1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Suren: "Kjo ishte një goditje e hidhur për lirinë e shtypit"

Akademia e DW ka evakuuar personelin e saj nga Sudani i Jugut. Një prej tyre është Andre Suren. Ai mbikëqyrte ndërtimin e një radioje publike dhe përgatiste gazetarët. Një intervistë me përshtypjet e tij.

DW: Zoti Suren, ju dhe ekipi juaj keni mundur të largoheni me avion me ndihmën e ambasadës gjermane dhe të Ministrisë së Jashtme gjermane. A mund të na thoni sa bashkëpunëtorë të projektit kanë mbetur atje?

Suren: Ne kemi marrë informacion se stacioni i radios, që kemi ndërtuar në shtetin federal të Jonglei-t, nuk është marrë ende. Në qytetin Bor ndodhen kryesisht forca të armatosura. Luftimet atje vazhdojnë. Shumë banorë kanë ikur. Në Sudanin e Jugut është ndërkohë thatësirë. Kjo i vë njerëzit para sfidave të mëdha. Ndihma humanitare është urgjentisht e nevojshme, njerëzit nuk kanë ujë të pijshëm dhe ushqim.

A u befasuat nga shpërthimi i papritur i dhunës, apo muajt e fundit kishte shenja se lufta e fraksioneve brenda partisë në pushtet SPLM mund të eskalonte?

Nuk ishte aspak e paparashikueshme. Edhe në Kombet e Bashkuara, me aq sa kemi mundur të marrim vesh, nuk e priste askush një gjë të tillë. E vërteta është megjithatë, se që prej pavarësisë dy vjet më parë ka pasur pa ndërprerje përleshje të vogla. Por në këto përmasa nuk i kemi pritur. Unë ndodhem në këtë vend që nga viti 2007. Ka pasur herë pas here incidente të mëdha dhe të vogla, por që qeveria të reagonte kaq fort, me të gjitha konsekuencat që kemi tani, këtë nuk e priste asnjëri.

Si nga qeveria e Sudanit të Jugut ashtu edhe nga shumë vëzhgues në Sudan konflikti interpretohet si konflikt etnik midis nuer-ëve dhe dinka-ve. E mbështesni ju këtë interpretim me njohjen, që keni për gjendjen në vend?

Ky konflikt etnik ekziston prej shekujsh. Ish zëvendëspresidenti Riek Maschar mbështetet nga nuer-ët, presidenti Salva Kiir nga shumë dinka-t, grupi më i madh etnik në Sudanin e Jugut. Shumë vëzhgues besojnë se këto janë konflikte etnike, që përdoren për luftën për pushtet politik. Në korrik 2013 Salva Kiir shkarkoi të gjithë kabinetin, duke përfshirë edhe zëvendëskryeministrin Riek Maschar. Ky ishte një demonstrim i qartë i pushtetit. Në 2015 do të mbahen zgjedhjet. Salva Kiir dëshiron të jetë përsëri president. Edhe Mashar ështe përpjekur të forcojë pozitat. Konflikti është kryesisht luftë për pushtet brenda SPLM-së në pushtet. Kur filluan përleshjet e armatosura në Juba, anëtarët e gardës presidenciale luftuan me njëri-tjetrin në bazë të përkatësisë etnike. Prandaj unë besoj se në këtë konflikt luan një rol si komponenti politik, ashtu edhe ai etnik.

Akademia e DW është angazhohet përmes Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara në Sudanin e Jugut sidomos në shtetin federal të Jonglei-it, ku situata është shumë e paqëndrueshme politikisht. A jeni në gjendje të thoni, se çfarë do të thotë kriza aktuale për punën e këtij projekti?

Unë nuk mendoj se ky konflikt do të përfundojë shpejt. Janë duke u evakuuar punonjësit e parë humanitarë. Kjo nuk është një shenjë e mirë për të ardhmen, ajo sjell shumë pasiguri dhe instabilitet. Duhet të presim dhe të shohim, nëse ky konflikt do të vazhdojë të përshkallëzohet në muajt e ardhshëm, apo nëse Kombet e Bashkuara, do të mund të pajtojnë krerët politikë. Shumë besojnë se luftimet do të vazhdojnë. Natyrisht që ky nuk është një terren i shëndoshë për investime dhe për ndihmën për zhvillimin, për shembull në fushën e medias.

Një projekt i Akademisë së DW parashikon profesionalizimin e gazetarëve. Si është informimi në këto ditë. A e kanë të mundur mediat joshtetërore të punojnë, apo monopolin mbi informacionin e ka qeveria?

Ditët e fundit ka patur relativisht pak energji elektrike. Dhe kur kishim drita, atëherë shfaqej vetëm stacioni shtetëror. Atëherë ministrat shpreheshin pandërprerje se konflikti është shkaktuar gjoja nga përpjekjet për grusht shteti të Riek Maschar-it, gjë të cilën shumë njerëz, që unë njoh në Sudan, e dyshojnë. Unë kam kontakte shumë të mira me transmetuesit privatë dhe gazetat. Gjatë kësaj kohe ata nuk kanë qenë aspak në gjendje për të prodhuar dhe për të raportuar mbi situatën. Që para incidentit u konfiskuan numrat e disa gazetave private. Situata është e tillë, që të gjithë fillimisht tërhiqen dhe shohin se çfarë ndodh. Në Sudanin e Jugut çdo gjë është fort në dorën e shtetit. Liria e shtypit, që ne duam të mbështesim me punën tonë, pëson natyrisht një humbje të madhe.

André Suren punon që nga viti 2004 si një trajner dhe konsulent i Akademisë së DW në Afrikën lindore, Siri dhe Afganistan. Që nga viti 2007 Suren mbikqyr projekte të shumta në Sudan dhe në Sudanin e Jugut.

Intervista u zhvillua nga Ludger Schadomsky.