1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Swoboda: Në qoftë se një shtet nuk i zgjidh vetë problemet, kjo do të thotë që ai nuk është pjekur akoma për t'u bërë anëtar i BE-së

Çdo konflikt i brendshëm dhe sidomos bojkoti parlamentar është një dëmtim i imazhit të Shqipërisë para BE-së, - intervistë me europarlamentarin Hannes Swoboda.

Hannes Swoboda

Hannes Swoboda

DW: Shqipëria është përfshirë në një krizë të gjatë politike. Opozita po bojkoton prej 6 muajsh parlamentin. Si vlerësohet kjo nga BE-ja? Si mund të zgjidhet kjo krizë?

Swoboda: Në radhë të parë dua të them që ne jemi kundër bojkotit parlamentar. Deputetët janë zgjedhur që të marrin pjesë në parlament. Këtë e kemi thënë edhe kur partia e Berishës e bojkotoi parlamentin. Këtë e themi edhe tani. Së dyti, tani duhet të shikojmë se si mund të bashkëpunohet për të kapërcyer këtë bllokadë. Ky është tani një shans për kapërcimin e krizës. Berisha dhe qeveria e tij duhet të bëjnë propozime për partinë socialiste në opozitë dhe opozita duhet të mundohet që të kthehet në parlament me një strategji për të bërë një opozitë të fortë. Dhe roli i opozitës është në parlament.

DW: Po socialistët insistojnë për hapjen e kutive. A është e mundur kjo? Si veprohet në këto raste?

Swoboda: E mundur është gjithçka në se njeriu do, por në qoftë se gjykata ka vendosur se nuk ka diçka për t'u korigjuar, atëhere vendimi i saj duhet pranuar, megjithëse njeriu nuk është i kënaqur. Sido që të jetë, grupet e mëdha duhet të shohin se si mund ta kapërcejnë këtë krizë. Kjo nuk mund të kalojë në qoftë se qeveria qëndron vetëm në pozicionet e veta dhe opozita në të sajat, por duhet të gjehet një kompromis i përbashkët.

Hannes Swoboda u përgjigjet pyetjeve të gazetares së DW-së Mimoza Cika-Kelmendi

Hannes Swoboda u përgjigjet pyetjeve të gazetares së DW-së Mimoza Cika-Kelmendi

DW: Një delegacion i Këshillit të Evropës pritet të shkojë me propozime konkrete më 22 shkurt në Tiranë. Pse Brukseli dhe Strasburgu kanë heshtur deri tani dhe nuk ka reaguar, zoti Swoboda?

Swoboda: Ne nuk mund t'i zgjidhim problemet e brendshme. Në qoftë se një shtet nuk është në gjendje t'i zgjidhë vetë problemet e brendshme, ne nuk mund t'i zgjidhim ato nga jashtë. Ne mund të japim udhëzime, mund të kryejmë bisedime me ta, gjë që e kemi bërë shpesh, madje edhe unë personalisht. Por në fund të fundit është vetë shteti ai dhe po ashtu politikanët që duhet t'i zgjidhin problemet. Sepse në qoftë se një shtet nuk i zgjidh vetë problemet, atëhere kjo do të thotë që ky shtet nuk është pjekur akoma për t'u bërë anëtar i BE-së.

DW: Duke pasur parasysh këtë situatë, sa ndikon kjo në imazhin e Shqipërisë, aq më shumë që ajo pret hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e saj në BE?

Swoboda: Çdo konflikt i brendshëm dhe sidomos bojkoti parlamentar është një dëmtim i imazhit të shtetit para BE-së. Kjo është më se e qartë. Veçanërisht në një kohë kur diskutohet për çështje të mëdha siç është liberalizimi i vizave, për bisedimet për anëtarësimin në BE. Është mirë për një vend që për çështje të rëndësishme të gjejë konsensus. Ka shumë tema për konflikte, por për sa u përket çështjeve të rëndësishme duhet konsensus i grupeve të mëdha parlamentare.

DW: Meqë ju e prekët çështjen e vizave dhe dihet që Shqiperia së bashku me Bosnjën nuk përfituan vitin e kaluar nga liberalizimi i vizave, sikurse ndodhi me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Tani, duke pasur parasysh situatën politike në Shqipëri, sa jane shancet që ky vend ta arrijë këtë synim brenda këtij viti, sikurse edhe është premtuar në Bruksel?

Swoboda: Unë mendoj që të dyja shtetet do ta arrijnë qëllimin për liberalizimin e vizave. Kjo pasi të jenë përmbushur disa kushte, duke filluar nga pasaportat deri tek marrëveshja për pranimin e personave të dëbuar nga vendet e BE-së dhe të gjitha rregullat e tjera për të cilat duhet të biem dakord. Dhe sipas mendimit tim që nga mesi i vitit ose, më e vonta, në fund të vitit, të dyja shtetet do të fitojnë liberalizimin e vizave. Kjo është edhe dëshira jonë, e BE-së, në qoftëse këto dy vende realizojnë kërkesat e BE-së për ligjet dhe që ne mund të kemi garanci që këto ligje do të vihen në jetë.

DW: Zoti Swoboda, aktualisht të gjitha vendet e Ballkanit në përgjithësi ballafaqohen me korrupsion dhe kriminalitet. A ka BE-ja projekte konkrete qe t'u ndihmojë atyre për të luftuar këto fenomene?

Swoboda: Ne kemi një sërë programesh dhe një program bashkëpunimi. Por është e domosdoshme që çdo shtet të luftojë jo vetëm korrupsionin brënda tij, por të bashkëpunojë edhe me vendet e tjera. Ne kemi parë që kriminaliteti nuk ka fytyrë etnike, dhe në raste të tilla kemi bashkëpunim mes shqiptarëve dhe serbëve, kosovarëve dhe maqedonasve, etj. Këta njerëz nuk njohin pengesa. Ne kërkojmë që të ketë një bashkëpunim me shtetet për sa i përket ekstradimit të personve që kryejnë krime të rënda. Duhet të ketë njerëz të cilët duhet të luftojnë korrupsionin dhe këto njerëz duhet të jenë pa ndikim politik, duhet të jenë të pavarur. Gjithashtu duhet të bëhet specializimi i gjyqtarëve, specializimi i policëve. Po ashtu gjyqtarëve dhe policëve duhet t'u krijohen kushte financiare që ata të mos varen nga burime financiare ilegale. Ka disa pika që shtetetet mund t'i kishin bërë, por nuk kanë kurajon dhe vendosmërinë për të vepruar.

Intervistoi: Mimoza Cika-Kelmendi
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 05.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LtpL
  • Data 05.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LtpL