1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Synimi ynë është që të jemi prezentë këtu në mënyrë të vazhdueshme

Një grup deputetësh të Bundestagut gjerman zhvilluan në Tiranë një vizitë zyrtare dyditore. Roderich Kiesewetter (CDU), Michael Brand (CDU) dhe Florian Hahn (CSU) zhvilluan kontakte pune me homologët e tyre shqiptarë.

default

Aktiviteti i tyre përmbyllës ishte të martën pasdite, një panel diskutimi në komisionin parlamentar të Integrimit. Deputeti Florian Hahn, anëtar i komisionit të Mbrojtjes, si dhe atë të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit në Bundestag, tregon për DW qëllimin e vizitës në Shqipëri.

Florian Hahn: Qëllimi ynë ishte të shikonim Shqipërinë, të zhvillonim takime me autoritetet zyrtare, me kolegët tanë parlamentarë, eksponentë të politikës, por dhe aktivistë të shoqërisë civile. Ishin dy ditë intensive pune, që na vlejtën shumë në krijimin e një pamje reale për atë që ndodh në Shqipëri. Vendi juaj jo vetëm gjeografikisht, por dhe nga angazhimet për realizmin e reformave është në një stad të avancuar të integrimit për në familjen e BE-së. Shikoni, është e rëndësishme për ne në Gjermani, që ta njohim edhe më mirë realitetin në vendin tuaj. Sot dy vendet tona janë partnerë në Alenacën Veriatlantike, në të ardhmen do të jemi vende partnerë dhe në BE.

Deutsche Welle- Gjatë takimeve që patët të hënën dhe të martën ju përsëritët tek mikëpritësit faktin se kontakte të tilla duhet të jenë të përvitshme. Për çfarë është fjala?

Deputeti Florian Hahn, anëtar i komisionit të Mbrojtjes dhe të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit në Bundestag.

Deputeti Florian Hahn, anëtar i komisionit të Mbrojtjes dhe të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit në Bundestag.

Florian Hahn: Ne nuk duam që të vijmë për dy ditë dhe më pas të mos shihemi më. Synimi ynë është që të jemi prezentë këtu në mënyrë të vazhdueshme. Ajo që ju kemi propozuar homologëve tanë shqiptarë është instalimi, nëse mund ta quaj kështu i vizitave të paktën një herë në vit, por edhe në një kohë më të shkurtër. Të jemi në anën tuaj në procesin e zhvillimit të reformave. Në këtë aspekt kemi gjetur miratimin tek kolegët tanë në parlamentin e Shqipërisë dhe kjo do të realizohet.

Deutsche Welle: Gjatë debatit që zhvilluat në komisionin parlamentar të Integrimit në Tiranë, nga mazhoranca dhe opozita ju prezantua pamje dhe gjykim krejt i kundërt për aktualitetin dhe daljen nga ngërçi politik. Si e shikoni këtë polarizim?

Florian Hahn: Mendoj se kjo është një çështje e Shqipërisë, por do të ishte mirë sikur të dyja palët të bashkëpunonin dhe të gjenin zgjidhjen. Në çdo shoqëri demokratike shumica dhe opozita shfaqen me alternativa të ndryshme, kanë kundërshti dhe debate. Por ato nuk mund të bëhen qëllim në vetvete dhe penguese për reformat thelbësore. Për ato që ka nevojë aq shumë vendi juaj. Në stadin ku ndodheni bashkërendimi për çështje madhore krijon dhe një imazh të mirë dhe të qëndrueshëm tek partnerët europianë, tek ata, të cilët janë vendimarrës në mjaft aspekte integrimi.

Deutsche Welle: E keni ndjerë dhe nga takimet besoj se në Shqipëri që ka një pritmëri optimiste për një vendim pozitiv brenda vitit në liberalizmin e vizave për qytetarët shqiptarë që do të udhëtojnë në zonën Schengen. Ju mendoni që kjo do mbyllet brenda 2010-s?

Florian Hahn: Unë mendoj se vendimi do të merret këtë vit, në fund të tij. Ky do të ishte një hap i rëndësishëm për fazat e mëtejshme, marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE dhe duke finalizuar me anëtarësimin me të drejta të plota në BE.

Deutsche Welle: Por deri tek finalizimi që përmendët ju shikohen dhe mjaft pengesa që janë jashtë performancës së Shqipërisë në realizimin e reformave. Zgjerimi i mëtejshëm i BE-së duket si në një spirale që pritet të marrë më shumë kohë se sa përllogarisin vendet aspirante. Apo nuk ndani këtë mendim?

Florian Hahn: Për momentin dua të them se ne nuk kemi një situatë kaq të mirë për shkak të krizës. Ky duhet pranuar si një element që ka rritur skepticizëm për çështjet e zgjerimit të BE-së. Por këto janë probleme që në fund të fundit nuk varen nga vendi juaj, apo vendet e tjera të rajonit që aspirojnë hyrjen në BE. Kjo kohë dilemash dhe mendimesh shpesh kontraverse për të ardhmen e familjes europiane le të shërbejnë për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit që t`i bëjnë siç duhet ‘detyrat e shtëpisë'. Forcimi i shtetit ligjor, lufta me rezultatet konkrete ndaj korrupsionit, garantimi i konkurencë së drejtë në tregun ekonomik, përmirësimi i imazhit të sistemit të drejtësisë dhe të tjera aspekte janë sfida të vërteta për klasën politike dhe tërë shoqërinë shqiptare. Tek bashkëbiseduesit tanë gjatë këtyre dy ditëve kuptuam se edhe për ata kjo është e qartë. Por i vetmi vlerësim realist nga Brukseli do të jetë ai që evidenton arritje e tregues konkretë në aspektet që përmenda më parë.

Deutsche Welle: Temë e diskutimeve që keni zhvilluar në Tiranë ka qënë dhe situata në Kosovë. Mendoni se do rritet numri i shteteve që do të njohin pavarësinë e saj?

Florian Hahn: Gjermania është mbështetëse e Kosovës. Kishim një vendim pozitiv në Nju York, por dhe më herët vendimi këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë konsiderohet si llogjik për aktualitetin e këtij vendi. Unë besoj se periudha që vjen më pas do të jetë reflektive për vende që duhet të ndërmarrin vendimin e tyre. E rëndësishme është që shqiptarët dhe serbët në Kosovë të të kuptojnë se nuk ka alternativë tjetër veç bashkëjetesës mes tyre. Që të forcojnë institucionet dhe të ketë një klimë garancie dhe sigurie për pakicat. Bashkim forcash për të zhvilluar dhe begatuar vendin e tyre, për ta bërë pjesë të natyrshme të familjes europiane.

Intervistën e zhvilloi Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 22.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PJEx
  • Data 22.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PJEx