1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Të drejtat e fëmijëve: 25 vjet Konventë e OKB-së

A është bota sot një vend më i mirë për fëmijët se ç'ishte 25 vjet më parë? Më 20 nëntor 1989 u miratua Konventa e OKB-së për të drejtat e fëmijëve - një bilanc.

2014 është një vit i veçantë për të drejtat e fëmijëve. Saktësisht një çerek shekulli pas miratimit të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve në nëntor 1989, për herë të parë dy aktivistë të të drejtave të fëmijëve nderohen me Çmimin Nobel të Paqes: 17 vjeçarja Malala Yousafzai nga Pakistani, e cila angazhohet për të drejtën e femrave për arsimim dhe 60 vjeçari Kailash Satyarthi nga India, i cili gjithë jetën e tij luftoi kundër punës së fëmijëve.

"Kjo është shprehje e një vështrimi të ri për fëmijët, një largim nga pikëpamja e vjetër që i shihte fëmijët vetëm si objekte që duhet t'i ndihmoje", thotë në Gjenevë Nigel Cantwell, jurist për të drejtat e fëmijëve, i cili si koordinator i NGO-ve dha kontribut të madh në vitet '80 për lindjen e Konventës së Fëmijëve.

"Vërtet që nuk ka një kufi moshor për poshtë për vlefshmërinë e konventave të tjera, por për fëmijët në to nuk ka menduar askush. Ky është një pasqyrim i saktë i perceptimit të atëhershëm të fëmijëve. Përsa u përket të drejtave të tyre, ato thuajse nuk ekzistonin."

Në 54 nene Konventa i detyron shtetet që e kanë nënshkruar që t'i mbrojnë fëmijët nga diskriminimi, shfrytëzimi, shpërdorimi dhe dhuna. Konventa thotë shprehimisht që të gjithë fëmijët e botës, krahas së drejtës për një fillim të shëndetshëm në jetë, kanë edhe të drejtën që të shkojnë në shkollë dhe ta shfrytëzojnë potencialin e tyre mendor dhe fizik.

A është bota sot një vend më i mirë për fëmijët?

Shanse më të mira për mbijetesë të fëmijëve

Shanse më të mira për mbijetesë të fëmijëve

25 vjet pas miratimit të Konventës, Organizata e Ndihmës për Fëmijët, UNICEF shtron pyetjen për përparimet e shënuara. A është sot bota një vend më i mirë për fëmijët, se sa ishte në vitin 1989? Përgjigjia e ekspertëve është një "po" e qartë, e shoqëruar me një "por". "Ka sektorë ku kemi arritur përparime të qarta", thotë Nicolette Moodie nga zyra e UNICEF-it në Gjenevë. "Në sektorët e shëndetit dhe të edukimit, përparimet janë të mëdha, edhe nëse në arsim prej disa vitesh nuk ka më hapa përpara". Një bebe, që lind në vitin 2014, sipas UNICEF-it ka shanse shumë më të mëdha që ta arrijë datëlindjen e tij të pestë se sa qe e mundur 25 vjet më parë. Në sajë të vaksinimit dhe të trajtimit më të mirë mjekësor vdekshmëria tek fëmijët është ulur thuajse në gjysmën që në vitin 1990. Po kjo do të thotë edhe se çdo ditë vazhdojnë të vdesin 17 mijë fëmijë, shumica e tyre nga sëmundje të shmangshme.

Ajo që i vret me të vërtetë fëmijët është varfëria dhe ushqimi jo i mirë, thuhet në Organizatën e Ndihmës për Fëmijët, UNICEF. Prandaj UNICEF-i e ka shpallur luftimin e varfërisë një nga detyrat e veta parësore.

"Por në sektorët dhunë kundër fëmijëve, punë e fëmijëve dhe martesa të fëmijëve shihen përparime vetëm të ngadalta. Kundër punës së fëmijëve nuk mund të përdorësh vaksina. Këtu masat janë më të vështira për t'i zbatuar, thotë Nicolette Moodie nga zyra e UNICEF-it në Gjenevë.

Konventa për të Drejtat e Fëmijëve është ndër më të suksesshmet, 194 shtete e kanë ratifikuar ndër kohë, vetëm SHBA, Somalia dhe Sudani i Jugut qendrojnë mënjanë.