1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Superfuqia e mbilodhur

13 Mars 2012

Pa SHBA-në nuk bëhet asgjë në politikën botërore. Por a është superfuqia në formën e duhur? Gjendja aktuale në SHBA i bën ekspertët gjermanë të dyshojnë. Kriza e gjatë po lodh Amerikën.

https://p.dw.com/p/14JIN
Fotografi: AP

Nëse SHBA do të ishte një pacient në spital, atëherë mjekët do të rrudhnin ballin të shqetësuar. Dobësia e organeve të pacientit mund të kthehet në kronike dhe pacienti mund të mos ngrihet më nga krevati. Të njëjtat rreziqe kërcënojnë qeverinë amerikane, thotë njohësi i SHBA Josef Braml nga Shoqata Gjermane për Politikën e Jashtme (DGAP). Kriza e gjatë ekonomike, financiare dhe energjetike e ka rënduar shumë superfuqinë.

SHBA është kthyer në vend të mundësive të kufizuara që vuan nga një mal me borxhe, nga monedha e dobësuar dhe rritja e konflikteve sociale. "Sa më shumë që SHBA përpiqet të marrë kthesën, aq më shumë kufizohen mundësitë e manovrimeve politike si nga brenda ashtu edhe nga jashtë," shkruan studiuesi i shkencave politike në librin e tij "Pacienti amerikan". Përfundimi  i Braml-it: "Pushtetet politike janë bllokuar, sepse ato nuk kanë më çfarë të shpërndajnë." Dobësia ekonomike thellon hendeqet ideologjike midis demokratëve dhe republikanëve.

Turbulenca me ndikime globale

Për pjesën tjetër të botës "kolapsi që rrezikon SHBA" nuk është ndonjë lajm i gëzueshëm. Kush lufton për të mbijetuar nuk merr parasysh nevojat e të tjerëve. "Në politikën tregtare në duhet të përgatitemi për proteksionizëm të ashpër", parashikon Braml. Përveç kësaj SHBA "do të ulte vlerën e dollarit" për të arritur përfitimet në treg. "Dollari nuk do të përdoret më si monedhë rezervë."

Kriza financiare ka dobësuar ekonominë amerikane
Kriza financiare ka dobësuar ekonominë amerikaneFotografi: Fotolia/Dan Race

Politikani i socialdemokratëve Karsten Voigt, po ashtu njohës i mirë i SHBA është më optimist. Ai nuk dëshiron të flasë për kolapsin që rrezikon SHBA, por për një krizë që mund të përdoret si shanc për fillim të ri. Forca e amerikanëve ka të bëjë me aftësinë e tyre që në kohë krize të mbledhin fuqitë dhe të ndërtojnë ekonominë e tyre me një dinamikë gjigande, mendon Voigt, i cili ka qenë për vite me radhe koordinator i qeverisë gjermane për marrëdhëniet gjermano- amerikane.

Ngarkesa të mëdha për aleatët

Specialistët janë të një mendimi se roli i SHBA si fuqi globale do të ndryshojë. Asnjë vend tjetër nuk e ka forcën ushtarake të SHBA, por kursi i kursimeve ka detyruar qeverinë për të prekur edhe këtë sektor. Karsten Voigt është i bindur se SHBA do të vazhdojë të mbetet edhe për një periudhë kohe superfuqi. Por amerikanët nuk do të jenë më në gjendje të bëjnë në të ardhmen kaq shumë dhe duhet të mësojnë të njohin kufijtë e tyre.

Në politikën e sigurimit u bë e qartë të paktën që nga ndërhyrja në Libi se SHBA ia kaluan ngarkesën më të madhe aleatëve. "Ne evropianët duhet të shohim si të ruajmë sigurinë me fqinjët tanë," mendon Josef Braml. "Amerika nuk do të na përkrahë më këtu. Sipas pikëpamjes amerikane ne evropianët kemi qëndruar shumë kohë parazit."

Autor: Nina Werkhäuser/ Aida Cama

Redaktoi: Lindita Arapi