1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Të arrihet me detyrim ndryshimi? Politika evropiane ndaj Kubës

Cila duhet të jetë sjellja kundrejt Kubës? Ç'rol duhet të ketë këtu respektimi i të drejtave të njeriut në shtetin e Karaibeve? Këto pyetje janë në qendër të diskutimeve rreth politikës së BE-së ndaj Kubës.

Havanë: Njerëz duke kaluar para një pllakati, ku shkruhet: Gjithçka për revolucionin.

Havanë: Njerëz duke kaluar para një pllakati, ku shkruhet: "Gjithçka për revolucionin".

Në 1996-ën u formulua i ashtuquajturi "qëndrim i përbashkët" i shteteve anëtare, që thotë se Kuba duhet të dëshmojë fillimisht përparime në të drejtat e njeriut dhe demokratizim para se të mund të vendosë marrëdhënie normale me BE-në. Por socialistët spanjollë u larguan nga kjo politikë.

Ndryshimi i qëndrimit ishte i nevojshëm sipas spanjollëve

Qëndrimi i përbashkët nuk solli gjë për të drejtat e njeriut në Kubë, arsyetojnë socialistët spanjollë. Sipas tyre BE-ja duhet t'i afrohet fillimisht Kubës pa parakushte. Më pas, gjatë kryesisë spanjolle në Këshillin Evropian në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, Spanja u përpoq masivisht që të ndikonte në këtë mënyrë mbi qëndrimin e BE-së, por deri tani pa sukses.

Disidentë kubanë gjatë mbërritjes në korrik në Madrid.

Disidentë kubanë gjatë mbërritjes në korrik në Madrid.

Kur në shkurt vdiq disidenti Orlando Zapata në një burg kuban pas një greve të gjatë urie kjo nuk ishte vetëm një tragjedi njerëzore, por edhe një goditje për politikën spanjolle ndaj Kubës.

Këtë e pranoi tërthorazi në Parlamentin Evropian sekretari spanjoll i shtetit për Evropën Diego López Garrido. "Kompromisi i BE-së dhe i institucioneve të tij duhet të qëndrojë në dënimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe të punojë që diçka e tillë të mos përsëritet më kurrë."

Vetë disidentët kubanë janë për vijë të ashpër të BE-së

Por përveç anës politike ka ekzistuar dhe ekziston ajo e politikës së zhvillimit. Dhe të paktën Komisioni Evropian do ta mbajë përgjithësisht larg politikës bashkëpunimin për zhvillimin. Lufta për qëndrimin e përbashkët vazhdoi. Spanja me ministrin e saj të jashtëm Miguel Angel Moratinos ndoqi një politikë të vetën ndaj Kubës, shpesh duke zemëruar shtetet e tjera të BE-së, para së gjithash Francën, Gjermaninë dhe Suedinë. Premtimi i qeverisë kubane në fillim të korrikut për të liruar 52 të burgosur politikë u pa nga socialistët spanjollë si konfirmim për qëndrimin e tyre.

Por, megjithëse Spanja pranoi disa prej të liruarve të parë, asaj iu desh të dëgjonte kritikë pikërisht prej tyre. Dhjetë nga disidentët shkruanin në një letër se largimi i tyre nga Kuba "nuk duhet të shihej si gjest i vullnetit të mirë, por si veprim nga dëshpërimi i regjimit në kërkim urgjent për çfarëdo lloj kredie". BE-ja, bënë thirrje disidentët, "nuk duhet të lëshojë në kërkimin e demokratizimit."

Që atëherë të dyja palët në debatin rreth qëndrimit të përbashkët ndihen të konfirmuara. Dhe lufta vazhdon. Për momentin nuk dallohet njëzëshmëri. Spanja duhet të bëjë më parë mjaft punë bindëse.

Autor: Christoph Hasselbach / Elert Ajazaj

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 28.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OW5M
  • Data 28.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OW5M