1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Programi i qeverise Berisha Meta

13 Korrik 2009

Heqja e vizave me BE brenda vitit 2010 dhe ndërtimi i një infrastrukture të standardeve evropiane janë prioritetet kryesore në programin e koalicionit te ri qeverisës Berisha - Meta.

https://p.dw.com/p/Imok
Makine me reklama elektorale te PD-se
Integrimi evropian vazhdon të mbetet ylli polar edhe për koalicionin e ri qeverisës LSI-PD.Fotografi: DW/ Ballvora

Në prag të formimit të qeverisë së re të Tiranës, Sali Berisha , kryeministri në detyrë dhe pas gjithë gjasash edhe i ardhshmi, u premton qytetarëve të Shqipërisë se katër vitet e mandatit të dytë qeverisës, do të jenë më produktivet në gjithë karrierën e tij politike. Në këtë karrierë thuajse 20-vjeçare sukseset e tij i përkasin kohës kur ai drejtoi qeverinë e koalicionit të djathtë 2005-2009. Ato lidhen me procesin e integrimit euro-atlantik të Shqipërisë. Hyrja në fuqi e MSA mes Shqipërisë dhe BE, aplikimi i për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO në prill 2009, janë ngjarjet më madhore që përkuan në kohë me mandatin e parë të Berishës si kryeministër i të djathtës.

Integrimi evropian filli i fortë që lidh LSI-në dhe PD-në

Integrimi evropian vazhdon të mbetet ylli polar edhe për koalicionin e ri qeverisës Berisha-Meta. Ky synim madhor është filli i fortë që lidh dhe bashkon programet politike të liberalëve të majtë të LSI dhe të djathtëve të PD. Kjo sjell në krye të axhendës qeverisëse pajisjen e qytetarëve me pasaporta biometrike, si kushti numër një për heqjen e vizave mes Shqipërisë dhe BE për t'u ndjekur nga ngritja e një infrasrukture të standardeve evropiane. “Lëvizja e lirë është një prioritet madhor. Brenda vitit të parë të këtij mandati qeverisës do të realizojmë lëvizjen e lirë. Prioriteti i dytë është një infrastrukturë moderne që do ta shndërrojë Shqipërinë në një vend krejtësisht tjetër.” - premton kryeministri Berisha.


Por heqja e vizave dhe ndërtimi i rrugëve nuk mjaftojnë që Shqipëria të marrë pasaportën e BE të ëndërruar të paktën prej 20 vjetësh. Vendit i duhet vazhdimi i reformave të thella në drejtësi, shëndetësi, administratë, në ndarjen territoriale të vendit, sistemin e pensioneve, uljen e varfërisë, zbutjen e polarizimit ekstrem social, sa për të përmendur reformat më emergjente. Dhe padyshim reformat në bujqësi dhe parashikimi i subvencionimit të saj nga shteti.

“Do të ndërtoj sistemin më modern të vaditjes, do të financoj çdo dru frutor të mbjellë, jo vetëm ullinjtë, do lidh çdo fshat me rrugë të asfaltuara me qendrën e komunës, çdo qendër komune do të lidhet me rrugë të asfaltuara me akset kombëtare,” - premton Berisha në vizionin e qeverisë për bujqësinë dhe fshatin.

Sfida e bashkëpunimit me opozitën

Por pa një konsensus të gjerë politik, pa bashkëpunimin me opozitën, vështirë që këto reforma dhe shndërrime të mëdha të realizohen. Këtë e ka treguar e shkuara e afërt dhe e largët e qeverive demokratike, të majta apo të djathta në Shqipëri. I vetëdijshënm për këtë bashkëpunim jetik kryeministri Berisha fton opozitën të bashkëpunojë. “I shtrij dorën opozitës dhe kërkoj bashkëpunimin saj që këto katër vite t'i shndërrojmë në vitet e një qeverisjeje më efikase në histori, më transparente, më të kontrolluar nga opozita në historinë e vendit,” deklaron Berisha.


Por çfarë opozite ka koalicioni i ri qeverisës në parlamentin e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit? Analistët e Tiranës e shohin si një opozitë mjaft të fortë, cilësore, të aftë të luajë rolin e vet edhe pse e përbërë vetëm nga deputetët socialistë. Gjithsesi kësaj opozite i mungojnë përfaqësuesit e partive të vogla të majta, të cilat votimi me sistemin e ri rajonal proporcional i la jashtë parlamentit. PBDNJ, që iu bashkua të majtës dhe kryetari i saj, Vangjel Dule, që fitoi të vetmin mandat deputeti, nuk e përjashton pjesëmarrjen në qeveri nëse Berisha e fton. Ndërkohë shumica e deputetëve opozitarë socialistë janë të rinj, që marrin pjesë për herë të parë në betejat e pritshme parlamentare. Kryetari i socialistëve, Edi Rama, nuk është deputet. Me të Berisha ka bashkëpunuar ngushtë për ndryshimet kushtetuese që nxorën nga loja partitë e vogla dhe njëherazi ka derdhur për Ramën një lumë me akuza për korrupsion me lejet e ndërtimit, që ai ka dhënë si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Akuzat, si ndodh rëndom në Shqipëri, kanë mbetur në nivelin e luftës politike, pasi nuk janë vërtetuar kurrë nga Drejtësia.

Lufta kundër korrupsionit betejë në vazhdim

Veç sfidës së bashkëpunimit me opozitën përpara koalicionit të ri qeverisës qëndron edhe sfida e vazhdimit të luftës kundër korrupsionit. Antikorrupsioni ishte kali i betejës që solli në pushtet Berishën, në verën e vitit 2005, pas tetë vitesh opozitë. Por disa skandale, më i rëndi prej të cilëve shpërthimi në mars 2008 i depos së armëve në fabrikën e demontimit në Gërdec, e kanë dëmtuar imazhin e Berishës për “tolerancë zero ndaj korrupsionit.” Gërdeci tronditi qeverinë e tij, e përplasi me prokurorinë por nuk shkatoi rënien e saj.

Tani Berisha shfaqet sërish i vendosur të luftojë korrupsionin dhe të bashkëpunojë në qeverisje me ish-kundërshtarin e fuqishëm politik Ilir Meta, i cili kur ishte në krye të qeverisë socialiste, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, e çoi ish-liderin e opozitës së djathtë, Berishën, në polici, për prishje të rendit publik, prej protestave të përnatshme kundër qeverisë së atëhershme socialiste.

“Raporti im me të nesërmen, është shumë herë më i fuqishëm sesa me të djeshmen,” - thotë kryeministri Berisha, në prag të formimit të qeverisë së re. Kjo filozofi pritet të jetë udhërrëfyese edhe në formimin e kabinetit të ri qeveritar, që pritet të përfundojë aty nga javët e fundit të gushtit. Sipas deklaratave të Berishës në mediat e Tiranës qeveria ekzistuese “po punon me kapacitet të plotë dhe duhet të përfundojë disa projekte të rëndësishme.” Pyetja kryesore që ngrihet në rrethet politike të Tiranës është nëse Berisha do të zgjedhë Ilir Metën në postin e zëvendëskryeministrit apo do të preferojë të mos e ketë atë si partner në ekzekutiv dhe t'i ofrojë postin më të lartë në legjislativ, atë të kryetarit të Parlamentit.

Autor: Ani Ruci
Redaktor: Pandeli Pani