1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Svillanoviq: Nga Vuçiqi në Tiranë nuk priten provokime

Vuçiq dhe Rama për shumë çështje kanë qëndrime të ndryshme. Por e rëndësishme është të vazhdojë dialogu dhe që vizita e Vuçiqit në Tiranë të realizohet, thotë për DW ish-ministri i jashtëm serb Goran Svillanoviq.

Deutsche Welle: Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka konfirmuar se më 27 maj do të vizitojë Tiranën. Kjo është vizita e parë pas shumë dekadash e një kryeministri serb. Çfarë mund të pritet nga një vizitë e tillë, e cila për nga aspekti kohor do të meritonte edhe titullin "historike"?

Goran Svillanoviq: Vizitën e Vuçiqit në Tiranë e shoh si rrjedhojë të një politike të menduar shumë mirë dhe shumë aktive të Beogradit ndaj vendeve fqinje. Një politikë e tillë ka filluar para rreth një viti, kur Vuçiq vizitoi Sarajevën. Më pas janë realizuar disa takimeve të kabinetit qeveritar të Serbisë me qeveritë e rajonit. Natyrisht këtu kemi edhe përqendrimin e plotë tek dialogu i Brukselit. Dhe tani realizohet vizita kthyese në Tiranë, pas qëndrimit të kryeminsitrit Edi Rama vitin e kaluar në Beograd. Mendoj se bashkëpunimi rajonal, si kusht për anëtarësim në Bahskimin Evropian, është kuptuar sinqerisht në Beograd. Kjo nuk është e rëndësishme vetëm për shkak të anëtarësimit në BE, por për të përmirësuar gjendjen ekonomike, politike dhe sociale në këto vende. Pa një bashkëpunim të tillë nuk mund të realizohet as kushti më i rëndësishëm - ai i sigurisë në rajon. Pa dialog nuk mund të realizhohet asnjë prej këtyre kushteve. Unë tani jam në Tiranë, ku mora pjesë në një takim shumë të rëndësishëm rajonal, për luftën kundër terrorizmit. Këtu kanë qenë të gjithë ministrat e Brendshëm të vendeve të rajonit. Takimi Vuçiq-Rama do të zhvillohet pas samitit në Tiranë, ku do të bisedohet për investimet dhe krijimin e kushteve për bashkëpunim më të mirë. Ndaj pritjet nga kjo vizitë janë shumë të mëdha.

DW: Ky është kthimi i vizitës, pas qëndrimit të Ramës në Beograd vitin e kaluar. Por gjatë kësaj vizite ndodhi edhe një lloj skandali, sipas vlerësimeve serbe, kur Rama kërkoi që Beogradi të njohë realitetin e ri në Kosovë. Mund të priten provokime të ngjashme të Vuçiqit në Tiranë?

Goran Svillanoviq: Sinqerisht nuk pres asgjë të ngjashme. Nuk mendoj që vizita e Ramës në Beograd ka qenë skandaloze. Në këtë rrugë ka shumë ngritje dhe rënie. Nuk është e rastit që në disa dekadat e fundit nuk ka pasur vizita të tilla, sepse raportet mes këtyre vendeve janë të tensionuara - në veçanti në dy dekadat e fundit, të cilat kanë qenë tepër të rënda, si në nivelin personal ashtu edhe nacional. Duhet ta shohim të vërtetën në sy dhe duhet kuptuar që rreth disa gjërave nuk kemi qendrime të njëjta. Por është shumë me rëndësi që të ekzistojë vullneti i sinqertë për bërjen publike në mënyrë të civilizuar të dallimeve dhe të ekzistojë angazhimi për zgjidhjen e këtyre problemeve. Duhet të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të përpiqemi të kuptojmë se cilat janë argumentet e tij për një qendrim të kundërt. Unë personalisht nuk pres asnjëlloj provokimi. Ata janë takuar ndërkohë disa herë, para dhe pas Beogradit. Kanë pasur edhe takime kokë më kokë, por edhe me delegacionet e përbashkëta. Mendoj se ky është një shans për një vizitë shumë të mirë.

DW: Zoti Svillanoviq, Rama dhe Vuçiq janë politikanë të cilët shumë hapur e thonë mendimin e tyre, edhe në rastet kur palës tjetër nuk i pëlqejnë këto qendrime. Mund të presim pra këtu që ata të heshtin për problemet kryesore mes tyre dhe a mund të pritet një fillim i ri në raportet Tiranë-Beograd?

Goran Svillanoviq: Rruga e raporteve mes Tiranës dhe Beogradit nuk është ndërtuar me asfaltin më të mirë të mundshëm. Ka tema për të cilat Vuçiq dhe Rama nuk do të pajtohen në këtë takim, as në takim tjetër dhe as në të tretin. Por derisa bisedojnë është mirë, edhe pse nuk pajtohen për disa gjëra. Mendoj se vizita do të jetë e hapur, konstruktive dhe miqësore. Rreth disa temave do të pajtohen, por natyrisht që ka dhe tema ku nuk do të pajtohen. Besoj se do të pajtohen për çështjet e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore. Ka të paktën gjashtë projekte për të cilat është rënë dakord në nivelin ministror. Kryeministrat do të vazhdojnë dialogun për bashkëpunimin mes të rinjve në rajon. Ata duan që gjeneratat e reja të Shqipërisë dhe Serbisë të bashkëpunojnë ngushtë mes vete. Besoj se do të kuptohen në tërësi për heqjen e të gjitha pengesave për bashkëpunim ekonomik. Për tëheqjen e investitorëve dhe paraqitjen e përbashkët në tregjet e treta. Besoj se do të bisedojnë shumë seriozisht edhe për çështjet e sigurisë në rajon si dhe për dialogun shqiptaro-serb. Besoj se do të bien dakord edhe për rëndësinë e këtij dialogu. Ndaj jam i bindur se në fund do të kemi një vizitë të mirë dhe të suksesshme.

DW: Një prej temave ku Vuçiq dhe Rama me siguri nuk do të pajtohen, është çështja e Kosovës. Ka dhe politikanë të cilët thonë se ata nuk duhet ta hapin fare çështjen e Kosovës. Si është e mundur të zgjidhet kjo çështje?

Goran Svillanoviq: Këtu ka një element rreth të cilit ata me siguri që do të pajtohen: dialogu dhe rëndësia e Marrëveshjes së Brukselit si dhe domosdoshmëria që Beogradi dhe Prishtina t'i realizojnë marrëveshjet. Rreth kësaj çështjeje, në dialogun mes Beogradit dhe Tiranës nuk do të ketë kontestime. Me siguri që në këtë temë ka dhe gjëra ku ata nuk janë dakord, por duhet të mbështeten pjesëmarrësit e dialogut mes Prishtinës dhe Beogadit, i cili ka dhe mbështetjen e plotë të Brukselit. Por nuk jam i sigurt se është në interesin e këtyre dy vendeve që dy kryeministrat të futen thellë në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

DW: Çështja e pavarësisë së Kosovës është një prej atyre ku Rama dhe Vuçiq me siguri që nuk kanë dhe nuk do të kenë mendime të njëjta. Si e shihni ju rolin e Shqipërisë dhe të Serbisë në rajon, sepse shiptarët dhe serbët janë dy popujt më të mëdhenj në këtë rajon?

Goran Svillanoviq: Shqipëria këto ditë po e përfundon kryesinë vjetore të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore. Mendoj se Tirana dhe të gjitha vendet fqinje mund të jenë të kënaqur me punën që ka bërë Shqipëria gjatë kësaj kryesie. Kryesinë e radhës do ta marrë javën që vjen Bullgaria. Besoj se edhe pala serbe do ta mbështesë dhe lavdërojë punën e Shqipërisë, në samitin e javës që vjen. Ky është edhe një argument për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe bilateral. Problemi më i madh deri tani nuk janë raportet rajonale por ato bilaterale mes Shqipërisë dhe Serbisë. Ndaj mendoj se është shumë me rëndësi që kjo vizitë të realizohet, sepse kryeministrat duhet të bisedojnë pikërisht për përpimirësimin e raporteve bilaterale.