1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mauerfall Feierlichkeiten

Aida Cama9 Nëntor 2009

Në monumentin përkujtimor Muri i Berlinit në rrugën Bernauer të hënën (9.11.) në mëngjes u mblodhën qindra berlinezë dhe turistë nga e gjithë bota. Në kishën e pajtimit u zhvillua një ceremoni përkujtimore

https://p.dw.com/p/KSCK
Në Kishën e Pajtimit
Në Kishën e PajtimitFotografi: picture-alliance/ dpa

Rruga Bernauer në Berlinin Qëndror ishte një nga zonat më të përfolura të ndarjes gjermane. Në ditët e ndërtimit të murit këtu njerëzit u hodhën nga shtëpitë e tyre në lindje për në pjesën perëndimore të qytetit. Sepse trotuari ishte pjesë e pjesës së lirë të Berlinit. Në rrugën Bernauer ndodhet sot monumenti kombëtar për viktimat e ndërtimit të murit.

Gjithmonë më 9 Nëntor në rrugën Bernauer bien trompetat. Ky është një ritual simbolik, pjesë e iniciativës së aktivistëve të të drejtave të njeriut ish-qytetarë të RDGJ-së (Republika Demokratike e Gjermanisë): "Si çdo vit buçasin trompetat një mesazh i lashtë biblik: muret bien, kur njerëzit nuk mund t' i durojnë ato."

Erhard Neubert, si famulltar që shumë herët kishte dalë në opozitë me regjimin e RDGJ-së, në këtë jubile të 20 vjetorit të rënies së murit përshëndet jashtëzakonisht shumë njerëz të ardhur nga e gjithë bota. Ndaj fjalimi i tij përkthehet edhe në anglisht. E njëjta gjë vlen për fjalët e Manfred Fischer-it nga shoqata Muri i Berlinit. Edhe ai është famulltar, e madje në bashkësinë e pajtimit, kisha e së cilës ndodhej në mes të rripit të vdekjes në rrugën Bernauer dhe u hodh në erë katër vjet para ndërtimit të murit, për të krijuar një fushë të lirë qitjeje ndaj refugjatëve të mundshëm: "Që ne sot mund të jetojmë këtu pajtimin, është bërë e mundur prej rënies madhore të murit. Rindërtimi i kishës nga rrënojat e kishës së vjetër dhe bashkësia aktive tregojnë sot, se si njerëzit e kanë rimarrë sërish këtë rrip të vdekjes."

Rruga Bernauer në Berlinin Qëndror
Rruga Bernauer në Berlinin QëndrorFotografi: Pandeli Pandi

Manfred Fischer ia ka dalë që të ftojë Ernst Cramer si referues në ceremoninë përkujtimore. Hebreu Cramer lindi në vitin 1913 në Augsburg dhe mundi të arratisej në kohën e duhur për t' i shpëtuar nazistëve. Në fjalimin e tij gazetari i kthyer në vitin 1945 si ushtar i SHBA-së në Gjermani, vlerëson dashurinë për liri të gjermano-lindorëve, të cilët në vjeshtën e vitit 1989 arritën ta rrëzojnë murin: "Ju falenderoj në mënyrë të veçantë ju të gjithëve dhe të gjithë ata, që ndajnë të njëjtin ideal me ju në Evropën Lindore. E me këtë rast falë veçanërisht edhe Zotit, që e mundësoi këtë."

9 Nëntori 1989 ishte një ditë e fatit për Gjermaninë dhe botën, ndërsa 9 Nëntori 1938 ishte dita më e tmerrshme në jetën e Ernst Cramer-it. Në këtë ditë u dogjën në të gjithë rajhun gjerman sinagogat, hebrejtë u poshtëruan dhe disa prej tyre u vranë: "Në këtë ditë nazistët erdhën tek ne në shtëpi. Ata shkatërruan violonçelin e dashur të babait tim dhe thyen koleksionin e vogël, por të veçantë të porcelanit, që kishte nëna ime. Në vitin 1942, pikërisht në javën para Pashkëve, ata u deportuan në Lindje. Qysh nga ajo kohë ne nuk kemi dëgjuar më asgjë për ta."

51 vjet më vonë Ernst Cramer përjeton rënien e murit të Berlinit. Edhe për atë tashmë në moshë të thyer si 97 vjeçar kjo është një ditë e fatit, "një mrekulli e historisë", thotë ai. Më 9 Nëntor 1989 u bë "e mundur e pamundura", kujton famulltari i bashkësisë së pajtimit, Manfred Fischer, ditën përpara 20 vjetësh: "Kush e ka përjetuar këtë e di: Dëshpërimi nuk ka asnjë bazë. Kush nuk e ka përjetuar këtë, atij duhet t' ia tregojmë. Kjo nuk është një përrallë, që ka ndodhur në të vërtetë! Këtu ju nuk mund ta prekni murin. Rrugën për në postbllokun kufitar ju mund ta përshkoni këtu. Dhe këtu ju mund ta ndjeni historinë."

E përderisa është kështu, muri dhe rënia e tij le t' i përkasin trashëgimisë kulturore, thotë famulltari Fischer duke nisur rrugën drejt qendrës së re të vizitorëve në anën tjetër të rrugës Bernauer, që inagurohet në këtë ditë simbolike. Zyrtarisht qendra do të hapet në fillim të dhjetorit.

Autor : Marcel Fürstenau / Vilma Filaj - Ballvora

Redaktoi : Aida Cama