1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të rinjtë gjermanë punojnë për bashkëmoshatarët e tyre nga Durrësi

A. Shuka19 Qershor 2008

Më 8 korrik 2008 nxënësit gjermanë do të lënë bankat e shkollave dhe do të punojnë për të ndihmuar të rinjtë nga Durrësi.

https://p.dw.com/p/EMuX
Kancelarja gjermane Angela Merkel me përfaqësuesit e organizatës "Schueler Helfen Leben"
Kancelarja gjermane Angela Merkel me përfaqësuesit e organizatës "Schueler Helfen Leben"Fotografi: SchülerHelfen Leben e.V.

Gentiana Ramadani ka vite që merret me reintegrimin e të rinjve me vështirësi. Deri tani projekti i organizatës "Gratë mbështesin gratë" ka ekzistuar në Lezhë, por këtë vit ai do të zgjerohet edhe më tej në qytetin e dytë për nga madhësia në Shqipëri, atë të Durrësit. "Kjo është një qendër sociale ditore për mbështetjen e adoleshentëve në vështirësi. Kësaj radhe kemi vendosur të punojmë në qytetin e Durrësit dhe më tej ky program konsiston në trajnimin disamujor të problemeve të fëmijëve dhe adoleshentëve në vështirësi në këtë qytet janë adoleshentë, fëmijë që vijnë nga familje në kushte të këqija ekonomike, ata duan të motivohen dhe në strehën tonë ditore ata do të gjejnë një staf të përgatitur dhe të specializuar", - krahas ndihmës psikosociale, të rinjtë do të kenë mundësinë të fitojnë edhe zanate. "Sigurisht sipas dëshirës. Për djemtë do të jetë hidraulik dhe elekriçist, ndërsa për vajzat mund të jetë një parrukieri ose një profesion tjetër."


Financimi nga "Dita Sociale 2008"


Afro 100 mijë euro kërkon realizimi i këtij projekti në tri vjetët e ardhshme, ka përllogaritur Ramadani. Dhe pikërisht këto shpreson tani t'i mbledhë organizata e të rinjve "Nxënësit ndihmojnë jetë" (Schueler Helfen Leben), me të ardhurat që ajo vjel vit për viti nga "Dita Sociale". Më 8 korrik shumë nxënës në Gjermani do të lënë bankat e shkollave dhe do të shkojnë në punë. Punët janë të llojeve të ndryshme, sqaron Oliver Kainrad nga Schueler Helfen Leben. "Ata mund të ndihmojnë prindërit në punët e shtëpisë, ose të krasitin barin e fqinjit ose nëpër firma të mëdha si Deutsche Bahn, ndërmarrja hekurudhore gjermane, e cila atë ditë u ofron mundësinë të rinjve të shohin se si funksionojnë sektorë të ndryshëm". Deri tani kanë shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në këtë projekt rreth 1000 shkolla në lande të ndryshme të Gjermanisë. Numri i tyre rritet nga viti në vit. Vitin e kaluar kishim afro 1,4 milionë Euro.


Përzgjedhje demokratike


Projekti i Durrësit u zgjodh nga një grup nxënësish pasi u konsultuan një fundjavë të tërë në Berlin. Projekti këtë vit zhvillohet nën ombrellën e vetë kancelares gjermane Angela Merkel. Për Gentiana Ramadanin, është diçka tjetër më me peshë, që e bën ta ndjejë veten krenare që ka dalë fituese e projektit: "Ajo çka na lumturon më së shumti është fakti që procesi përzgjedhës ka qenë shumë demokratik. Këto projekte i kanë vlerësuar vetë të rinjtë gjermanë dhe kjo na motivon më shumë dhe është për t'u vlerësuar që ne të justifikojmë besimin e tyre dhe të çojmë tek të rinjtë tanë në Shqipëri atë frymë që ne kemi marrë përmes kësaj përgjigjeje pozitive nga të rinjtë gjermanë dhe nga stafi organizues i të gjithë këtij programi".