1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Të bashkuar në luftën kundër Asadit - Opozita siriane

Për dekada mbizotëroi qetësia në Siri. Sepse regjimi i al Assadit nuk toleronte asnjë kundërshtim. Kush nuk ishte dakord me të, shtypej. Që kur sirianët dalin në barrikada, flitet përsëri për opozitë. Por kush është ajo?

Demonstratë në Siri

Demonstratë në Siri

Prej më shumë se 40 vjetësh Rafik Shami jeton në Gjermani, por kur ai flet për Sirinë, bëhet gjithnjë pak nostalgjik. Nuk është çudi: autori nuk mund të shkelë më në vendin e tij. Që kur familja e Al Asad-it përcakton politikën siriane për Rafik Shamin nuk ka më vend në Republikën e Sirisë. Sepse ai i përket opozitës politike atyre, që kritikojnë me zë të lartë regjimin dhe kërkojnë liri: "Ne kemi qenë një republikë shumë rebele e mrekullueshme në vitet 50-të, që unë i kam përjetuar si i ri [...] Ne nuk kishim asnjë të burgosur politik, ne jetonim të lirë dhe nuk kishim frikë nga qeveria edhe për të sharë secilin - Kjo ka qenë Siria e fëmijërisë dhe rinisë sime. Dhe papritmas vjen një regjim, që vjedh të gjitha liritë, që mua më dërgon në mërgim, prandaj unë jam opozitar që në fillim. "

Represioni e detyroi të emigrojë

Rafik Schami

Rafik Shami

Debate politike nuk pati më në Republikën siriane, që kur Hafez al-Asad, babai i presidentit aktual, katër dekada më parë erdhi në pushtet me një grusht shteti. Një regjim një parti, ishte tashmë deviza, çdo gjë tjetër ishte e ndaluar. Një numër i shërbimeve të fshehta kujdesej që askush të mos e kërcënonte sundimin e Assadit. Kush donte të kritikonte, emigronte, ose përfundonte në burg. Grupimet opozitare nuk kishin kurrfarë shansi, thotë Heiko Wimmer, ekspert për Sirinë, në fondacionin shkenca dhe politika: "Në klimën e shtypjes, siç ka ekzistuar deri para pak kohësh, ishte natyrisht e pamundur për opozitën, që të organizohej, të merrte pjesë në një diskutim politik, të komunikonte e kështu me rradhë. Asaj i është dashur të veprojë në grupe shumë të vogla, shpesh në mërgim."

Liri, dinjitet dhe rrëzimin e regjimit

Kështu regjimi ruante kontrollin, deri disa muaj më parë, kur vala e protestave në botën arabe u përhap edhe në Siri. Demonstrata të vogla, sporadike për lirinë dhe të drejtat e njeriut u shtypën me gjak nga forcat qeveritare të sigurisë. Zemërata ishte e madhe dhe çoi në protesta të reja në të gjithë vendin. Joshua Landis, ekspert për Sirinë, në Oklahoma University, ka konstatuar se disa grupe opozitare kanë gjetur kështu një emërues të përbashkët: "Për herë të parë opozita ndjek një linjë të vetme dhe qëndron tek ajo që prej katër muajsh. Ajo do lirinë, dinjitetin dhe rrëzimin e regjimit."

Megjithë këto kërkesa të përbashkëta opozita siriane është e përbërë nga shumë grupime të ndryshme me programe krejtësisht të ndryshme. Vëllazëria Myslimane, por edhe parti ish-komuniste, aktivistë të rinj, parti etnike-kurde dhe pjesë së ish-elitës sunduese sunite bëjnë pjesë në të. Një mozaik etnik dhe fetar, që reflekton popullatën heterogjene siriane. Dhe që ndryshon ndjeshëm nga shoqëria tuniziane dhe egjiptiane, thotë Joshua Landis: "Tunizia dhe Egjipti janë të bashkuar etnikisht: ata janë një popull me një fe. Në Egjipt ka disa koptë, të krishterët egjiptianë. Ata përbëjnë rreth dhjetë për qind të popullsisë, por nuk kanë ndikim të madh politik. Siria nga ana tjetër është pak si arka e Noas: nga secili lloj ka nga dy. Vendi është i ndarë nga ana etnike dhe fetare."

Demonstratë në Siri Facebook

Demonstratë në Siri

Pikërisht kjo është ajo që ia bën kaq të vështirë opozitës të luftojë Bashar al-Asadin. Edhe në qoftë se grupet opozitare ndërkohë janë disi të bashkuara. Shumë sirianë mbështesin ende presidentin e tyre, ndërsa të tjerët thjesht nuk kanë reaguar, thotë Joshua Landis.

Frikë nga lufta civile

Shkrimtari Rafik Shami pranon shumë hapur se është me opozitën - dhe ndjek ngjarjet në Siri nga Gjermania. Frika e tij më të madhe është se brenda opozitës mund të ketë luftë për pushtet. "Ajo që unë shpresoj është që ky debat të zhvillohet i qetë. Sepse rreziku është gjithmonë-ne nuk duam të jemi naivë, që të përfundojë në një luftë civile".

Autor:Anne Allmeling/Angjelina Verbica

Redaktoi: Elert Ajazaj