1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Libyen UN Flugverbot

Angelina Verbica15 Mars 2011

Bashkësia ndërkombëtare ende nuk ka arritur të harmonizojë qëndrimet ndaj Libisë dhe diktatorit Gaddafi. Përmbajtja ndërkombëtare për vendosjen e zonës së ndalim-fluturimit është e domosdoshme mendon Daniel Sheschkewitz.

https://p.dw.com/p/10ZM9

Përderisa e tërë bota me brengosje të mëdha po shikon drejt Japonisë dhe katastrofës më të madhe natyrore, që ka goditur këtë vend, trupat e Gaddafit kanë vazhduar luftën e tyre brutale kundër kryengritësve. Forcat e diktatorit po i kthejnë nën kontroll një nga një qytetet e humbura gjatë muajit shkurt në lindje të Libisë. Dhe gjatë këtyre ndërhyrjeve nuk po hezitojnë aspak të përdorin edhe avionët luftarakë.

DW Deutsches Programm Daniel Scheschkewitz
Daniel ScheschkewitzFotografi: DW

Për këtë shkak duket si e qëlluar dëshira e Ligës Arabe që në këtë vend të vendoset një zonë e ndalim-fluturimit. Megjithatë përbajtja e deritanishme e bashkësisë ndërkombëtare është me vend. Zbatimi i ndalim-fluturimit mbi këtë vend të madh në shkretëtirë është shumë më i komplikuar se sa në Bosnjë-Hercegovinë në vitet 90-të, apo në veriun e Irakut. Pasoja e kësaj mase mund të jetë një luftë e gjatë me një dinamikë dhe me pasoja të paparashikueshme për sigurinë në mbarë rajonin. Sa e brishtë është gjendja e sigurisë atje, shihet edhe nga rasti i ndërhyrjes së trupave saudite në Emiratin Bahrejn.

Kërkesa kontradiktore

As kërkesat e Ligës Arabe nuk janë tepër të qarta: në njërën anë kërkohet vendosja e një zone të ndalim-fluturimit, ndërsa në anën tjetër refuzohet ndërhyrja e mundshme ushtarake. Kjo nuk është bazë e mirë për një mandat të qartë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në veçanti kur dihet se vendet fqinje të Libisë deri tani nuk kanë dhënë asnjë sinjal se janë të gatshme që të ndihmojnë zbatimin e vendimit për vendosjen e zonës së ndalim-fluturimit. Hedhja e përgjegjësisë vetëm mbi vendet perëndimore mund të çojë ujë në mullirin e atyre, për të cilët dyshohet se me këtë ndërhyrje duan të realizojnë vetëm interesat e tyre.

Para shpjegimit të plotë të modaliteteve dhe përmasave të një mandati për ndërhyrje ushtarake duhet treguar kujdes dhe përmbajtje. Pritja është shumë e hidhur për popullatën, që gjendet në zonat e çliruara. Por as populli i Libisë nuk mund të përfitojë asgjë nga përshkallëzimi i një lufte. Ndërhyrja mund të jetë legjitime, vetëm në qoftë se bashkësia ndërkombëtare është unike dhe ka një mandat të qartë. Deri atëherë shpresat e kryengritësve duhet të bazohen tek pasojat e izolimit të regjimit dhe fakti që një diktator nuk mund të mbetet përgjithmonë në pushtet kundër vullnetit të popullit.

Autor: Daniel Scheshkewitz

Redaktoi: Angjelina Verbica