1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Sulmohet me vezë kryeministri Mustafa

Deputetët e opozitës në Kosovë e gjuajtën me vezë kryeministrin Isa Mustafa, duke e penguar atë që të raportojë për marrëveshjet e arritura në Bruksel në dialogun Kosovë-Serbi. Seanca do të vazhdojë.

Parlamenti i Kosoves

Parlamenti

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa është penguar nga deputetët e opozitës që të raportojë në kuvendin e Kosovës, për marrëveshjet e arritura në Bruksel në dialogun Kosovë-Serbi dhe për marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Sapo kryeministri Mustafa doli në foltoren e kuvendit, deputetët e opozitës e gjuajtën me vezë kryeministrin, duke shkaktuar kështu tension në sallë. Në mbrojtje të kryeministrit Mustafa ndërhyri sigurimi i tij, gjë që shkaktoi reagimin e kryetarit të kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, që kërkoi largimin e sigurimit të kryeministrit nga salla e kuvendit.

Presidentja denon sulmin

Isa Mustafa

Sulmohet Isa Mustafa

Presidentja e Republikës së Kosovës zonja Atifete Jahjaga e dënoi sulmin ndaj kryeministrit Isa Mustafa duke e cilësuar të papranueshëm dhe në kundërshtim me frymën e demokracisë. Presidentja Jahjaga e quan këtë sulm të papranueshëm dhe në kundërshtim me frymën e demokracisë së mirëfilltë, me përpjekjet tona për të fuqizuar institucionet e Republikës ë Kosovës dhe vlerat që po i ndërtojmë. "Akte të tilla të shëmtuara e vështirësojnë diskutimin e mirëfilltë publik dhe zbehin besimin e qytetarëve në institucionet e vendit. Presidentja Jahjaga ka ftuar të gjithë deputetët dhe subjektet politike që t'i respektojnë institucionet e vendit ku përfaqësohet vullneti i popullit, të denoncojnë dhunën dhe që mospajtimet politike t'i shprehin përmes rrugëve institucionale në respektim të plotë të parimeve të demokracisë”, thotë presidentja Jahjaga.

Bujupi: vetëm hapi i parë

Atifete Jahjaga

Atifete Jahjaga

Donika Kadaj Bujupi, shefe e Grupit Parlamentar të AAK-së, tha se ajo çfarë deputetët e opozitës bënë në kuvend është më e pakta që mund të bëjnë. “Kjo çfarë kemi bërë është më e pakta që mund të ndodh për të ndalur atë kryeministër që po punon më shumë për interesa të vendeve të tjera, se sa për interesa të Kosovës”, tha deputetja Donika Kadaj – Bujupi. Subjektet politike opozitare kanë nisur ditë më parë nënshkrimin në shumë qendra të Kosovës të një peticioni nga qytetarët me të cilin synojnë që mos ta lejojnë jetësimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

"Obligimi ndërkombëtar"

Kryeministri Isa Mustafa, me datën 26 gusht nënshkroi marrëveshjen për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndërsa një ditë më pas në Vjenë u nënshkrua marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Të dyja këto marrëveshje nga partitë politike opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK), Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën, po cilësohen të dëmshme për vendin dhe në këtë kuadër ato po kërkojnë që kryeministri Mustafa ta tërheq nënshkrimin. Mustafa nuk duket se e ka ndërmend ta tërheqë nënshkrimin. Ai e cilësoi marrëveshjen për asociacionin si një obligim ndërkombëtar dhe pjesë e marrëveshjes së aprovuar nga parlamenti i Kosovës, në Marrëveshjen e 19 prillit 2013, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Analistët: dështimet dhe mungesa e platformës

Tensionimin ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kosovë, analistët politik po e cilësojnë si një fazë kritike të stabilitetit politik. Naim Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika, (BPRG), i tha Deutsche Welles se tensionimi i skenës politike kosovare po ndodhe “për shkak të dështimit të qeverisë për t'i zotuar marrëveshjet, për t'i njoftuar qytetarët për marrëveshjet dhe qëllimin e tyre”.

Mustafa, Mogherini, Vuciq

Mustafa, Mogherini, Vuciq

“Opozita po kërkon ta kapitalizojë çdo marrëveshje për poena politik, që është e arsyeshme. Por nuk po ofron platformë komplementare për integrimin e serbëve apo ide për marrëveshje. Platforma e vetme e saj deri tani është refuzimi i dialogut. Situata po ndërlikohet shumë sepse numri i atyre që po kundërshtojnë marrëveshjet dhe dialogun po rritet. Ka një masë të madhe qytetarësh që refuzon marrëveshjet. Në fund përgjegjësia bie mbi qeverinë dhe organet tjera të shtetit të shpjegojnë marrëveshjet, qëllimin e tyre dhe tërë procesin e dialogut”, thotë Naim Rashiti.

“Qytetari mbetet i pa informuar nga dy palët. Ai merr gjysmë informata nga qeveria, e cila flet me një gjuhë jo bindëse. Ndërsa opozita po mundohet që përmes këtyre marrëveshjeve të frikësojë qytetarët”.

“Për të parandaluar tensionimin e situatës, qeveria duhet të informojë drejt, shpejt dhe sinqertë qytetarët, rrugën e integrimit të serbëve, dhe procesin e dialogut. Siç edhe është bërë marrëveshja të tregoj se asociacioni nuk do ta dëmtojë Kosovën. Po ashtu të ofrojë një dialog me opozitën, platformë për bashkëpjesëmarrje dhe rol për opozitën në dialog”, thotë Naim Rashiti.

Vazhdon zbatimi i marrëveshjeve

Megjithë kundërshtimin e opozitës në Kosovë për marrëveshjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe, dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdojë. Në fund të këtij muaji, ministrja për Dialogun Edita Tahiri, i tha DW-së, se me datën 28 dhe 29 shtator do të mbahen takime të nivelit teknik, ku do të bisedohet kryesisht për problemet gjatë mos zbatimit të marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Temat që do të diskutohen në Bruksel do të jenë rreth marrëveshjeve për lëvizjen e lirë, qarkullimi i automjeteve, çështja e mosrespektimit të marrëveshjes për njohjen e diplomave, funksionimi i zyrave ndërlidhjes në Kosovë dhe Serbi, si dhe marrëveshja që Serbia nuk e po e zbaton, që ka të bëjë më kadastrën.

Seanca (nuk) vazhdon
Megjithë tendosjet dhe sulmin, kryetari i parlamentit Kadri Veseli ka caktuar vazhdimin e seancës. Në kuvend kanë ardhur për të vëzhguar situatën edhe disa ambasadorë të vendeve të ndryshme në Prishtinë. Përpjekja e parë për vazhdimin e seancës ka dështuar për shkak të bllokadës së foltores nga opozita. Kryetari i kuvendit Veseli tha se seanca do të vazhdojë, por situata në sallë mbetet shumë e tensionuar.