që ai nuk di se si të vazhdojë të jetojë“. Prandaj shumica e njerëzve të rrezikuar nga suicidi kërkojnë ndihmë, thotë Fiedler. Mirëpo, ka pak qendra pritjeje jashtë klinikave psiqiatrike, të cilave mund t'u drejtohen pa ndrydhje të prekurit, vijon ai. 10.021 vetë kanë vrarë veten në vitin 2010 sipas shifrave zyrtare, afërsisht një numër dhjetë herë më i madh ka ndërmarrë pëpjekjen për vetëvrasje, thotë psikologu. Nga suicidi humbasin jetën më shumë njerëz „sesa nga aksidentet e trafikut, nga vrasjet e shkallë së parë dhe të dytë, nga drogat e paligjshme dhe nga SIDA të marra bashkë“, thotë Fiedler. Nga çdo suicid humbasin gjashtë deri tetë vetë një të afërm.

Përse?

Si në shumicën e shteteve të tjera, në Gjermani ka shumë më tepër burra sesa gra, që vrasin veten. Rreziku vjen duke u rritur me rritjen e moshës: 56 vjeç ishte në 2010-n mosha mesatare e njerëzve, që vranë veten. Te të rinjtë suicidi numërohet ndër arsyet kryesore të vdekjes. Por cili është shkaku? Shpesh kjo pyetje i mundon shpirtërisht të afërmit për vite me radhë, siç tregon Elisabeth Brockmann: "Ç'të ketë ngjarë me tim shoq a me fëmijën tim ... Ku më ka shpëtuar gjë pa vënë re, a kam faj?" Por kësaj pyetje është e vështirë t'i japësh përgjigje, madje edhe për shkencën.