1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sërish shtyrje e datës së zgjedhjeve në Maqedoni?

Fatos Musliu12 Maj 2016

Shumica e partive në Maqedoni nuk pranojnë të dorëzojnë listat e kandidatëve për zgjedhjet më 5 qershor. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve duhet të vendosë për procedurat përkatëse.

https://p.dw.com/p/1ImEY
Mazedonien, Parlament
Fotografi: AFP/Getty Images/R. Atanasovski

Sipas kodit Zgjedhor të Maqedonisë, deri në mesnatën e së mërkurës(11.05) partitë politike duhej t'i dorëzonin Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) listat me kandidatët, me të cilët do të konkurojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Nëse nuk arrin asnjë listë me kandidatë atëherë Komisioni është i detyruar të konstatojë gjendjen e tillë dhe për këtë duhet të njoftojë Parlamentin. Tani për tani vetëm Lëvizja Popullore për Maqedoninë LPM ka njoftuar për dorëzimin e emrave të kandidatëve për deputetë. Partia opozitare maqedonase LSDM nuk do të marë pjesë në zgjedhje dhe për këtë, nuk do të dorëzojë lista me kandidatë për deputetë. Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, thotë se partia e tij nuk do të marë pjesë në zgjedhjet e 5 qershorit duke mos dhënë ndonjë datë të caktuar, por duke theksuar se zgjedhjet duhet të mbahen atëherë kur do të plotësohen kushtet. LSDM nuk do datë fikse të zgjedhjeve por të propozohet datë e kushtëzuar.

“Data fikse u tregua si  e gabuar dhe nuk duhet të bëhet sërish një e tillë. Por ndërkohë nëse nuk vendoset datë, kjo do të thotë se zgjedhje do të ketë në vitin 2018, zgjedhje të rregullta. Nëse caktohet një datë e kushtëzuar në tetor për zgjedhje, atëherë nëse ndonjë nga afatet e reformave shtyhet për dy javë, atëherë edhe zgjedhjet do të shtyhen për dy javë”,  shpjegon Zaev.

BDI dhe PDSH  nuk dorzojnë lista të kandidatëve

“BDI nuk do të marë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të parashikuara të mbahen më 5 qershor”. Këtë e ka deklaruar zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, i cili ka thënë që partia e tij nuk do të dorëzojë listë për kandidatë të deputetëve në afatin e parashikuar, i cili skadoi të mërkurën. Osmani  tha se bisedimet për dalje nga kriza politike vazhdojnë.

Partia Demokratike Shqiptare PDSH poashtu nuk do të dorëzojë lista të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 5 qershorit. Në këtë parti thonë se prej kohësh dihet qëndrimi i tyre se nuk ka kushte për zgjedhje më 5 qershor.

“Që moti disa herë rradhazi kemi deklaruar që nuk ka kushte minimale për mbajtjen e zgjedhjeve dhe se nuk do të marrim pjesë në zgjedhjet me 5 qershor, që nënkupton se nuk do të dërgojmë as listë të kandidatëve për deputet në KSHZ”, ka deklaruar zëdhënësi i PDSH-së, Luan Tresi.

VMRO-DPMNE-ja ende nuk ka bërë publik qëndrimin për dorzimin e listave të kandidatëve. 

Më thjeshtë do të ishte nëse asnjë nga partitë nuk dorëzon lista për deputetë për zgjedhjet e 5 qershorit, sepse atëherë Komisioni Shtetëror Zgjedhor do të konstatojë se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve dhe Parlamenti do të thërrasë seancë për caktimin e datës së re të mbajtjes së zgjedhjeve, thotë kryetari i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov.

KSHZ po ballafaqohet me të panjohura 

Deri në këto momente KSHZ vepron në bazë të kalendarit dhe Kodit zgjedhor. Derisa ne nuk kemi akt juridik që të prolongohen zgjedhjet do të thotë ne jemi të obliguar të respektojmë afatet kalendarike, shprehet Subhi Jakupi anëtar i KSHZ

“Deri tani nuk kemi pasur praktikë të mosdorëzimit të listave. Nëse nuk ka dorëzim të listave, atëherë KSHZ ditën tjetër duhet të mbajë mbledhje dhe të konstatojë se nuk ka kandidatura dhe nëse ndodh ajo që nuk ka kandidatura ne e njoftojmë kryetarin e Parlamentit se nuk mund të zhvillohen zgjedhjet më 5 qershor. Kjo është hipotetikisht, sepse nuk kemi pasur të tillë rast deri më tani, po besoj se kështu duhet të veprojë KSHZ-ja”, deklaron Jakupi.

Pa pjesëmarjen e të gjitha partive nuk mund të ketë zgjedhje të besueshme

Ekspertët thonë se organizimi i zgjedhjeve pa përfshirjen e të gjitha subjekteve politike, do ta fusë Maqedoninë në një krizë edhe me të thellë politike.

“Nëse vetëm VMRO DPMNE dorëzon listë për të garuar zgjedhjet e pesë qershorit dhe këtë nuk e bën asnjë parti tjetër, mendoj se kjo parti politike do të detyrohet që  ta tërheq vetë këtë listë, sepse konkurimi i një partie madje edhe i dy partive nuk krijon kushte për formimin e Parlamentit, i cili duhet të zgjedhë qeverinë e ardhshme”, thotë profesor Osman Kadriu.

Profesor Mersel Bilalli, mostërheqjen e VMRO-DPMNE-së nga data e 5 qershorit, edhe kur partitë tjera janë shprehur kundër kësaj date, e cilëson si taktikë për pozicion të partisë në bisedime. “Ajo qëllimisht e bën këtë. Presioni duhet të shtohet nga faktori ndërkombëtar. E bën që të ketë pozicion. E bën për të pasur diçka që të ndryshojë, si koncesion dhe të marë diçka, t'i tolerohet diçka”, shprehet Bilalli.

Ndërkombëtarët pro vazhdimit të bisedimeve

Ambasadori i SHBA-së në Shkup, Jess Baily, tha se përpjekjet për dalje nga kriza po vazhdojnë. “Së bashku me kolegun tim nga delegacioni i BE-së, kontaktojmë me partitë dhe punojmë  për gjetjen e zgjidhjes për dalje nga kriza politike. Përkushtimi ynë është i fuqishëm dhe vazhdojmë të punojmë edhe më tej.”

Ambasadori i BE-së në Shkup, Aivo Orav, u shpreh se kriza politike në Maqedoni po zgjat shumë dhe duhet pasur parasysh, që nuk ka më kohë për të humbur, meqënëse Maqedonia si shtet ka shumë punë përpara. Ambasadori Orav theksoi, se politikanët e vendit duhet të përballen me realizimin e detyrimeve të vështira dhe serioze.