1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Sulmi i grupit terrorist grek ndaj një makine diplomatësh në Berlin

Eshtë hera e tretë që një makine diplomatësh i vihet zjarri në Berlin. Kësaj here u sulmua makina e konsullit. Pas sulmit qëndron grupi grek "Përbetimi i celulave të zjarrit".

Automjeti ishte parkuar përpara shtëpisë së diplomatit. Grupi anarkist aktiv që nga viti 2008 "Përbetimi i celulave të zjarrit" konsiderohet si një organizatë pasuese e organizatës terroriste tashmë të shpërndarë "17 Nëntori". Në Greqi "celulat e zjarrit" kanë marrë përsipër përgjegjësinë për disa sulme me lëndë shpërthyese dhe zjarrëvënie, që kanë pasur kryesisht politikanë në shënjestër. Në nivel ndërkombëtar ato për herë të parë u shfaqën në vitin 2010, kur u kapën letra me lëndë shpërthyese të adresuara ndaj kancelares gjermane Angela Merkel dhe ish-presidentit francez Nicolas Sarkozy.

Sulm kundër përfaqësuesve "të sistemit"

Në një letër të përpiluar në gjermanisht, përmes së cilës merret mbi vete përgjegjësia për sulmin dhe që qarkullon në internet qysh nga e mërkura, jepet si arsye për sulmin me zjarr situata e shokëve të burgosur të idealit. Në letër shkruhet, se partitë në parlament hakmerren ndaj demonstruesve, të cilët kanë marrë pjesë në trazirat në rrugë në 2008 dhe tani ndodhen në burg. Në burgun e izolimit, - shkruhet më tej në letër - po bëhet "shkatërrimi i plotë" i tyre. "Celulat e zjarrit" nuk duan të vazhdojnë ta pranojnë pa vepruar një praktikë të tillë." Thënë me fjalë të tjera: kjo mund të prekë kudo çdo përfaqësues të një sistemi demokratik të urryer prej tyre.

Logoja e grupit terrorist

Logoja e grupit terrorist

Në këtë letër grupi solidarizohet me të gjithë ata, të cilët kanë hyrë në grevë urie në burgjet greke dhe tërheq vëmendjen për vdekjen e Ilias Karelit, një shqiptar, që kish kryer krime të rënda. Përpara tre muajsh ai vrau një nga rojet e burgut. Disa ditë më pas ai vdiq si pasojë e keqtrajtimeve, për të cilat dyshohet se përgjegjës kanë qenë punonjës të burgut. Prej vitesh organet greke të sigurisë vëzhgojnë, që në burgje të burgosurit për motive politike dhe kriminelë po hyjnë gjithnjë e më shumë në kontakt mes tyre dhe që këtej përgatitet terreni për aksione të përbashkëta, ndër to edhe grabitje bankash.

Atentati i tretë ndaj një diplomati grek

Një përfaqësues i policisë së Berlinit deklaroi se letra, përmes së cilës merret përgjegjësia për atentatin po shqyrtohet "me seriozitet". Hetimet për sulmin janë marrë përsipër nga sektori i "mbrojtjes së shtetit", që është përgjegjës për aktet penale me motive politike. Gjithashtu u konfirmua, se edhe në sulmet e mëparshme me zjarrvënie ndaj automjeteve të diplomatëve grekë ka pasur letra për marrjen e përgjegjësisë. Por këto letra nuk kanë qenë prej "celulace të zjarrit".

Objekt i zjarrvënies në tetor 2012 ishte makina e një atasheu ushtarak. Në rastin e dytë në prill të këtij vitit në shënjestër ishte automjeti i drejtuesit të sektorit ekonomik të ambasadës. Në të dyja rastet automjetet kanë qenë të parkuara para banesave private.