Sulmohet ambasada e SHBA-së në Podgoricë | Ballkani | DW | 22.02.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Sulmohet ambasada e SHBA-së në Podgoricë

Në Podgoricë është sulmuar me mjete shpërthyese ambasada e SHBA-së. Serbi Dalibor Jaukoviq (43) hodhi një pajisje shpërthyese në ndërtesën e ambasadës dhe më pas bëri vetëvrasje.

Autoritetet malazeze kanë konfirmur se sulmi ndaj ambasadës amerikane ka ndodhur gjysmë ore pas mesnates së kaluar. Përmes rrjeteve sociale është kumtuar se "Një person i panjohur bëri vetëvrasje me një pajisje shpërthyese. Para vetëvrasjes, ai ka hedhur një pajisje shpërthyese nga kryqëzimi pranë Qendrës së Sporteve në ambasadën e Shteteve të Bashkuara”. Mediat malazeze njoftojnë se fjala është për serbin Dalibor Jaukoviq (43).  Identitetin e Jaukoviqit e ka konfirmuar edhe vëllai i tij, ndërsa obduksioni ka përfunduar.

Granata?

Qeveria malazeze ka bërë të ditur se mjeti i hedhur drejt ambasadës "ka shumë të ngjarë” të ketë qenë granatë dore. Hetimet duhet të konfirmojnë se për çfarë lënde konkretisht bëhet fjalë. Sulmin e

ka konfirmuar edhe Ambasada amerikane në Podgoricë. Policia malazeze ka bërë të ditur se ende nuk dihen motive e sulmuesit vetëvrasës.

"Ka ndodhur një incident”, tha një zyrtar i policisë për agjencinë Reuters, por nuk dha më shumë detaje. Policia ka bllokuar rrugën ku ndodhet ambasada. Nënsekretari amerikan për diplomacinë publike dhe çështjet publike, Steve Goldstein, tha se askush në ambasadë nuk është plagosur.

Paralajmërim për shtetasit amerikanë

Ambasada amerikane i ka paralajmëruar shtetasit e këtij vendi që të kenë kujdes dhe të qëndrojnë larg deri në njoftimin e radhës. "Ambasada e SHBA-së në Podgoricë i paralajmëron shtetasit amerikanë për një situatë aktive të sigurisë në ambasadën në Podgoricë. Shmangeni ambasadën deri në njoftimin e radhës”, thuhet në njoftimin e publikuar në ueb-faqen e saj. Ajo u ka sugjeruar shtetasve amerikanë që t'i shmangin tubimet e mëdha në kryeqytet dhe të monitorojnë mediat lokale për përditësime mbi situatën. Ambasada ka anuluar për sot të gjitha shërbimet e parapara.

Në Mal të Zi ka pasur shumë pakënaqësi të shtetasve proserbë dhe prorusë, për shkak të anëtarësimit të këtij vendi në NATO.

Jaukoviq i dekoruar nga Millosheviqi

Në vitin 1999, siç mund të shihet nga profili i Jaukoviqit në Facebook, ai është dekoruar me "medalje për merita në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë të Republikës Federale të Jugosllavisë". 

Jaukoviq është shpërblyer për “angazhim të jashtëzakonshëm në ushtrimin e shërbimit dhe kryerjen e detyrave në mbrojtjen dhe sigurinë e atdheut”, ndërsa e ka dekoruar presidenti i atëhershëm i RFJ-së Slobodan Milosheviqi.