1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SZ: Marrëveshja në letër dhe në realitet

Elert Ajazaj (Martin Winter Sz)23 Prill 2013

Qëndrimi i mbajtur nga Bashkimi Evropian në rastin e zbatimit të marrëveshjes Kosovë - Serbi mund të kthehet në mësim për gjithë Ballkanin, thuhet në shkrimin e gazetës Süddeutsche Zeitung.

https://p.dw.com/p/18LKt

Gazeta gjermane analizon sot arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi, rolin e BE-së në realizimin dhe zbatimin e saj si dhe efektet e sjelljes evropiane për mbarë Ballkanin.

Fakti, që tani mund të jetë e mundur së paku një bashkekzistencë deri diku paqësore, i detyrohet këmbënguljes së të ngarkuarës së BE-së për politikën e jashtme Catherine Ashton dhe vendosmërisë së evropianëve, për t'ua përplasur derën para fytyrës serbëve, në rast se ata nuk lëvizin më në fund nga qëndrimi i tyre. Kërcënimi bëri efekt.

Megjithatë, në shkrim paralajmërohet për rrezikun, që e shoqëron marrëveshjen:

Ajo, që e shtyu Beogradin drejt lidhjes së marrëveshjes, nuk qe as bindja për pashmangshmërinë historike e as dëshira për paqe, por nevoja politike. Qeverisë serbe më shumë se miratimi i nacionalistëve i duhet një sukses në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian. Vetëm kjo i përforcon pozitat e saj te shumica e qytaterëve. Por me të siguruar dëshminë e negociatave të aderimit në Bashkimin Evropian, qeveria serbe mund të jetë e prirur t'i nënshtrohej instinkteve nacionaliste.

Pa u bërë dot drejtpërdrejt Beogradi përgjegjës, marrëveshja mund të zvarritej, të pengohej dhe të sabotohej prej serbëve në veri të Kosovës. Për fat të mirë nuk u angazhuan qysh tani për fillimin e negociatave të anëtarësimit. Qeveria serbe duhet të tregojë deri në samitin e BE-së në fund të qershorit, se e ka seriozisht me gatishmërinë për ta pranuar veriun si pjesë të shtetit të Kosovës.

Në rastin e Kosovës Bashkimi Evropian mund të fshijë edhe dyshimet, që për hir të anëtarësimeve të reja jep rabate dhe që mbyll sytë, kur bëhet fjalë për përmbushjen e kritereve. Edhe rastet e tjera: Bosnjë Hercegovina, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi janë të gjitha problematike.