1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Të burgosurit politikë dhe puna e detyruar në RDGJ

Të burgosurit politikë sikurse edhe të burgosurit ordinerë në RDGJ i detyronin të bënin punë të detyrueshme.

Në RDGJ (Republika Demokratike e Gjermanisë) ka pasur nga viti 1949 deri 1989 250.000-300.000 qytetarë që ishin burgosur për shkak të pikëpamjeve të tyre politike. Në dekadën e parë pas themelimit të RDGJ, ky numër ka qenë veçanërisht i madh. Në fund të viteve 1980 në Gjermaninë Lindore kishte ende rreth 3.000 deri 4.000 të burgosur të tjerë për vit. Shumë prej tyre nën dyshimin për "arratisje" ose "tentativë për arratisje".

Të burgosurit politikë sikurse edhe të burgosurit ordinerë i detyronin të punonin për shembull në industrinë e tekstilit dhe atë kimike për të mbushur boshllëqet ekonomike. Por meqë ata ishin burgosur padrejtësisht, puna e tyre është klasifikuar si punë e detyruar. E ngarkuara e qeverisë gjermane për "Lindjen", Iris Gleicke paraqiti tani në Berlin një studim në lidhje me sistemin e punës së detyruar për të burgosurit politikë në RDGJ.

Zyrtarisht në Gjermaninë Lindore nuk kishte të burgosur politikë, thuhet në studim. Në vitet e para të burgosurit politikë në RDGJ i fusnin në të njëjta burgje si kriminelët. Më vonë ata i shpërndanë në burgje të posaçme.

Puna e detyruar pjesë e ekonomisë së planifikuar

Të paktën që nga fillimi i epokës së Erich Honecker në vitin 1971, puna e të burgosurve, përfshirë edhe të burgosurit politikë, ishte pjesë përbërëse e ekonomisë së planifikuar socialiste, tha autori i studimit, Jan Philipp Wëlbern nga Qendra për Kërkime Bashkëkohore Historike në Potsdam. Çdo vit ka pasur 15.000 -3 0.000 të burgosur që punonin. Këto të dhëna bazohen në analizën e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, të Drejtorisë së Burgjeve dhe tek intervistat e ish të burgosurve.

Të burgosurit politikë punonin kryesisht në ndërmarrjet që prodhonin për firma të huaja, dhe siguronin valutë të huaj, shpjegon Wëlbern. Të burgosurit, për shembull, punonin për prodhimin e trikove të grave, të cilat janë shitur më pas në Gjermaninë Perëndimore.

Shumë pyetje të hapura

Nga pikëpamja subjektive, konstaton studimi, shumë të burgosur nuk e kishin përshkruar këtë lloj pune në mënyrë shumë negative, sepse në sfondin e izolimit kjo ishte një lloj ndryshim i mirëpritur. Megjithatë, kushtet e punës për të burgosurit politikë ishin shpesh të ashpra se sa për të burgosurit e tjerë. Normat ishin më të larta, shumë ishin të detyruar të punonin në turnet e natës ose në punë të rrezikshme, p.sh. me zhivë shumë toksike apo me avuj toksikë, që ka mundësi t'u kenë shkaktuar më vonë kancerin.

Roland Jahn, sot i ngarkuari i qeverisë federale pë Dosjet e Stasi-t, kërkoi studimin e mëtejshëm shkencor të pasojave të burgimit. Shumë gjëra janë ende të pasqaruara. Kështu vetëm në vitin 2012 u bë e njohur që IKEA ka prodhuar në vitet 1980 mobilje në RDGJ dhe ketë prodhoheshin prej të burgosurve politikë.