1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Supë patatesh në vend të luftës për pushtet

Jeanette Seiffert /Angjelina Verbica17 Tetor 2013

Shumica të paqarta, vështirësi për krijimin e qeverisë: Diku tjetër kjo do të kishte çuar në refuzim, në Gjermani partitë kërkojnë me qetësi të plotë të përbashkëtat e tyre. Nga vjen kjo dëshirë për kompromis?

https://p.dw.com/p/1A1DT
Fotografi: picture-alliance/dpa

"Fotografi të bisedimeve paraprake nuk ka. Por merret vesh se cila ka qenë menyja: Supë patatesh dhe ëmbëlsirë me kumbulla." Kështu raportonte pak ditë më parë një gazetare televizive për bisedimet e ndërmjet Partisë Socialdemokrate, Unionit Kristiandemokrat CDU dhe Unionit Kristiansocial CSU. "Bisedimet paraprake duhet të çojnë në bisedime për koalicionin qeverisës, e ndoshta edhe jo", tha më pas shumë i qetë para kamerave Sekretari i Përgjithshëm i Unionit Kristian Social (CSU), Alexander Dobrindt. Ia lexoje në fytyrë, se ishte mjaft i sigurtë, se CDU, CSU dhe socialdemokratët do të binin në fund dakord.

Edhe takimi i dytë nuk solli rezultat, por diskutimet qenë megjithatë “intensive”. Kemi mundur të krijojmë në afinitet “ndjesi” për palën tjetër, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i CDU, Hermann Grëhe. Dhe kjo pak ditë pas fushatës zgjedhore, që partitë bënë kundër njëra-tjetrës. Edhe me të Gjelbrit, që jo para shumë kohe ishin për shumë politikanë të Unionit personifikimi i armikut, CDU dhe CSU u takuan për bisedime. Ata dështuan në fund, por megjithatë të gjithë pjesëmarrësit theksuan se sa çuditësisht e këndshme kishte qenë atmosfera. Dhe bota vështron e çuditur Gjermaninë.

Testime në vend të betejave politike

Ndodh edhe ndryshe. Rrahje në parlamentin e Ukrainës
Ndodh edhe ndryshe. Rrahje në parlamentin e UkrainësFotografi: picture alliance/dpa

Zakonisht pas zgjedhjeve në Itali apo Greqi zakonisht gjithë pjesa tjetër e Evropës pret me shpresën, që të krijohet dikur një qeveri e qëndrueshme, që të mbajë më shumë se disa javë. Në Ukrainë, Rusi, apo Korenë e Jugut në parlament ndodhin madje herë pas here përleshje.

E në Gjermani? Bëhen testime. Në paqe dhe qetësi të plotë. Vëzhguesit politikë supozojnë se në fund do të krijohet një koalicion të madh, një koalicion me CDU / CSU dhe Partinë Socialdemokrate, me një marrëveshje koalicioni, për të cilin secila palë mund të pohojë, se ka dominuar në pikat kryesore. Dhe opinioni publik gjerman ndjek me një ndjenjë qetësie se politikanët kanë për t'i rregulluar punët.

Temat e vërteta të debateve duhet t'i kërkosh me lupë. Ndryshimin e politikes energjetike e dëshirojnë në parim të gjitha partitë, më shumë drejtësi gjithsesi. CSU dëshiron ta mbajë mbështetjen financiare për kujdesin për fëmijët e të fusë taksën e makinës për të huajt, PSD insiston në pagën minimale, për t'ua lezetuar pastaj anëtarëve të partisë rezultatin e mundshëm të bisedimeve. Pengesa të pakapërcyeshme nuk duket se ka. Nuk duket se është koha e betejave të mëdha politike, në vend të tyre negociatorët punojnë me zell në detaje.

Koalitione me traditë të gjatë

Aftësia gjermane për balancim ka një traditë të gjatë, mendon historiani nga Heidelbergu, Edgar Wolfrum: "Për shkak të historisë shumë të trazuar gjermane është krijuar një nevojë për siguri dhe kompromis dhe kjo çon në një kulturë shumë të vecantë politike." Kjo pasqyrohet edhe në partneritetin social gjerman, i cili bazohet në atë, që punëdhënësit dhe sindikalistët arrijnë të merren vesh", thotë Wolfrum në intervistë me DW.

Angela Merkel dhe kryetari i CSU Horst Seehofer
Angela Merkel dhe kryetari i CSU Horst SeehoferFotografi: Getty Images

Si pasojë e kësaj Republika Federale Gjermane që prej themelimit është qeverisur gati gjithmonë nga koalicionet. Kancelari Konrad Adenauer (CDU) mori madje nga vitet 1953 deri 1955 tri parti të vogla në qeveri, megjithëse partia e tij në fakt e kishte edhe e vetme shumicën. Për kohë të gjatë partitë konservatore CDU/CSU dhe Demokratët e Lirë FDP konsideroheshin si aleatë të "natyrshëm", por edhe me socialdemokratët Demokratët e Lirë kanë bashkëqeverisur. Ka patur një koalicion të socialdemokratëve me ekologjistët dhe dy koalicione të mëdha deri tani. Aleanca, të cilat pothuajse të gjitha kanë mbajtur deri në fund të periudhës legjislative dhe kanë qenë të suksesshme.

Nevoja e thellë e gjermanëve për siguri

"Mentaliteti gjerman ndryshon në këtë pikë nga ai i vendeve të tjera", mendon edhe autori dhe psikologu, Stephan Grünewald, nga Instituti Rheingold për hulumtimin e tregut në Këln. "Ne na mungon një identitet i fortë kombëtar, kjo na turbullon." Prej saj vjen nevoja për stabilitet dhe parashikueshmëri."

Studjon mentalitein gjerman: Psikologu Stephan Grünewald
Studjon mentalitein gjerman: Psikologu Stephan GrünewaldFotografi: Stephan Grünewald

Pra nuk është rastësi, që politikanët më mirë përqafohen se sa të grinden me njëri-tjetrin. Ata e dinë se shumica e gjermanëve e duan një gjë të tillë. Që para zgjedhjeve shumica është shprehur në sondazhe për një koalicion të madh. Për momentin sipas prognozës së kanalit të parë televiziv gjerman ARD, 66 përqind mendojnë se një aleancë ndërmjet partive të mëdha CDU/CSU dhe PSD është "shumë e mirë". Një shenjë se shumë gjermanë kanë frikë nga e ardhmja, mendon psikologu Grünewald. "Prandaj, ata shpresojnë se mund t'i konservojnë mundësisht për kohë të gjatë rrethanat, ashtu siç janë." Pikërisht këtë premton një koalicion i madh dhe Angela Merkel. Kancelarja jep përshtypjen e një "engjëlli kombëtar, të pajtimit, shpëtimit dhe ndërmjetësimit."

Në rrugën drejt një demokracie ledhatuese?

Kush ndjek rrugën e konfrontimit politik në Gjermani, shpesh ndështohet njëkohësisht nga të dyja anët: nga mediat, që me diskordancat më të vogla flasin për "krizë" dhe "sherr". Dhe në fund edhe nga zgjedhësit, të cilëve me sa duket nuk u pëlqen aspak konflikti mes partive.

Delegacioni i CDU-së pas bisedimeve paraprake
Delegacioni i CDU-së pas bisedimeve paraprakeFotografi: Getty Images

Kjo në fakt sjell stabilitet politik dhe një politikë më efektive se në shumë vende të tjera. Megjithatë historiani Edgar Wolfrum është i shqetësuar për mungesën e aftësisë së gjermanëve për t'u përballur me konfliktet. "Konsensusi dhe kompromisi në një demokraci të vërtetë vijnë në fund dhe jo në fillim." Ai porosit që të mos lavdërohet jashtë mase modeli gjerman i konsensusit: "Debati produktiv është pjesë e demokracisë, ajo jeton prej tij."

Gjithsesi: Në bisedimet e dyta paraprake ndërmjet partive të Unionit dhe Socialdemokratëve duhet të jetë debatuar me zë të lartë pas dyerve të mbyllura. Dhe nuk ka patur më supë patatesh, por qofte dhe salçiçe.