1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Sulmi i Parisit është sulm ndaj rrënjëve të demokracisë

Sulmi ndaj revistës satirike franceze "Charlie Hebdo" zbuloi edhe një herë se Perëndimi dhe pjesë të botës islame mendojnë ndryshe për lirinë e shprehjes. Por ka shpresë, mendon Grahame Lucas.

E drejta e lirisë së shprehjes është e rrënjosur thellë në kulturën perëndimore. Që në shkollë kemi mësuar se si burrat dhe gratë e guximshëm në Evropë kanë luftuar në shekuj kundër autokratëve në mënyrë që të fitojmë të drejtën e lirisë së shprehjes dhe liritë e tjera që gëzojmë dhe vlerësojmë ne sot.

Për ne këtu në Evropë liria e fjalës është kaq e rëndësishme, sepse ajo i njeh shtypit të drejtën për të mbikëqyrur mbi qeveritë dhe për të shtruar pyetje për veprimet e tyre, kur kjo është e nevojshme. Shembulli më i famshëm se si shtypi mbikqyr politikën, është ndoshta afera "Watergate", e cila e detyroi presidentin amerikan Richard Nixon në vitin 1974 që të japë dorëheqjen. Rasti më i rëndësishëm në Gjermani ishte dorëheqja e ministrit të atëherëshëm të Mbrojtjes Franz Josef Strauss, pasi u bë e njohur përfshirja e tij në bastisjen nga policia të redaksisë së revistës "Der Spiegel", gjë që ai e kishte mohuar.

Grahame Lucas

Grahame Lucas

Për çdo individ liria e shprehjes është jetike për të mbrojtur të drejtën individuale për të kritikuar qeveritë dhe politikat e tyre. Dhe është e drejtë themelore e të gjithëve për të shprehur dhe shpërndarë pikëpamjet politike apo fetare. Dhe liria e fjalës është logjikisht e drejta vendimtare në debatin mbi të drejtat e njeriut në vetvete. Pra, është një gur themeli i një shoqërie demokratike.

Në vitin 1976 Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, konstatoi në një nga gjykimet më të rëndësishme se e drejta e lirisë së shprehjes në një shoqëri demokratike përbën një parakusht për përparimin dhe zhvillimin e çdo individi. Kjo e drejtë vlen "jo vetëm informacionet e favorshme apo që konsiderohen si 'informacione' të padëmshme ose 'idetë' të parëndësishme, por edhe për ato që fyejnë, trondisin ose shqetësojnë shtetin ose ndonjë pjesë të popullsisë."

Kjo përfshin edhe kritikën ndaj fesë dhe prezantimin e saj në formë satirike, sikurse ndodh prej vitesh me fenë e krishterë. Edhe të krishterëve kjo satirë mund t'u duket ndonjëherë tronditëse. Por ata duhet të jetojnë me të, sepse kritika dhe satira janë komponente vitale të debatit publik.

Por për këtë Perëndimi dhe pjesë të botës islame kanë pasur mosmarrëveshje edhe më parë. Për shembull, në vitin 1988, kur shkrimtari britanik Salman Rushdie, kritikoi në librin e tij "Vargjet Satanike" mësimet e fesë islame. Presidenti iranian dhe udhëheqësi fetar Ajatollah Khomeini e dënoi për këtë Salman Rushdie me vdekje në mungesë. Pasi ekstremistë islamikë kërcënuan se do ta ekzekutojnë vendimin e vdekjes në Britaninë e Madhe, Salman Rushdie jeton për vite të tëra nën mbrojtjen e policisë. Karikatursiti danez Kurt Westergaard mezi i shpëtoi një përpjekjeje për vrasjeje pasi gazeta daneze "Jyllands-Posten" kishte botuar në 2006 karikaturat e tij për profetin Muhamed.

Dhe tani sulmi vrasës ndaj revistës satirike franceze "Charlie Hebdo", gjatë të cilit dy islamistë të çmendur vranë dymbëdhjetë vetë, ndër ta edhe një polic mysliman.

Por unë vazhdoj të jem i bindur se ky konflikt mund të tejkalohet. Dua të kujtoj se presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi kërkoi kohët e fundit një "revolucion fetar" në fenë islame dhe u bëri thirrje udhëheqësve myslimanë "për të luftuar ekstremizmin". Dhe unë e mbyll këtë koment me fjalët e kryetarit të Këshillit Qendror të Myslimanëve në Gjermani: "Ky është një akt armiqësor dhe çnjerëzor kundër shoqërisë sonë të lirë. Sot nuk iu mor haku profetit tonë, por besimi ynë dhe vlerat myslimane u tradhtuan dhe u përbaltën thellë."

Më shumë se kaq s'ka gjë tjetër për të thënë. Edhe pse unë i respektoj bindjet fetare të të tjerëve, liria e shtypit dhe e shprehjes duhet të qëndrojë mbi to. Je suis Charlie.