1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të mësosh prej Obamës do të thotë të mësosh të fitosh

Barbara Wesel10 Nëntor 2008

Barak Obama fitoi. Emigrantët zezakë dhe aziatikë në Britaninë e Madhe, tërësisht të papërfaqësuar në politikë, i varin shpresat tek forca e këtij shembulli të ri për të luftuar për një pozicion më të mirë në shoqëri.

https://p.dw.com/p/FqSZ
Gati 10% e popullsisë britanike është me orgjinë zezake apo aziatike
Gati 10% e popullsisë britanike është me orgjinë zezake apo aziatikeFotografi: picture-alliance/ dpa

Thuajse në të gjitha vendet evropiane pas fitores së Barak Obamës (Barack Obama) u shpreh entuziazmi, por në Britaninë e Madhe entuziazmi ishte më i madh se kudo. Të rinj zezakë, të cilët janë lënë pasdore dhe konsiderohen si të dështuar për dekada të tëra, tani ndjehen të inkurajuar. „Zezakët dhe aziatikët, ne jemi një hap prapa, ne duam të ecim përpara të hedhim hapin e parë por edhe të dytë. “, thotë një ri. Edhe një burrë tjetër shprehet: " Ai na inkurajon që të jemi më të vendosur dhe më të disiplinuar në jetë."

Një shembull udhërrëfyes

Sajmën Uoli (Simon Wooly), shef i një organizate për pjesëmarrjen e zezakëve në politikë tani shpreson tek efekti Obama: „Ai është jo thjesht një shembull, por edhe një shembull udhërrëfyes."

Ai i frymëzon të rinjtë zezakë dhe aziatikë, që të luftojnë për një pozitë më të mirë në shoqëri. Kjo pasi shifrat flasin shumë: Ndër 646 deputetë në dhomën e ulët të parlamentit britanik bëjnë pjesë vetëm 15 përfaqësues nga pakicat etnike, ndërkohë që gati 10% e popullsisë britanike është me orgjinë zezake apo aziatike. Gordën Braun (Gordon Brown) ka vetëm një sekretare shteti në kabinetin e tij me prejardhje nga India. Shkrimtarja Lola Adesioye thotë: „Unë besoj, se Britania e Madhe është shumë larg mundësisë për të pasur një Obama në krye. Përpara se ne të mendojmë për një kryeministër zezak, ne duhet të kemi disa ministra me ngjyrë në kabinet. “

Pjesëmarrja e komuniteteve në politikë

Në SHBA ka pasur ministra me ngjyrë ndër ta Kolin Pauell (Colin Powell) dhe Kondolia Rajs (Condoleezza Rice). E megjithatë të mësosh prej Obamës do të thotë, të mësosh të fitosh, mendon Sajmën Uolli: „Këtu në Britaninë e Madhe komuniteti i zezakëve është jahstëzakonisht i entuziazmuar. Ka një lloj ndjesie çlirimi, që pavarësisht pabarazisë në këtë shoqëri fëmijët tanë mund të pretendojnë për postet më të larta."


Kjo fillon me organizimin e pjesëmarrjes politike të komuniteteve sipas modelit amerikan si dhe me mediet, që duhet të kontaktojnë rininë. Edhe Uolli beson, se do të duhen ndoshta deri në 25 vjet derisa të ketë një kryeministër britanik zezak apo aziatik, por deri atëherë duhet të forochet pjesëmarrja politike dhe suksesi shoqëror i këtyre grupeve. „Ne duhet të ndryshojmë infrastrukturën, në mënyrë që gjithnjë e më shumë njerëz të angazhohen në shoqërinë civile.“

Klasa dhe raca janë në Britaninë e Madhe të lidhura ngushtë

Një vështirësi për këto komunitete është edhe sistemi shkollor. Ndonëse kanë kaluar dhjetë vjet të qeverisë së laburistëve mobiliteti shoqëror nuk ka ndryshuar. Eshtë pothuajse e pamundur që fëmijët e shtresave të varfëra të shkojnë në universitetet elitare britanike si Oksfordi apo Kembirxhi (Oxford, Cambridge). Klasa dhe raca në Britaninë e Madhe janë të lidhura ngushtë, sepse ata që kanë prejardhjen nga Bangladeshi, Pakistani si dhe zezakët përbëjnë 65% të të varfërve në Britaninë e Madhe – po janë më pak se 5% e popullsisë së përgjithshme. Pavarësisht këtyre fakteve Sajmën Uolli ka shpresë tek forca e shembullit të ri nga SHBA: „Unë shpresoj, që ne do të kemi po aq shumë energji sa Barak Obama për të vazhduar rrugën drejt arritjeve tona këtu në Britaninë e Madhe.“