1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

"Të ardhmen e punës e formësojmë ne!"

Për këtë paraqesin pretendimin e tyre sindikatat gjermane me rastin e 1 majit. Një dëshirë e mirë, mendon Rolf Wenkel.

Gewerkschaftskundgebung in Berlin

Që prej gati saktësisht 125 vjetëve, si pasojë e protestave të përgjakshme të punëtorëve në metropolin amerikan të Çikagos, sindikatat e shfrytëzojnë 1 majin si ditë proteste dhe pushimi, në luftë për paga më të larta dhe për më shumë të drejta për punëtorët e kësaj bote. Në Gjermani, politikanët e kundërshtuan gjatë shpalljen e 1 majit si ditë pushimi, derisa u desh të vinin nacionalsocialistët, që e shpallën si ditën e punës.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Federata e Sindikatave Gjermane e përdori këtë ditë herë pas here për të nisur fushata për përmirësimin e kushteve të punës - si për shembull në fillim të viteve pesëdhjetë të shekullit të kaluar, kur sindikatat donin t'u merrnin me zor punëdhënësve javën e punës me pesë ditë. Kjo më në fund u arrit dhe slogani i atëhershëm ka mbetur i paharruar: "Të shtunën, babi është i imi!".

Këtë herë, Federata e Sindikatave Gjermane kërkon për 1 maj: "Të ardhmen e punës e formësojmë ne". Kjo tingëllon si për t'i dhënë zemër vetes, si revoltë, dhe si një dëshirë e mirë, për të rimarrë diçka që duket se ka kohë që ka rrëshkitur nga duart.

Sepse sindikatat përjetojnë të njëjtin fat si kishat dhe shoqatat e futbollit: prej tyre, anëtarët po largohen, mungojnë pasardhësit, gratë janë të përfaqësuara pak. Kështu që nuk është për t'u çuditur, që sindikatat ankohen herë pas here që dita e punës shfrytëzohet gjithnjë e më shumë për t'u freskuar në birrari, por thuajse jo më për të demonstruar në rrugë për më shumë të drejta për punonjësit.

Kjo ka shkaqe: nga njëra anë, që prej gati një çerek shekulli sindikatat gjermane përjetojnë një pakësim të anëtarëve, që ecën krahas një humbjeje të rëndësisë dhe fuqisë ndikuese të tyre. Nga ana tjetër, për një dekadë, sindikatat gjermane luftuan për sigurinë e vendeve të punës, përpara ngritjes së pagave. Me fjalë të tjera, ato u sollën në mënyrë modeste, që do të kishte qenë më e përshtatshme për vende të tjera evropiane - me rezultatin, që nga një Gjermani atëherë e sëmura e Evropës, sot kemi një lokomotivë të Evropës.

Rolf Wenkel

Rolf Wenkel

Kjo ishte e drejtë dhe i uli shpenzimet për pagat, siç thonë ekonomistët dhe e bëri Gjermaninë më të fortë për konkurencën se fqinjët e saj. Megjithatë unë kam frikë se të ardhmen e punës nuk do ta formësojnë sindikatat. E ardhmja e punës, në vende të industrializuara të zhvilluara si Gjermania apo Japonia përcaktohet më tepër nga zhvillimi demografik, i një shoqërie që po plaket gjithnjë e më shumë.

Dhe e ardhmja e punës formësohet nga inxhinjerë dhe specialistë të IT-së, të cilët punojnë për prodhimin e së ardhmes, të quajtur "industria 4.0". Studime të Universitetit të Oxfordit parashikojnë që pas 20 vjetësh një në dy vende pune do të preket nga automatizimi dhe digjitalizimi.

Kjo shkakton frikë. Do të na ikë puna nga duart? A është akoma e sigurtë puna ime? Sindikatat, supozoj, në këto kohë do të luajnë më tepër një rol konservator, që i ruan mundësisht rrethanat e vjetra - por nuk do të formësojnë të ardhmen e punës. Por kjo nuk duhet të jetë kaq fatale sa tingëllon. Sepse kudo atje ku parashikohet fundi i ditës së zakonshme të punës, ku përparimi teknik e bën rrëmujë botën klasike të punës, ku njerëzit kërcënohen të bëhen për gjithë jetën nomadë në profesion, nuk është aspak e dëmshme, që edhe sindikatat të thonë fort fjalën e tyre. Edhe në të ardhmen.