1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Sulmi në Izmir - Dyshohet se ky akt shkon në llogari të PKK-së

Prononcimi i guvernatorit të Izmirit pas sulmit para gjykatës: Në bazë të stadit aktual të hetimeve mendojmë, se ky akt shkon në llogari të PKK-së.

Në qytetin perëndimor port të Turqisë, Izmir, katër vetë gjetën vdekjen nga një sulm terrorist (05.01), sipas të gjitha të dhënave të deri tanishme.

Fillimisht shpërtheu një makinë bombë e më pas pati të shtëna.

Të vdekurit janë një polic, një punonjës i drejtësisë si dhe dy sulmuesit. Disa vetë janë plagosur. Guvernatori i Izmirit, Ayyildiz deklaroi: "Terroristët u qëlluan. Ata mbanin dy automatikë-kalashnikov dhe të paktën tetë granata dore, që u sekuestruan."

Disa medie bëjnë fjalë edhe për një sulmues të tretë, që ndodhet në arrati. Guvernatori nuk u prononcua lidhur me këtë. Një helikopter i policisë qarkullon mbi qytet. Një makinë e dyshimtë është hedhur në erë në mënyrë të kontrolluar, tha guvernatori. "Në bazë të stadit aktual të hetimeve mendojmë, se ky akt shkon në llogari të PKK-së. Kjo nisur nga lloji i sulmit, por edhe bazuar në identitetin e dorasve."

Makina bombë shpërtheu pasdite rreth orës 15:30 (05.01) përpara njërës prej hyrjeve të gjykatës. Pas kësaj pati shkëmbime zjarri mes disa burrave dhe policisë. Nisur nga fakti, që në këtë godinë gjykate zhvillohen edhe procese lidhur me tentativën për puç në korrik, masat e sigurisë kanë qenë mjaft të larta, tha guvernatori Ayyildiz: "Ky sulm na hidhëron thellësisht, por megjithatë është për t'u vlerësuar, që si rrjedhojë e masave të sigurisë dhe vëmendjes së punonjësve të guximshëm të policisë, të cilët rrezikuan jetën e tyre, mundi të parandalohej më e keqja."

Edhe natën e Vitit të Ri gjatë sulmit në një diskotekë në Stamboll gjetën vdekjen 39 vetë. Përgjegjëisnë për këtë sulm e morën përsipër milicët terroristë të "Shtetit Islamik". Dorasi ende nuk është kapur. Në këtë kontekst gjatë natës (05.01) në Izmir u arrestuan disa persona të dyshuar.