1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Sulmi i SHBA mbi Siri ka shumë rreziqe

SHBA së bashku me aletatët e saj, Britaninë dhe Francën, duket se janë duke u bërë gati për një ndërhyrje ushtarake në Lindjen e Mesme. Por pasojat edhe të sulmit më të vogël ende nuk dihen.

Papritur Perëndimi duket se po bëhet gati për një tjetër ndërhyrje ushtrake në Lindjen e Mesme. Sekretari Amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel tha se një gjë të tillë e sheh të paevitueshme. "SHBA është duke parë të gjithë opsionet e mundshme sa i përket situatës në Siri. Ne jemi duke punuar me aleatët tanë dhe komunitetin ndërkombëtar ", deklaroi ai nga Xhakarta.

Qeveria e SHBA duket se është e bindur që u përdorën armë kimike ndaj rebelëve në periferinë e Damaskut dhe se regjimi i Presidentit Assad qëndron mbrapa këtyre sulmeve. Edhe pse hetuesit e Kombeve të Bashkuara nuk kanë raportuar ende, Uashingtoni vlerëson se është kaluar vija e kuqe dhe mund të ketë një përgjigje ushtarake.

UN Inspektoren in Syrien 26.08.2013

Inspektoret e OKB në Siri

SHBA, Britania dhe Franca kanë mjaftueshëm forcë ushtrake për ta goditur në distancë Sirinë. SHBA ka tre shkatërrues në Mesdhe, të cilëve do tu bashkohet edhe një i katërt, ndërsa Britania ka katër luftanije në afërsi. Të tre vendet kanë edhe avionë luftarakë me rreze deri në Siri të dislokuar në Emiratet e Bashkaura Arabe, Turqi dhe Qipro.

Marc Pierini, ish ambasador i Sirisë në BE mendon se është momenti i duhur që Perëndimi të veprojë. "Provat për një sulm kimik janë atje. Videot nuk mund të falsifikohen. Ashtu siç tha edhe William Hague dje (Ministri i Jashtëm i Britanisë), koha për diplomaci ka marrë fund. Klani i Assadit është duke bërë vrasje në masë për të mbajtur kontrollin e Damaskut", thotë ai për DW.

Jo sulm masiv

Paul Rogers, analist i sigurisë pranë Oxford Research Group në Britani dhe autor i librit "Humbja e kontrollit: Siguria Globale në Shekullin e 21", mendon se SHBA do të kryejë sulme të vogla ushtarake, të paktën tani për tani.

"Unë mendoj se një sulm i madh duke përfshirë Britaninë dhe Francën nuk do të ndodhë. Unë mendoj se do të ketë sulm demonstrues kundër një pike të rëndësishme të regjimit", thotë ai për DW. Rogers mendon gjithashtu se SHBA nuk do të përdorë avionët luftarakë. "Ata nuk do të duan të fluturojnë mbi Siri me aeroplanë, sepse llogarisin mbrojtjen ajërore të Sirisë dhe ky mund të jetë një operacion i madh. Ata mund të lëshojnë raketat Kruiz nga shkatërruesit në Mesdhe ose nga nëndetëset të stacionuara diku tjetër ."

Syrien Rebellen berichten von Giftgasangriff im Region Ghouta

Rebel sirian në zonë ku u krye sulmi me gaz helmues

Pasoja të paqarta

Por edhe në rast të një sulmi të vogël, për SHBA është e vështirë të llogarisë pasojat, që do të ketë jo vetëm Siria, por edhe gjithë Lindja e Mesme. "Regjimi mund të vazhdojë sërish me sulmet me armë kimike ose të ndalojë për pak kohë. Ndërsa vende të tjera të Lindjes së Mesme mund ta quajnë një tjetër ndërhyrje të Perëndimit si në Irak, Afganistan, Jemen, Somali dhe Libi."

Dhe më pas sigurisht është Irani. "Kemi presidentin Rouhani, i cili do një marrëveshje me Perëndimin, por nëse ndodh një sulm amerikan mbi një aleat të Iranit, atëherë kundërshtarët e tij do të thonë 'Ti nuk duhet të bësh marrveshje me Amerikanët dhe ne duhet të kemi armët tona bërthamore.'" Sipas Rogers në rast të rënies së regjimit të Assadit, në pushtet do të vijnë rebelët islamistë dhe Siria do të përballet me një problem më serioz.

Precedentët: Kosova apo Libia?

Në rast të një sulmi ushtarak ndërkombëtar mbi Sirinë, do të përfshihet Britania dhe Franca thotë Pierini. "Britania dhe Franca kanë raketa Kruiz. Hollandezët dhe gjermanët janë të përfshirë në operacionet e mbrojtjes në Turqi në kuadër të misoneve të NATO-s, pra çështja qendron nëse do të përfshihet edhe Italia".

Një sulm i tillë do të ishte i ngjashëm me ata në Kosovë apo Libi, por Pierini thotë se nuk mund të bëhen krahasime të lehta historike. "Pothuajse asnjë nga precedentët nuk mund të krahasohet me njëri-tjetrin, dhe sigurisht nuk mund të krahasohen me Sirinë. Negociatat diplomatike për Sirinë janë bllokuar prej dy vitesh për shkak të kundërshtimit të Rusisë dhe Kinës. Ndërkohë situata në Siri është përkeqësuar dhe nuk dihet se si do të jetë fundi."