1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Superfuqi e mbingarkuar

Pa SHBA nuk bëhet asgjë në politikën botërore. Po si është gjendja e kapaciteteve të saj vepruese? Kriza ekonomike dhe financiare i bën ekspertët të kenë mëdyshje.

Sikur SHBA të ishin pacient në spital, mjekët do të rrudhnin ballin me shqetesim: Dobësia e organeve të brendshme mund të bëhej kronike, saqë pacienti të mos ngrihej më dot nga krevati. Një gjë e ngjashme kërcënon edhe qeverinë amerikane, druhet njohësi i SHBA-së, Josef Braml, i shoqatës gjermane për marrëdhëniet me jashtë. Kriza e panderprerë financiare, ekonomike dhe energjitike i krijon shumë probleme superfuqisë.

SHBA janë bërë vendi i shanseve të kufizuara. Ato vuajnë nën një mal të rëndë me borxhe, nga dobësimi i monedhës dhe nga shtimi e pabarazisë sociale. "Sa më shumë që anohet cisterna me emrin SHBA, aq më shumë kufizohet aftësia manovruese e qeverisë në politikën e brendshme dhe të jashtme", shkruan analisti politik në librin e sapobotuar "Presidenti amerikan". Konkluzioni i Bramlit: "Forcat politike janë bllokuar, sepse nuk ka mbetur më gjë për të ndarë." Dobësia ekonomike e thellon hendekun ideologjik ndërmjet demokratëve dhe republikanëve.

Turbullira me pasoja globale

Josef Braml, i shoqatës gjermane për marrëdhëniet me jashtë

Josef Braml, i shoqatës gjermane për marrëdhëniet me jashtë

Për pjesën tjetër të botës "rreziku i kolapsit të SHBA-së", i përshkruar nga Braml, nuk është aspak inkurajues. Kush lufton për mbijetesën ekonomike, ai nuk ka parasysh të tjerët. "Në politikën tregtare ne duhet të përgatitemi për një proteksionizëm të ashpër", profetizon njohësi i SHBA-së. Përveç kësaj SHBA do ta ulnin "vlerën e dollarit", për t'i krijuar vetes avantazhe në konkurrencë. "Dollari së shpejti nuk do të jetë më valutë udhëheqëse."

Politikani socialdemokrat Karsten Voigt, edhe ai një njohës i mirë i SHBA-së, është disi më optimist. Ai nuk dëshiron të flasë për rrezikun e kolapsit të SHBA-së, por më shumë për një krizë me shanse për një fillim të ri. Një nga epërsitë e amerikanëve është aftësia e tyre për të vepruar në kohë krizash dhe për të besuar në dinamikën e madhe të ekonomisë së saj, mendon Voigt, i cili ka qenë për shumë vite koordinator i qeverisë për marrëdhëniet gjermano-amerikane.

Më shumë ngarkesa për aleatët

Politikani socialdemokrat Karsten Voigt

Politikani socialdemokrat Karsten Voigt

Të dy specialistët janë të një mendimi, se roli i SHBA si forcë globale do të ndryshojë. Asnjë vend tjetër nuk ka kaq fuqi ushtarake sa SHBA, por trysnia e kursimeve e detyron qeverinë të bëjë edhe këtu shkurtime. Karsten Voigt është i bindur se SHBA në një të ardhme të parashikueshme do të mbeten fuqia më e madhe botërore. Por amerikanët në të ardhmen do të jenë më të kufizuar në veprim dhe do të arrijnë në skajin e fuqive të tyre.

Në politikën e sigurisë, së paku që nga lufta në Libi, është bërë e qartë se SHBA e zhvendosin më shumë peshën mbi aleatët e tyre. "Ne europianët do të duhet të shohim se si ta ruajmë sigurinë me fqinjët përreth nesh", mendon Josef Braml. "Amerika në këtë pikë nuk do të na mbështesë më dot fort."

Autor: Nina Werkhäuser/Angjelina Verbica

Redaktoi: Elert Ajazaj