1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Survejimi i të dhënave ndez gjakrat

Nina Werkhäuser/Angjelina Verbica6 Korrik 2013

Ministri i Brendshëm Friedrich do të udhëheqë në Uashington diskutimet rreth programeve survejuese të shërbimeve të fshehta amerikane. Opozita akuzoi qeverinë, se nuk bën perpjekje për sqarim.

https://p.dw.com/p/193EF
#32043014 - Tastatur und Schatten. Datendiebstahl. © Gina Sanders
DatenspionageFotografi: Fotolia/Gina Sanders

Kur presidenti amerikan Barack Obama ishte për vizitë në Berlin në qershor, kancelarja Angela Merkel e bisedoi me të çështjen e programit të spiunimit Prism. Në konferencën e përbashkët për shtyp pak më vonë pati një skenë të vogël, por domethënëse. Sapo gazetari i parë vetëm përmendi fjalën Prism, Obama mori fjalën, ndërsa pyetja i ishte drejtuar në mënyrë të qartë kancelares gjermane. Përgjigja disaminutëshe e presidentit amerikan zbuloi, se ai mezi e kishte pritur këtë fjalë për të lëshuar një mesazh për miqtë gjermanë. Aty u përmendën fjalë si "terrorizëm", "armët e shkatërrimit në masë", "Osama bin Laden" dhe "50 kërcënime". 50 kërcënime në Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara, kundër të cilave kishin vepruar shërbimet e fshehta amerikane. "Përmes këtyre programeve janë shpëtuar jetë", tha Obama tekstualisht.

"Ndërhyrja në sferën private është shumë e kufizuar, sepse këtu duhet një urdhër gjykate dhe procedura e duhur ligjore", u shpreh presidenti amerikan, duke mbrojtur programin e spiunimit. Shkëmbimi i maileve të qytetarëve gjermanë, amerikanë, apo francezë nuk kontrollohet nga shërbimet amerikane, këtë ne nuk bëjmë". "Pavarësisht nga kjo debati rreth balancës mes sigurisë dhe privatësisë është një gjë shumë e mirë, u shpreh Obama duke u drejtuar nga kancelarja, i cila nga ana e saj e quajti internetin një "terren të panjohur". Kështu çështja për të dyja palët fillimisht u kalua.

Të pyesim një herë me kujdes

Së paku në këtë çast mbrojtësve gjermanë të të dhënave iu bë e qartë, se qeveria gjermane kishte dërguar në Uashington vetëm disa pyetje të kujdeshme rreth Prism-it. Fakti që shërbimi i fshehtë amerikan NSA edhe jashtë vendit mbledh të dhënat nga Google, Facebook dhe shërbime të tjera të internetit duket se nuk e shqetësonte në radhë të parë ministrin e Brendshëm gjerman, Hans-Peter Friedrich (CSU). Gjermania deri tani nuk është prekur nga sulmet terroriste, gjë që i dedikohet edhe "udhëzimeve të miqve tanë amerikanë", tha ai në fund të qershorit duke mbrojtur survejimin në Bundestag.

Obama dhe Merkel në konferencën për shtyp në Berlin
Obama dhe Merkel në konferencën për shtyp në BerlinFotografi: Reuters

Shërbimet gjermane të zbulimit deklaruan se nuk ishin në dijeni të programit të spiunimit Prism. "Ka mundësi, që të dhënat, që kemi marrë nga autoritetet amerikane në raste të veçanta, vijnë nga një program i tillë", tha Hans-Georg Maassen, president i Mbrojtjes Kushtetuese. Por zyra e tij për këtë nuk është në dijeni. Përndryshe ai ka mësuar nga shtypi për Prism-in.

Nuk ka azil për Snowden

Parlamentarët reaguan me më shumë kritikë se qeveria gjermane: Deputeti i FDP Jimmy Schulz përshëndeti në një debat parlamentar mbi skandalin e përgjimit", edhe "dëgjuesit në aparatet e survejimit." Ndërkohë, ishte bërë e ditur se edhe shërbimi sekret britanik me programin e tij "Tempora" kishte marrë në shkallë të gjerë të dhëna e internetit dhe ato telefonike nga Gjermania.

Socialdemokrati Thomas Oppermann i quajti programet e survejimit një ndërhyrje serioze në të drejtat themelore të qytetarëve gjermanë. Të Majtët dhe të Gjelbrit kërkuan që Gjermania duhet të pranojë informatorin Edward Snowden, i cili ndodhet në aeroportin e Moskës. Me zbulimet e tij, specialisti IT, ish-punonjës i NSA i ka bërë një shërbim të madh demokracisë. Qeveria gjermane pas një afati shumë të shkurtër reflektim vendosi që të mos e lejojë Snowden në Gjermani.

Obama dhe Merkel në konferencën për shtyp në Berlin
Obama dhe Merkel në konferencën për shtyp në BerlinFotografi: Getty Images

Kush është mik dhe kush është armik?

Toni në zyrën e kancelares u bë më i rreptë, kur u bënë publike hollësi të tjera nga zbulimet e Snowden: Shërbimi i fshehtë amerikan NSA SHBA kishte spiunuar edhe institucione të Bashkimit Evropian dhe shteteve të tij anëtare. Përfaqësia diplomatike e BE-së në Uashington ishte përgjuar dhe rrjeti i brendshëm kompjuterik ishte infiltruar.

Tani edhe kancelarja gjermane u shpreh e befasuar dhe njoftoi përmes zëdhënësit të saj: ".. Përgjimi i miqve, kjo është punë që nuk bëhet, kjo është e papranueshme. Ne nuk jemi më në luftën e ftohtë." Angela Merkel i telefonoi presidentit amerikan Barak Obama dhe caktoi bisedime në Uashington, që cilat do t'i zhvillojnë ministri i Brendshëm Hans-Peter Friedrich dhe specialistë në javën e ardhshme.

Opozita dyshon se qeveria gjermane dhe zbulimi gjerman nuk kanë ditur në lidhje me programet e survejimit. Deputeti Hans-Kristian Strëbele (Aleanca 90/Të Gjelbrit) tha pas një takimi me dyer të mbyllura me përfaqësuesit e shërbimeve sekrete gjermane, ai ndjen vetën të kapur nga hunda.

"Në qoftë se është kështu, atëherë ne kemi një boshllëk të madh në mbrojtje", kritikon politikani i SPD Thomas Oppermann mosdijeninë e pretenduar. Mesa duket autoritetet gjermane të sigurisë nuk ishin në gjendje për të mbrojtur qytetarët nga survejimi i disamiliontë.