1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Synimi mbetet - perspektivë evropiane

Vendet e Ballkanit Perëndimor vitin e fundit kanë avancuar pak drejt anëtarësimit në BE

Në foto: flamuri i BE

Dëftesat e BE për kandidatët për anëtarësim këtë vjeshtë nuk janë vecanërisht të mira

Dëftesat e BE për kandidatët për anëtarësim këtë vjeshtë nuk janë vecanërisht të mira, janë madje edhe më të këqia se vitin e kaluar. Zelli reformator në Ballkan dhe në Turqi ka rënë.

Veçanërisht në Ballkanin Perëndimor vazhdon të lulëzojë korrupsioni. Forcat demokratike në Serbi mbeten të prekshme prej tij. Sistemi shtetëror në Bosnjë-Hercegovinë ndodhet në krizë. Reformat në Maqedoni zvarriten për shkak të tensioneve etnike. E ardhmja e Kosovës është e pasigurtë- dhe kështu me radhë. Negociatat e anëtarësimit me Kroacinë vazhdojnë sipas planit, por problemet në vendin më të përparuar ndër kandidatët vazhdojnë të jenë aq të mëdha, sa viti 2009 nuk vjen në konsideratë për anëtarësim. BE formulon me kujdes dhe flet për "zgjerim në hapësira kohore afatmesme dhe afatgjata".

Kritika nga Brukseli mund t'i prekë në disa drejtime ndjeshëm shtetet e cituara, por ajo është e nevojshme, për të treguar se ku janë pikat e dobëta. Kriteteret e Kopenhagenit për anëtarësim, pra "demokraci, shtet juridik, ekonomi e lirë tregu, asnjë konflikt me shtetet fqinjë" duhet të plotësohen krejtësisht. Këtë, komisari i zgjerimit Oli Ren (Rehn) ua ka borxh shteteve të tjera anëtare të BE. E rëndësishme ë shtë edhe që BE të mos i verë pikëpyetje parimisht anëtarësimit të shteteve ballkanike duke filluar nga Shqipëria e deri te Bosnja në BE.

Synimi mbetet. Perspektiva evropiane, e cila duhet të shërbejë si motor për integrim dhe demokratizim, mbetet e pandryshuar. Si model shteteve të tjera mund t'u shërbejë Kroacia, e cila vërtet më ngadalë se pritej, por në mënyrë të pandërprerë po gjen rrugën e BE.

Për Turqinë, Komisioni Evropian ka shumë kritika, por edhe lëvdata. Sido që të jetë, politikanët në Turqi ia dolën mbanë ta zgjidhin krizën kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, pa ndërhyrë ushtria. Roli i ushtrisë duhet spostuar edhe më tej, nëse Turqia dëshiron t'i plotësojë standardet evropiane. Liria e mendimit, liria e fesë dhe të drejtat e minoriteteve nuk janë të mbrojtura dhe të zbatuara në mënyrë të mjaftueshme. Ky paralajmërim nuk është i ri. Prandaj, kritika e kryeministrit turk, Erdogan, se BE shpik gjithmonë rregulla në mes të lojës, është krejtëisht pa vend. BE duhet të kërkojë që të futen në zbatim norma juridike evropiane, nëse Turqia kërkon të anëtarësohet një ditë në BE.

Përkundrazi, është Turqia ajo që i bllokon negociatat e anëtarësimit. Tetë nga 35 kapitujt mbeten të mbyllur, sepse Ankaraja refuzon të hapë portet dhe aeroportet e saj për vendin e anëtarësuar, Qipron Për çështjen e Qipros, vitin e kaluar nuk u bë asnjë hap përpara. Dëftesa nga Brukseli ofron municion për kundërshtarët notorikë të anëtarësimit të Turqisë në BE. Presidenti francez gjithnjë në lëvizje , Sarkozi do të luftojë edhe më tej, për të penguar anëtarësimin e Turqisë në BE. Nëse Turqia marshon në Irakun e Veriut, ajo do t'u bënte një nder të madh kundërshtarëve të anëtarësimit të saj në BE. Sepse sulmi kundër Irakut nuk do të ishte në përputhje me normat e BE.

DW.COM

  • Data 07.11.2007
  • Autor Bernd Riegert
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/C4ry
  • Data 07.11.2007
  • Autor Bernd Riegert
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/C4ry